Ndërlidhjet

Qeveria ia merr lejen e ndërtimit xhamisë në Veternik


Ilustrim
Ilustrim
Ndërtimi i xhamisë në lagjen Veternik të Prishtinës, tash e tutje llogaritet të jetë ilegal dhe i ndëshkueshëm, pasi ekzekutivi qendror i mori lejen e ndërtimit të premten pasdite.

Në fakt, është Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dikasteri qeveritar i cili vendosi sot t’ia pezulloj drejtorisë komunale për urbanizëm lejen për ndërtimin e këtij objekti fetar, për shkak të ankesave të banorëve në Veternik.

“Ankesa e qytetarëve bazohet në neglizhimin e mbajtjes së diskutimit publik me banorët në lidhje me ndërtimin e kësaj xhamie,” arsyeton komunikata e MMPH-së.

Sipas njoftimit, inspektorët e ministrisë kanë konstatuar se është shkel parimin e “promovimit të procesit demokratik” duke mos e kaluar planin për ndërtimin e xhamisë përmes debatit publik me komunitetin.

Rekomandimi nga Inspektorati, siç thuhet është bazuar në faktin se Plani Rregullues për këtë lagje të kryeqytetit është në proces të revidimit, ndërkaq në Planin Rregullues të miratuar nga Asambleja Komunale e Prishtinës të vitit 2005 nuk parashihet ndërtimi i xhamisë.

“Meqenëse revidimi i planit rregullues është në fazën fillestare, rekomandimi i Inspektoratit të MMPH’së mbetet që në kuadër të revidimit të mbahet debati publik dhe të veprohet sipas komenteve dhe dëshirës së banorëve të lagjes".

"Deri në atë kohë, vazhdimi i punës do të konsiderohet i jashtëligjshëm dhe i ndëshkueshëm sipas ligjeve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e qeverisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG