Ndërlidhjet

Guardian: Grushtshteti në Egjipt – alarm për Turqinë


Egjipt...
Egjipt...
Grushtshteti në Egjipt nuk ishte goditje madhore vetëm për Mohamed Morsin, por, po ashtu, për partinë islamike më të suksesshme në Lindjen e Mesme: për partinë AK në Turqi, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja londineze, Guardian, dhe shpjegon se kur shpërtheu lajmi për përmbysjen e Morsit nga ushtria e Egjiptit, kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e ndërpreu pushimin e tij në bregdetin e Egjeut dhe e caktoi një mbledhje krize të ministrave kryesorë.

Gjatë ditëve të mëpastajme, zoti Erdogan fuqishëm e ka dënuar grushtshtetin, duke e cilësuar atë si “vrasje e demokracisë dhe e ardhmërisë”.

Në këtë kuadër, e përditshmja Guardin e shtron pyetjen se përse ky grushtshtet është trajtuar si çështje aq e rëndësishme për partinë AK të Erdoganit?

Këtë gazeta e shpjegon duke thënë se njëri nga problemet është se grushtshteti në Egjipit, e shqetëson vizionin e partisë AK për eksportimin e llojit të islamizmit demokratik populist në gjithë Lindjen e Mesme.

Erdogani e ka kultivuar një profil impresionues në Lindjen e Mesme, dhe tash më shpesh shkëmben mesazhe në gjuhën arabe se sa në atë turke.

Njëherësh, Morsi e kishte mbajtur partinë AK si model për demokratizimin e botës arabe në fjalimin e tij në kongresin e partisë në vjeshtën e kaluar.

Roli i Erdoganit si mentor i vetë-nominuar ishte në përputhshmëri me qasjen “neo-Otomane” të partisë AK për politikën e jashtme, që e pozicionoi Turqinë si fuqi rajonale.

Partia AK, po ashtu, e kishte zvogëluar shkallën e opozitës popullore kundër Morsit dhe e kishte paraqitur grushtshtetin si komplot të përgatitur nga gjeneralët egjiptianë, shkruan Guardian, duke theksuar se AK e ka përdorë grushtshtetin si metaforë për ta diskredituar lëvizjen protestuese për Parkun Gezi në Turqi.

Disa e kanë gjetur edhe lidhjen e drejtpërdrejtë: Hatam Ete nga instituti SETA, i afërt me Partinë AK, në Twitter ka shkruar se “ajo për të cilën kishte pasur përpjekje në Turqi, pat sukses në Egjipt”.

Teoritë e këtilla të konspiracionit janë trashëgimi e viteve të shtypjes së islamistëve turq e egjiptianë, nga establishmentet sekulare të mbështetura nga ushtria, shkruan Guardian.

Por, problem për Partinë AK dhe Vëllazërinë Myslimane është se stili paranoik i tyre tash po e humbë rezonancën jashtë bazave të tyre. Tregimi për viktimizim më nuk po nxitë simpati të gjerë, në momentin kur ato lëvizën prej opozitës së persekutuar në pushtet.

Partia AK nuk dëshiron ta pranoj të vërtetën e pakëndshme se protestat masive që i paraprinë grushtshtetit, përfaqësonin refuzim me bazë të gjerë të politikave të Morsit. Ky fakt duhet të pranohet, dhe të njihet se nuk ishte politikaislamike ajo që u refuzua nga protestuesit, shkruan Guardian.

Megjithëqë, shumë nga individët protestues kanë qëndrim armiqësor ndaj politikës islamike, të tjerët janë islamistë. As protestuesit në Parkun Gezi nuk dëshirojnë përjashtimin e islamizmit nga politika turke.

Ajo që të dy lëvizjet e refuzojnë është një kuptim agresiv i shumicës demokratike, sipas së cilës, fituesi i zgjedhjeve i merr të gjitha dhe e imponon agjendën e tij ndaj pjesës së mbetur të shoqërisë.

Lëvizjet protestuese, për dallim, këmbëngulin se opozita e zëshme është pjesë e rëndësishme e demokracisë, ashtu siç është edhe qeveria e zgjedhur.

Kërkesa kryesore e protestuesve ishte që të merret seriozisht dhe të dëgjohet.

Demonizimi i opozitës si punë e forcave të jashtme misterioze, nga partia AK dhe Vëllazëria Myslimane, rrjedhimisht, nuk është vetëm diagnozë e gabuar e problemit, por është vetë problemi.

Përjashtimi i opozitës si jopatriotike dhe paraqitja e betejës politike si konflikt me shumën zero, ndërmjet islamizmit dhe sekularizmit, paraqet miratim të rrëfimeve të regjimeve të vjetra si në Turqi ashtu edhe në Egjipt, por me role të ndërsjella.

Islami polik mbetet forcë e fuqishme politike me elektorat të gjerë.

Një damar i përbashkët që funksionon jo vetëm në revolucionet arabe, por edhe në lëvizjet protestuese në gjithë botën, është kërkesa për sferë politike pluraliste.

Nëse partitë demokratike islamiste duan t’i shmangen armiqësimit të kundërshtarëve të tyre, ata duhet tu përgjigjen atyre, shkruan në fund të artikullit e përditshmja londineze, Guardian.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG