Ndërlidhjet

Përdorimi i kompjuterit shkakton frikë nga “çmenduria digjitale”


Kreu i Departamentit të Psikiatrisë në Universitetin Ulm të Gjermanisë, Manfred Spitzer, është në mesin e atyre që besojnë se përdorimi i tepruar i kompjuterëve dëmton zhvillimin e trurit të fëmijëve.
Kreu i Departamentit të Psikiatrisë në Universitetin Ulm të Gjermanisë, Manfred Spitzer, është në mesin e atyre që besojnë se përdorimi i tepruar i kompjuterëve dëmton zhvillimin e trurit të fëmijëve.
Në Korenë e Jugut, mjekët e quajnë atë “çmenduri digjitale”.

Vendi aziatik është një nga shoqëritë më aktive online – 95 për qind e popullsisë është e lidhur me Internet. Atje, të rinjtë në fund të 20-tave apo fillim të 30-tave rregullisht kërkojnë ndihmë për problemet që zakonisht prekin të moshuarit. Simptomat e tyre përfshijnë probleme me kujtesën, paaftësi për t’u përqendruar dhe pagjumësi.

Mjekët thonë se vështirësitë e pacientëve të rinj vijnë nga nivelet e larta të ekspozimit në media digjitale, nisur nga televizionet deri te kompjuterët dhe telefonat e mençur.

Derisa askush nuk e ka llogaritur ende se sa të rinj koreanë janë të prekur, fenomeni është duke i shtuar karburant debatit tashmë grindavec midis neuro-shkencëtarëve, në lidhje me rreziqet shëndetësore të përdorimit të mediave digjitale.

Kreu i Departamentit të Psikiatrisë në Universitetin Ulm të Gjermanisë, Manfred Spitzer, është në mesin e atyre që besojnë se përdorimi i tepruar i kompjuterëve dëmton zhvillimin e trurit të fëmijëve.

“Nuk flas për të qenët online pesë minuta në ditë. Flas për 7 orë e gjysmë, që në Gjermani është mesatarja e përdorimit të mediave. Truri ynë vazhdimisht ndryshon nga përdorimi i tyre. Andaj, nëse e përdorni për media digjitale, ato do ta ndryshojnë trurin tuaj dhe atë për të keq”, thotë Spitezer.

Spitzer, i cili vitin e kaluar ka publikuar librin “Çmenduria digjitale”, thotë se gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës së hershme, truri i njeriut është “plastikë”. Ai formon sistemin e tij të neuroneve në përgjigje të mënyrës se si përdoret dhe më vonë, në moshën e rritur, ky sistem fiksohet.

Për Spitzerin, kjo do të thotë se është e rëndësishme që t’i jepet trurit në zhvillim gamë e plotë e stimujve, e cila vjen nga bashkëveprimi me botën reale. Ai thotë se bota virtuale ofron më pak stimuj dhe më pak mundësi për zhvillimin e trurit deri në potencialin e tij të plotë.

“Nëse piketoni diçka me miun kompjuterik, në vend se ta prekni atë, ju nuk do të përdorni në të mësuarit rreth atij objekti përafërsisht një të tretën e trurit tuaj, që kontrollon sjelljen motorike”, thotë Spitzer.

Ai është kundër përdorimit të mediave digjitale deri në adoleshencën e vonë, kur truri, kryesisht, zhvillohet plotësisht. Ai kundërshton fuqishëm përdorimin e kompjuterëve në shkolla nga ana e fëmijëve nën moshën 17 vjeç.

Por, derisa disa neuro-shkencëtarë thonë se përdorimi i mediave digjitale ka efekte negative në zhvillimin e trurit njerëzor, të tjerët thonë se një gjë e tillë mund të rrisë aftësitë mendore.

Profesoresha e Universitetit të Gjenevës, Daphne Bavelier, ka studiuar se si video-lojërat ndikojnë në tru. Ajo beson se ato u ndihmojnë përdoruesve të mësojnë dhe të përqendrohen më mirë sesa jopërdoruesit.

Video-lojërat kanë një numër përbërësish, që janë vërtet të fuqishëm për plasticitetin e trurit, të mësuarit, vëmendjen, vizionin e të tjera. Andaj, duhet të punojmë në të kuptuarit se cilët janë ata përbërës aktivë, në mënyrë që pastaj të ofrojmë lojëra më të mira për arsim apo për rehabilitim të pacientëve”, thotë Bavalier.

Dallimet e gjera të neuro-shkencëtarëve në lidhje me mediat digjitale, sugjerojnë dy gjëra.

Njëra është se studimi i mediave digjitale është ende një shkencë e re. Daton vetëm që nga shfaqja e televizionit në vitet 1950 dhe e kompjuterëve në shtëpi në fund të viteve 1970.

E dyta është se kjo shkencë e re do të jetë më e rëndësishme në të ardhmen, pasi do të shfaqen edhe më shumë media digjitale.(v.tela)
XS
SM
MD
LG