Ndërlidhjet

Kosova dhe Maqedonia normalizojnë raportet tregtare


Qeveria e Maqedonisë ka miratuar vendimin për shfuqizimin e importit të kushtëzuar të miellit, që, sipas saj, i hap rrugën normalizimit të raporteve tregtare me Kosovën.

Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Muhamet Hoxha, tha se vendimi hyn në fuqi mbrëmjen mes së shtunës dhe së dielës. Ai tha se Qeveria e Maqedonisë beson se këtij vendimi Qeveria e Kosovës do t’i përgjigjet me heqjen e embargos, me çka do të hiqen të gjitha barrierat tregtare mes dy shteteve.

“Është një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën fqinje. Pas këtij vendimi, Qeveria e Kosovës duhet të sjellë vendimin, me të cilin do të shfuqizon embargon për prodhimet e Maqedonisë, të cilat hyjnë në Kosovë dhe më pas me automatizëm, apo paralelisht hyn në fuqi edhe vendimi i Qeverisë së Maqedonisë, shfuqizohet masa e taksës rrugore për shtetasit e Kosovës. Vendimin, të cilin e ka miratuar sonte Qeveria e Maqedonisë për import të kushtëzuar të miellit, hyn në fuqi nesër mbrëma pas mesnate“, deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.

Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës është njoftuar me vendimin e Qeverisë së Maqedonisë dhe konform këtij vendimi, edhe ajo ka miratuar vendimin e saj që situata të kthehet në pikën zero dhe në mesnatën mes së shtunës dhe së dielës, të heqë embargon me Maqedoninë.

“Pas bisedimeve dhe kontakteve intensive, është arritur marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë, e kemi konfirmimin edhe nga Qeveria e Maqedonisë që të kthehet situata në pikën zero dhe kufiri zhbllokohet nesër mbrëma në mesnatë“, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, Driton Lajçi, këshilltar i zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi.

Ndërkohë, pavarësisht këtyre vendimeve, vendkalimi kufitar në Bllacë mbetet i mbyllur për automjete. Biljana Muratovska nga shoqata “Makamtrans”, e cila, tani disa ditë po mban të bllokuar me kamion të gjithë vendkalimet kufitare me Kosovën në Bllacë dhe Jazhincë afër Tetovë, thotë se vetëm pasi të jetë njoftuar zyrtarisht me këto vendime, do të zhbllokojnë rrugën.

“Qeveria jonë ka bërë një hap para, por derisa edhe pala tjetër nuk tregon se ka bërë diçka të tillë, unë do të mbetem këtu. Unë 100 herë kam thënë se nuk i besoj vetëm njërës palë, kur të shohim se dy palët kanë arritur marrëveshje, ne shkojmë prej këtu dhe lirojnë rrugën“, tha Muratovska.

Në fakt, shoqata që ajo drejton “Makamtrnas” prej të enjtes kishte bllokuar tërësisht vendkalimin kufitare në Bllacë, madje kishte anuluar edhe vendimin e një ditë më parë që të lejojë kalimin e veturave në çdo dy orë nga 30 minuta.

Ndërkohë, shtetasit e Kosovës kanë vazhduar të paguajnë edhe taksat e vendosura nga Qeveria e Maqedonisë. Këtë e konfirmojnë qytetarët, të cilët pavarësisht motit me shi, lëviznin në këmbë nga të dyja anët e kufirit.

“Prej mbrëmë në ora 7 nuk janë duke lëshuar, vetëm ndonjë rast urgjent ka kaluar përndryshe asnjë veturë tjetër nuk ka kaluar kurse vazhdon edhe pagesa e taksave. Unë i thashë se është hequr, ai më tha, jo dhe pagova 10 euro“, thotë Zimer Zimeri shtetas i Kosovës.

Nga ata që të premten kaluan kufirin ishte edhe një grua rreth të 60-ve Atije Muça. Ajo tha se edhe pse në gjendje jo të mirë shëndetësore, nuk është lejuar që të kalojë kufirin me veturë.

“Në këmbë kalova se kam për të shkuar te mjeku të kontrollohem se përndryshe nuk do të vija sot se në këmbë nuk po mundem, por këndej më pret një veturë që të vazhdoj rrugën. Uroj të bëhet mirë se kjo nuk është mirë për asnjërën palë“, tha Atije Muça.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë që nga vendosja e masave kufitare mes dy vendeve, lëvizja e qytetarëve në të dyja anët e kufirit ka shënuar rënie të ndjeshme, janë regjistruar rreth 5 mijë qytetarë që kanë kaluar kufirin.

Sa i përket taksës doganore, janë grumbulluar rreth 15 mijë euro, ndërkohë që dëmet e ekonomisë maqedonase janë të konsiderueshme. Sipas ekspertëve të odave ekonomike, nga bllokadat kufitare, ekonomia e Maqedonisë ka pësuar rreth 1 milion euro në ditë.
XS
SM
MD
LG