Ndërlidhjet

Siguria gjatë fushatës zgjedhore së tre nëntorit


Në prag të fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e tre nëntorit, anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri nga opozita, për dallim nga ata të pozitës thonë se autoritetet e rendit duhet të shtojnë masat e sigurisë në mënyrë që të ketë fushatë zgjedhore dhe zgjedhje të qeta.

Kryetari i këtij komisioni, Ahmeti Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se në mënyrë që procesi zgjedhor te kalojë sa më mirë, forcat e rendit duhet të mobilizohen në mënyrë që të mos ketë probleme.

“Ne mendojmë që duhet të rritet angazhimi i forcave të sigurisë edhe i atyre vendore dhe ndërkombëtare për të pas zgjedhje normale në një proces të qetë i cili do të nxirrte rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Në veçanti duke e ndjerë shumë afër zhvillimin në veriun e Kosovë duhet të bëhen angazhime të mëdha të cilat do të mundësoni që të ketë zgjedhje normale”, tha Isufi.

Kurse anëtari i tjetër, Fatmir Xhelili, nga PDK-ja, mendon se forcat e sigurisë ekzistuese duhet t’i marrin veprimet adekuate në prag të fillimit të fushatës zgjedhore, dhe sipas tij, nuk duhet të ketë shtim të forcave të rendit.

“Unë mendoj se nuk ka nevojë për rritje të forcave të sigurisë po mendoj se forcat e sigurisë ekzistuese duhet t’i marrin masat adekuate dhe planifikimin adekuat për përgatitjen edhe për fushatën zgjedhore që të jetë situata e qetë, por edhe gjatë vetë zgjedhjeve”, tha Xhelili.

Kurse, Rexhep Selimi vlerëson së situata e sigurisë në Kosovë, në veçanti në veri të vendit, është e brishtë.

Rexhepi, anëtar i komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se për dallim nga pjesa tjetër e Kosovës, në veri mund të ketë tensioni me rastin e fushatës dhe zgjedhjeve të tre nëntorit.

“Qytetarët e Kosovës, përveç pjesës së veriut kanë arritur tash më një shkallë të kënaqshme të mbajtjes së qetësisë me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve. Në pjesën veriore të Kosovës, në ato pjesë ku për herë të parë organizohen zgjedhje apo tentohet të mbahen zgjedhje me sistemin e Republikës së Kosovës, aty presim dhe do të duhej që ne të ishim shumë më të gatshëm, por paraprakisht ne do të duhej të ishim prezent në veri me mekanizmat tonë të sigurisë, sidomos me Policinë e Kosovës, gjë që nuk konsideroj se ne jemi prezent atje me këta mekanizma”,deklaroi Selimi.

Raxhepi ka thënë po ashtu se ne ditët në vazhdim mund të ketë rritjet të tensioneve në veri të Kosovës, pasi që siç shprehet ai, në atë pjesë të vendit ka qytetarë që janë për dhe kundër zgjedhjeve të tre nëntorit.

“Është një frymë ekstreme e grupeve serbe në veri të cilat do të tentojnë t'i kundërshtojnë [zgjedhjet] ndoshta jo vetëm verbalist siç kanë bërë deri tani. Pra, vendvotimet atje mund të jenë edhe të sulmuara nga grupet e ndryshme, gjë që do të ishte e domosdoshme prezenca e policisë”, tha Selimi.

Kurse, deputeti Fatmir Xhelili mendon se përveç disa segmenteve kriminele të cilat janë në veri të Kosovës e që kanë interes për destabilizim të situatës, ka edhe faktorë të tjerë politikë të cilët mund të përkeqësojnë gjendjen e sigurisë.

“Ato segmente burojnë prej segmenteve kriminele të pjesës veriore, qofshin pjesa shqiptare, qofshin pjesa serbe, se faktikisht ata janë një organizim dhe i kanë gjetur interesat e përbashkëta në zhvillimin e aktiviteteve kriminale, por nuk përjashtohet edhe ndonjë vijë ekstreme politike e cila është e interesuar t'i ruajë pozicionet e mëparshme”, tha Xhelili.

Ndryshe autoritetet policore të Kosovës kanë përsëritur se përgjegjësinë kryesore për sigurinë në veri e ka Policia e Kosovës të mbështetur edhe nga EULEX-i.

Me rastin e zgjedhjeve lokale më tre nëntor, autoritetet e rendit ka thënë se do të ketë një plan operacional unik për gjithë vendin.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG