Ndërlidhjet

Maqedoni: Shkollat shqipe me cilësi të dobët


Ilustrim
Ilustrim
Asnjë shkollë me mësim në gjuhën shqipe në Maqedoni nuk arritur të radhitet në pesë ose dhjetë vendet e shkollave më të mira në nivel vendi, por të njëjtat pozicionohen pas vendit të 19-të. Këto janë rezultatet nga provimet e maturës shtetërore për vitin 2013, përderisa nota më e lartë mesatare e fituar nga provimet e maturës shtetërore të këtij viti, te shkollat shqipe është 3.7, duke lënë kështu shumë larg rezultatet e shkollave elitare në vend.

Hasan Jashari, ish-zëvendësministër i Arsimit në Maqedoni thotë se këto rezultate janë më se brengosëse. Sipas tij, në këtë gjendje arsimin shqip e kanë çuar shumë faktorë.

Natyrisht se kriza shoqërore ka cenuar dhe shkollën. Në njëfarë forme, e gjithë ajo që ndodh në shoqëri, bartet edhe në bankat shkollore. Shkolla shqipe është në një krizë të madhe këto dhjetë vjetët e fundit, e edhe kjo është si rrjedhojë e një lidershipi të dobët dhe si pasojë e asaj se shkollat shqipe janë kryekëput nën kthetrat e partive politike”, konsideron Jashari.

Si problem që duhet diskutuar Jashari e sheh dhe mungesën e një strategjie konkrete nga organet përkatëse për arsimimin e gjeneratave më të reja, me theks të veçantë për atë se cilat duhet të jenë prioritete e arsimimit në gjuhën shqipe në Maqedoni.

Nga ana tjetër, mësimdhënësit shqiptarë, rezultate e dobëta të provimeve shtetërore i arsyetojnë me mungesën e kushteve elementare për mësim në shkollat shqipe, qofshin ato shkolla fillore ose të mesme.

Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë, Nuhi Dardhishta, thotë se mësimdhënësit shqiptarë përballen me kushte të vështira në shkollat shqipe dhe me probleme të shumta në tekstet shkollore, të cilat paraqiten për çdo vit mësimor.

Mësuesit shqiptarë ankohen se nuk munden në vazhdimësi t’i shmangin ato gabime, të cilat paraqiten në tekstet shkollore te më shumë lëndë. Po ne kemi libra, tekste shkollore ku 7 ose 8 faqe nuk janë shtypur në gjuhën shqipe, por ato njësi mësimore janë në gjuhën turke, pra nuk kemi probleme politike, por edhe teknike, të cilat vështirë evitohen si pasojë e ngathtësisë së organeve të Ministrisë së Arsimit”, thekson Dardhishta.

Ai shton se pikërisht këto gabime kanë çuar në rezultatet e dobëta të nxënësve shqiptarë si në testimin ekstern dhe maturën shtetërore, ku i gjithë procesi ka qenë i përcjellë me gabime gjuhësore që në masë të konsiderueshme ka hutuar nxënësit shqiptarë gjatë testimit.

“Sa u përket teksteve shkollore, një pjesë e madhe tyre janë përkthyer nga përkthyes joprofesionistë. Nuk mundet një përkthyes të përkthejë tekstet e lëndëve natyrore, nëse ata nuk kontrollohen edhe nga profesionist të lëndëve përkatëse, sepse kemi të bëjmë me terminologji të caktuara”, shton Dardhishta, duke theksuar se këto anomali ndikojnë që shkollat shqipe të jenë më keq të ranguara krahasuar me ata maqedonase.

Ai gjithashtu rithekson problemet me hapësirat në shumë shkolla, duke theksuar se shumë më shumë investohet te shkollat maqedonase.

Por, me këtë nuk pajtohet ish-zëvendësministri i Arsimit, njëherësh dhe një nga nënshkruesit për themelimin e Universitet Shtetëror të Tetovës dhe Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë , Hasan Jashari. Ai thotë se kushtet e rënda janë evidente, por nuk duhet përdorur si justifikim për të fshehur anomalitë tjera, siç është ndërhyrja e politikës në procesin arsimor

“Me sa jam duke i ndjekur statistikat , që nga viti 2000 e këndej unë nuk kam dëgjuar se ndonjë drejtor shkolle të shkarkohet si pasojë e mosdijes ose mospunës. Nuk kam dëgjuar që ndonjë arsimtar edhe pse ligji e mundëson që për shkak të rezultateve të dobëta gjatë punës të merret në përgjegjësi, madje nuk kam dëgjuar që ndonjë funksionar nga dikasteri i arsimit gjatë dekadës së fundit të jetë shkarkuar si pasojë e mosdijes, mospunës ose papërgjegjësisë. Dhe, në këtë drejtim, më duhet të theksoj se çështja e devalvimit të arsimit shqip qëndron pikërisht në këtë. E ritheksoj, dhjetë vitet e fundit mungon një strategji e qartë dhe askush nuk e udhëheq arsimin shqip”, potencon Jashari.

Ndryshe, shkolla e mesme me mësim në gjuhën shqipe në Shkup, “Zef Lush Marku”, është radhitur e 50-ta në listë , duke shënuar regres prej 14 vende vetëm brenda një viti nga pozita e 36-të ku ishte vitin e kaluar. Para shkollës së mesme të Shkupit, shkolla me mësim në gjuhën shqipe janë radhitur ajo e Dibrës dhe Tetovës.
XS
SM
MD
LG