Ndërlidhjet

Kurteshi: Gjendje e rëndë nga mosrespektimi i të drejtave të njeriut


Sami Kurteshi
Sami Kurteshi
Ekzekutivi është më i pandjeshmi ndaj rekomandimeve të Avokatit të Popullit, kurse Kuvendi është një përbërje amalgame, përbëhet nga vullnete të ndryshme politike, por gjendja nga mosrespektimi i të drejtave të njeriut në Kosovë , është e rëndë, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Avokati i Popullit, Sami Kurteshi.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kurteshi, Kosova jo rrallë herë radhitet në mesin e vendeve që nuk gëzojnë nivel të lartë të respektimit të të drejtave të njeriut. Sipas të dhënave që keni, cili do të ishte vlerësimi juaj në këtë rrafsh?

SAMI KURTESHI
Unë mendoj se në këto vlerësime ndërkombëtare - ne i dimë kush janë ata, është Freedom House, Human Rights Ëatch, e të tjera, domethënë që bëjnë vlerësimet e tyre që kanë edhe karakter statistikor - pra aty ne nuk kemi parë vlerësime që do të mund të kundërshtoheshin. Ne mendojmë se, edhe në bazë të të të dhënave që ne kemi dhe që mbledhim, ne kemi një rritje të rasteve ne institucionin tonë.

Nuk mund të konstatojmë për ndonjë përmirësim të dukshëm të gjendjes së të drejtave të njeriut në Kosovë. Sigurisht ka dallime në detaje të ndryshme, por unë pajtohem me këto vlerësime.

RADIO EVROPA E LIRË
Ku janë shkeljet më të mëdha?

SAMI KURTESHI
Në bazë të rasteve që paraqiten në institucionin e Avokatit të Popullit, numri më i madh i rasteve janë kundër-gjyqësorët, (rastet e prokurorive), për shkak të krejt situatës së krijuar atje, për shkak të neglizhencës, për shkak të vonesave të mëdha, por edhe për shkak të rasteve të dallueshme dhe të dukshme të korrupsionit, të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe manipulimit të fakteve.

Këto raste edhe po i shohim dhe dëgjojmë çdo ditë. Problemin e kryesor ne e kemi se nuk posedojmë një drejtësi të stabilizuar, as shoqërore, e as institucionale. Ky është problemi kryesor.

Përndryshe, po shkon duke u rritur numri i njerëzve në të vërtetë, e jo i problemeve, se problemet kanë qenë, por i njerëzve që paraqiten me probleme sociale. Këto janë problemet, kemi edhe probleme të natyrave tjera, por këto përbëjnë numrin më të madh të rasteve që paraqiten në institucionin tonë.

Numri më i madh është i rasteve që paraqiten kundër Gjyqësorit - nuk do të flisja tash me shifra absolute, domethënë në përqindje është numri më i madh. Ka disa vjet që në raportet e institucionit të Avokatit të Popullit në radhë të parë janë gjykatat. Në qoftë se ne i mbledhim dhe i konsiderojmë si ekzekutiv, edhe komunat po edhe ministritë, edhe ndërmarrjet publike, sidomos komunat ministritë dhe policinë, atëherë ekzekutivi është në radhë të parë.
Mirëpo, ne kemi bërë një ndarje që sigurisht nuk do të ishte e drejtë, sepse aty mandej kemi Gjykatën Supreme, të Apelit, gjykatat Themelore, aty do të duhej bërë një ndarje, por ne po i marrim si pushtete të ndryshme do të thotë ku kemi më shumë probleme.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili komunitet është ai që vuan më së shumti në këtë drejtim, qoftë ai etnik, gjinor apo dhe tjerë?

SAMI KURTESHI
Situata jostabile, siç është në Kosovë, shkakton edhe lëvizje të ndryshme, bartje të konfliktit. Dhe, bartja e konfliktit sigurisht prek njerëzit më të dobët në shoqëri dhe ato janë komunitetet që ne do t’i quanim pakicë, po nuk duhet nënkuptuar gjithmonë komunitetet pakicë etnike, ose gjuhësore.

Kemi parë se muajt e fundit në Kosovë, për shembull, një problem më vete kanë qenë edhe komuniteti LGBT. Në njëfarë mënyre kanë qenë cak i disa sulmeve.

Marrë situatën e përgjithshme shoqërore ekonomike e politike lirisht mund themi se komunitet rom, ashkalinj dhe egjiptas, janë komunitetet më të diskriminuara, me pozitën më të keqe. Nuk mund të themi se ka ndjekje të organizuar shtetërore kundër tyre, por situata e përgjithshme bën që ata të jenë në pozitën më të pafavorshme, jo rrallë edhe diskriminuese.

Përndryshe, kemi një kategori jashtëzakonisht të shtypur jashtëzakonisht në gjendje të keqe që ka karakter sistemor, e që janë pensionistët. Po më të shtypur se ta, gjendjen më të rëndë se ta ndoshta e kanë shtresat e të papunëve, të varfrit që edhe s’kanë asnjë shpresë për punësim. Kjo, sepse Kosova ende nuk ka krijuar një ekonomi që gjeneron vende pune, ose së paku absorbon numrin e të rinjve që del në treg të punës dhe nuk po shohim një perspektivë më të afërme apo pak më të largët se gjendja në këtë drejtim do të ndryshojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa gëzoni bashkëpunim ju, si Avokat i Popullit, me institucionet vendase? Kanë peshë vendimet dhe rekomandimet tuaja, apo hasin në veshë të shurdhër?

SAMI KURTESHI
Nuk mund të flas në përgjithësi, sepse edhe nuk është ashtu. Ne kemi nuanca të mëdha për bashkëpunim. Kemi institucione, me të cilat kemi bashkëpunime shumë të mira, dhe kemi institucione, me të cilat nuk ka bashkëpunim.

RADIO EVROPA E LIRË
...cilat janë ato?

SAMI KURTESHI
Zakonisht, sa më e lartë që është hierarkia, bashkëpunimi është më i vogël, sepse thjesht këta njerëz e ndiejnë veten aq të fortë sa nuk kanë frikë as nga ligji. Kjo është çështja. Rekomandimet tona nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe.

Po them, sa më i ulët niveli i personave përgjegjës në kuadër të institucioneve, ne aq më shpejt i kryejmë punët, aq më shpejt u bëjmë shërbime shumë të mira qytetarëve, aq më i mirë është bashkëpunimi.

Sa më lart, është më pak(bashkëpunimi), për arsye se në qoftë se rekomandimet e Avokatit të Popullit nuk zbatohen, nuk respektohen, nuk ka konsekuenca ligjore. Nuk ka ngjarë deri sot që Kuvendi ose dikush ta kapë dikë për qafe, e t’i thotë: Ngadalë, këtu është një rekomandim, kanë konstatuar shkelje, çka ke bërë, nuk e ke zbatuar. Konsekuenca si agjent s’ka.

Kështu që kjo është edhe çështje e ndërgjegjësimit, dhe po shpresojmë se ndërgjegjësimi është një proces që rrjedh pozitivisht por ngadalë. Me Qeverinë ne kemi pasur probleme jashtëzakonisht të mëdha, domethënë edhe Qeveria, ekzekutivi, ka qenë institucioni, me të cilin jo vetëm Avokati i Popullit ka pasur probleme, por edhe që i ka shkaktuar institucionit të Avokatit të Popullit probleme të qëllimshme.

Domethënë me qëllim edhe natyrisht nuk janë zbatuar rekomandimet e Avokatit të Popullit, por jo të gjitha ministritë.

Prandaj, një përgjithësim është shumë i rrezikshëm, mund të themi se ekzekutivi është më i pandjeshmi ndaj rekomandimeve, ndaj veprimeve të Avokatit të Popullit, Kuvendi është një përbërje amalgame, siç e dimë përbëhet nga vullnete të ndryshme politike, por gjendja është e rëndë në përgjithësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Në rast të mosbashkëpunimit, çfarë mjetesh keni në dorë për të zgjidhur një çështje të shkeljes së të drejtave të njeriut?
SAMI KURTESHI
Ne nuk kemi mjete të mëdha, as ligji nuk i parasheh ato mjete. Arma më e fortë është raporti i Avokatit të Popullit, raporti vjetor ose raportet e ndryshme që i bëjmë - qoftë ato speciale, ekzoficio, apo raportet për raste të veçanta, si dhe mediat, asgjë tjetër.
XS
SM
MD
LG