Ndërlidhjet

EULEX: Vazhdohet paraburgimi për dy muaj për 7 të pandehurit


Një gjyqtar i procedurës paraprake i misionit EULEX në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, e ka miratuar kërkesën e prokurorit, për ta vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin për shtatë të pandehur, në një rast të krimeve të luftës, ka njoftuar sot misioni EULEX.

Mëtutje në njoftim theksohet se gjyqtari e ka refuzuar kërkesën për ndërprerjen e paraburgimit të parashtruar nga avokati mbrojtës i njërit prej të pandehurve.

Kështu, të pandehurve Sahit Jashari, Avni Zabeli, Sami Lushtaku, Hysni Thaçi, Jahir Demaku, Zeqir Demaku dhe Sylejman Selimi, u është vazhduar paraburgimi deri më 23 tetor 2013.

Mëtutje në njoftim theksohet se gjyqtari i procedurës paraparake ka vlerësuar se prej kohës kur është zbatuar masa e arrestit shtëpiak më 24 maj 2013, dhe më vonë kur është caktuar paraburgimi nga Gjykata e Apelit më 31 maj 2013, që ka vazhduar më 23 qershor 2013, nuk kanë ndryshuar rrethanat e caktuara, të cilat i përbëjnë kushtet për caktimin e kësaj mase.

Të pandehurit janë të dyshuar se kanë bërë bashkë-kryerje të veprës penale Krime të Luftës kundër popullatës civile, sipas disa pikave.

Rasti po hetohet nga një prokuror i misionit EULEX dhe nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), thuhet në fund të njoftimit të misionit EULEX.
XS
SM
MD
LG