Ndërlidhjet

Brukseli nuk e konfirmon marrëveshjen për telekom


 Maja Kocijancic, zëdhënësja e Catherine Ashton
Maja Kocijancic, zëdhënësja e Catherine Ashton
Brukseli nuk e konfirmon arritjen e marrëveshjës për telekom në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Maja Kocijançiq, zëdhënësja e shefës për politikë të jashtme, Catherine Ashton e cila ka ndërmjetësuar takimet e kryeministrave të Thaçi e Daçiq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ende nuk ka asgjë të re rreth kësaj teme.

“Ende nuk ka ndonjë lajm për pranimin e marrëveshjes. Ne shpresojmë që të dyja palët të arrijnë marrëveshjen sa më shpejtë që është e mundur”, ka thënë shkurtimisht Kocijançiq.

Një ditë më parë, delegacioni kosovar për dialogun teknik i kryesuar nga zëvendës kryeministrja Edita Tahiri kishte thënë se pala kosovare është pajtuar me versionin e fundit të marrëveshjës, ndërsa pala serbe ka kohë deri sot.

Marrëveshja është që pala kosovare të marrë kodin ndërkombëtar, +383, ndërsa për këtë të aplikojë një prej vendeve anëtare të BE-së.

Mediat kosovare sot kanë raportuar se marrëveshja është arritur pasi edhe delegacioni serb është pajtuar për këtë gjë, por kjo zyrtarisht ende nuk është konfirmuar.
XS
SM
MD
LG