Ndërlidhjet

Maqedoni: Shpresa për më shumë zhvillim ekonomik


Ilustrim
Ilustrim
Qeveria e Maqedonisë është optimiste se do të realizojë parashikimet për rritjen ekonomike prej 2.2 për qind. Shkas për këtë optimizëm është edhe përmirësimi i gjendjes ekonomike në eurozonë, e cila në 18 muajt e kaluar ishte në recesion.

Sipas Bankës Popullore, në kuartalin e parë, prodhimtaria industriale ka shënuar rritje prej 37 për qind, që edhe pritet të ndikojë më së shumti në rritjen prodhimit të përgjithshëm bruto vendor.

Guvernatori i Bankës Popullore, Dimitar Bogov, thotë se rritja ekonomike në kuartalin e dytë do të kapërcejë parashikimet e qeverisë.

“Duke pasur parasysh se ekonomia e Maqedonisë është në lidhshmëri me ekonominë e eurozonës përkatësisht, rreth 90 për qind e eksportit në mënyrë direkte apo indirekte është e orientuar nga eurozona, kjo do të thotë se edhe në pjesën e dytë të vitit mund të presin rezultate më të mira për ekonominë e Maqedonisë".

"Ne presin që rritja ekonomike prej 2.9 për qind që ishte në kuartalin e parë të vazhdojë edhe në kuartalin dytë. Ne presin rritje edhe më të lartë nga parashikimet tona prej 2.2 për qind, pastaj ulje të inflacionit, si dhe mbajtjen nën kontroll të çmimeve”, deklaroi Bogov.

Por, me vlerësime të kundërta dalin ekspertët e ekonomisë, sipas të cilëve, zhvillimet në ekonominë evropiane nuk mund të krahasohen me ekonominë e vendit.

“Është fakt se ekonomia e Maqedonisë është shumë e lidhur me Evropën, por nëse bëjmë një analizë të vogël, do të shihet se nuk mbajnë pretendimet e qeverisë. Çfarë i shet Maqedonia Evropës që ekonomia e saj të jetë ndikuar nga kriza në evropiane?".

"Nëse Maqedonia dëshiron që të ketë progres në ekonomi, nëse dëshiron që të ketë rritje reale ekonomike, ajo duhet që të ulë deficitin tregtar që është negativ, ne duhet të ndryshojmë politikën monetare pasi gjithçka tjetër është demagogji. Tani 20 vjet Maqedonia as që ka rritje ekonomike, e as që ka ulje të numrit të të papunëve, për shkak se me politikat e tanishme ekonomike ajo mbron importuesit, bankierët dhe kontrabanduesit në dëm të zhvillim real të ekonomisë”, thotë Zoran Vitanov, profesor universitar.

Dalja nga recesioni e shumë shteteve të Evropës nuk do të reflektohet drejtpërdrejt në ekonominë e Maqedonisë, pasi shumë kompani nuk janë të përfshira në transaksionet ekonomike ndërkombëtare, thotë Izet Zeqiri, profesori i ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Sipas tij, institucionet duhet të aplikojnë forma tjera për nxitjen e ekonomisë vendore.

“Mendoj se Maqedonia nuk do të ketë ndonjë ndikim real nga rritja ekonomike e vendeve evropiane. Ne duhet të mundohemi t'i përkrahim ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duhet të sigurojmë nga bankat kredi më të volitshme, ta eliminojmë burokracinë bankare në dhënien e kredive, në veçanti në sigurimin e kolateralit, e kështu me radhë”, vlerëson Zeqiri.

Ndërkohë, ditë më parë partia më e madhe e opozitës, LSDM-ja kërkoi rebalancin e buxhetit pas një deklarate të bërë nga ministri i Ekonomisë, Zoran Stavreski, se parashikimet e bëra nuk do të mbulojnë tërë vitin.

Nga Lidhja Social-Demokrate kanë thënë se klima e biznesit në Maqedoni është shumë e rëndë, gjë që dëshmohet edhe nga vlerësimet e ekspertëve dhe organizatat botërore. Por, pretendimet e opozitës janë vlerësuar të pabaza nga ana e qeverisë maqedonase, e cila mbetet në parashikimet e saj për rritjen e ekonomisë.
XS
SM
MD
LG