Ndërlidhjet

Maqedoni: Dënime për të mbushur arkën e shtetit


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Propozimi i Qeverisë së Maqedonisë për miratimin e Ligjit për rritjen e gjobave, nga ekspertët dhe opozita vlerësohen si tentativë për mbushjen e buxhetit shtetëror.

Ndërkohë, edhe afaristët kanë ndezur alarmin se kontrollet e shpeshtuara të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, duke mbyllur dhjetëra objekte afariste për shkelje ligjore, kanë vetëm një qëllim - mbledhjen e parave.

Drage Jovanovski, ekspert juridik, thotë se praktika e deritashme ka dëshmuar se përmes dënimeve drakonike, nuk mund të detyrohen qytetarët t`i respektojnë ligjet me përpikëri. Sipas tij, duhet investuar më shumë në ngritjen e vetëdijes, si dhe profesionalizmin e organeve shtetërore.

“Me rritjen e dënimeve, nuk mund të arrihet asgjë. Kemi rast kur ai që ka bërë një kundërvajtje në trafik, është i papunë, pa punë është edhe e shoqja, dënimin nuk kanë se si e paguajnë, shteti duhet të gjejë zgjidhje për këtë kategori dhe jo të mendojë për dënime edhe më të mëdha, të cilat s`janë në gjendje t`i shlyejnë qytetarët”, thotë Jovanovski.

Ai thekson se problem që duhet shtruar me seriozitet, është njohja e qytetarëve me ligjet, ngase miratimi i një pjesë të madhe të ligjeve bëhet me shpejtësi marramendëse nga ana e Kuvendit pa ndonjë debat më të gjerë ku do të përfshiheshin dhe ekspertë.

Jovanovski thotë se kjo është dhe arsyeja pse shumica e ligjeve pothuajse tërësisht janë të panjohura për qytetarët.

“Gjatë miratimit të çdo ligji, duhet siguruar dhe mjete financiare që i njëjti t`u bëhet i njohur edhe qytetarëve konform rregullave, të cilat aplikohen në vendet e zhvilluara demokratike dhe jo siç ndodh te ne, miratohet ligj për vendosjen e rripit të sigurimit dhe që të nesërmen ndalohen qytetarët nëpër rrugë pse se kanë zbatuar të njëjtin. Ose miratohet Ligj për ndalimin e pirjes së duhanit në vende publike, ndërkohë që në institucione nuk caktohen hapësirat e veçanta për duhanpirësit”, thekson Jovanovski.

Ndërkohë, Drejtoria e të Ardhurave Publike brenda javës ka mbyllur shumë shumë dyqane, si pasojë e parregullsive me dokumentacionin, ose mosdhënien e faturave fiskale duke bërë të ditur se shteti do të jetë i pamëshirshëm ndaj gjithë atyre afaristëve, të cilët nuk i respektojnë ligjet.

“Pavarësisht nga veprimtaria, do të kontrollohen objektet afariste se a japin llogari fiskale, pastaj a i mbulojnë dhe a e tregojnë qarkullimin real të të hollave të gatshme, si dhe a e mbajnë dokumentacionin financiar”, thuhet në sqarimin e DAP-it.

Përderisa afaristët, të revoltuar hezitojnë të prononcohen nga frika se do të përballen me dënime edhe më të mëdha, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore konsideron se një qasje e këtillë e Inspektoratit financiar është një grusht i rëndë për ekonominë e vogël.

“Do të ishte e ndershme, gjegjësisht e pranueshme për ne si afaristë, sikur veprimet e fundit të DAP-it të mos ishin veprime selektive, kur bëhet fjalë për aplikimin e masave, për të cilat thonë se janë në pajtueshmëri me ligjet”.

“Sigurisht se ne jemi për mbrojtjen e ekonomisë ligjore, por assesi nuk pajtohemi me ndonjë qëndrim me prapavijën që mund të kenë këto veprime të përnjëhershme të marra nga Drejtoria e të Ardhurave Publike veçanërisht kur bëhen në pjesë të caktuara që lënë hapësirë për doza të dyshimit”,
thekson Arben Halili, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimre.

Halili shton se me veprimet e këtilla, shteti, siç shprehet ai, “pret degën, në të cilën është duke qëndruar”, ngase edhe ashtu ekonomia e vogël është në kufi të mbijetesës.

“Ky veprim nga ana e shtetit mund të reflektojë rritjen e ekonomisë joformale, ngase duke mbyllur këto ekonomi, të cilat kanë një vend të caktuar dhe që pretendohet se mbyllen pikërisht për shkak të jozyrtarizimit të aktivitetit të tyre, kjo mund të reflektojë me atë që po të njëjtit persona të hapin aktivitete joligjore vetëm për të siguruar ekzistencën”, konsideron Halili.
XS
SM
MD
LG