Ndërlidhjet

Maqedoni: Mjete simbolike për shqiptarët


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Edhe këtë vit Qeveria e Maqedonisë doli me premtime të shumta që beson se do t'i realizojë gjatë vitit 2014 me projektbuxhetin që tashmë është dërguar për miratim në procedurë parlamentare.

Premtimet janë të shumta, si: rritja e ekonomisë, investimet kapitale, hapja e vendeve të reja të punës, rritja e rrogave dhe pensioneve.

Shpenzimet buxhetore janë paraparë në rreth 2 miliardë e 870 milionë euro, ndërsa të ardhurat 2 miliardë e 572 milionë euro. Deficiti buxhetor do të sillet në 3.5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, ose 298 milionë euro që do të mbulohen me hua brenda dhe jashtë vendit.

Rritja ekonomike e vendit parashikohet të jetë 3.2 për qind, ndërsa inflacioni do të sillet në 3.3 për qind.

Sa i përket mjeteve për investime kapitale, ato janë rritur për 20 për qind dhe sillen në rreth 370 milionë euro.

“Kjo duhet të mundësojë vazhdimin e rritjes së investimeve, si dhe do të ndihmojë në realizimin e rritjes së Bruto Prodhimit Vendor, kuptohet me rimëkëmbjen edhe të sektorëve të tjerë të ekonomisë në aspekt të investimeve në sektorin privat dhe tërheqjen e investimeve nga jashtë. Investimet do të përqendrohen kryesisht në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore”, ka deklaruar ministri i Financave, Zoran Stavreski.

Ndërkohë, nga Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e Qeverisë, thonë se me projektbuxhetin për vitin 2014 janë paraparë edhe shumë investime në pjesët e banuara me shqiptarë, si ndërtimi i zonave të lira ekonomike në Tetovë, Gostivar, dhe Strugë, pastaj rruga Kërçovë-Strugë, si dhe mjete të shumta për ndërtimin dhe rinovimin e objekteve arsimore, kulturore e shëndetësore në zonat ku jeton popullatë shqiptare.

Paralajmërime të këtilla ka pasur edhe në të kaluarën, por ato nuk janë realizuar asnjëherë, thonë nga ana tjetër, ekspertët e çështjeve ekonomike. Ata, madje, kanë vërejtje edhe për shumën e ndarë për zonat e banuara me shqiptarë, që nuk kalojnë edhe 5 për qindëshin e shumës së përgjithshme për investime kapitale prej 370 milionë euro.

Profesori Abdylmenaf Bexheti, thotë se shqiptarët duhet të luftojnë për ndarjen e barabartë të buxhetit dhe jo të sillen si lypës, siç shprehet ai.

“Vazhdon avazi i paralajmërimeve shumë bombastike nga pjesa shqiptare duke paralajmëruar miliona denarë në të gjitha aspektet, se shqiptarët po marrin gjithnjë e më shumë hisen e tyre. Sa më shumë dhe sa më bombastike ato paralajmërohen, ne aq më pak mjete po tërheqim, gjithë ato që po paralajmërohen, nuk bëjnë më shumë se 10 milionë euro, dhe nëse këtë e krahasoni me 370 milionë eurot nga investimet kapitale në buxhetin për vitin 2014, pjesëmarrja nuk është më e madhe se 5.5 për qind”.

“Derisa shqiptarët nuk marrin pjesë në vendimmarrjen e buxhetit, ne nuk mund të marrim hisen. Nga buxheti nuk mund të marrësh në formën e lypësit. Hisja merret, nuk falet. Në kështu siç jemi duke negociuar, ne jemi në pozitën e lypësit, sepse nuk jemi në pozitën që të kushtëzojmë miratimin e këtij dokumenti”, thotë Bexheti.

Ndërkohë, duke komentuar pritjet e qeverisë për rritje ekonomike prej 3.2 për qind, pastaj rritjen e pensioneve dhe rritjen prej 20 për qind të mjeteve për investime kapitale, Vanço Uzunov, profesor universitar dhe përfaqësues i LSDM-së opozitare, thotë se premtime të tilla po dëgjohen tani shtatë vjet në Maqedoni, por në vend të realizimit të tyre, vendi vazhdon të zhytet të varfëri dhe krizë të thellë.

Këtë, sipas tij, e dëshmojnë edhe raportet e shumta ndërkombëtare, të cilat e radhisin Maqedoninë në fund të grupit të shteteve sa i përket zhvillimit ekonomik.

“Qeveria, shtatë vjet pas thirrjeve të opozitës dhe të ekspertëve se investimet në përmendore dhe objekte tjera të panevojshme nuk janë veprim i mirë, tani paska vendosur të investojë në infrastrukturë, rrugë e kështu me radhë”.

“Gjithashtu, pas reagimeve të shumta të opozitës se duhet të punohet me ndërmarrjet e vendit dhe të mos mendojë vetëm për tërheqjen e investimeve të jashtme, ja tani kjo qenka në fokusin e saj, të shohim se si do të përfundojë e gjithë kjo. Sa i përket rritjes së pagave dhe pensioneve, është më se e qartë se këto vendime janë parazgjedhore, meqë viti i ardhshëm është vit zgjedhor”,
shprehet Uzunov.

Ndryshe, paralelisht me nisjen e procedurave për miratimin e buxhetit, mbledhje intensive po mban edhe grupi i punës për zbardhjen e incidentit të 24 dhjetorit të vitit të kaluar.

Qëllimi kryesor i këtij grupi është gjetja e modaliteteve për miratimin e buxhetit në atmosferë të qetë, pasi pikërisht miratimi i tij me anashkalimin e amendamenteve të opozitës, kishte iniciuar dhunën në Kuvend që e çoi vendin në krizë të thellë politike që vazhdon edhe më tej.
XS
SM
MD
LG