Ndërlidhjet

Frekuencë e shtuar e rasteve me kancer gjiri


Kanceri i gjirit, zë vendin e parë në tumoret malinjë që prekin gratë. Shqetësues është fakti se në Kosovë çdo vit zbulohen rreth 200 raste të reja me kancer.

Përhapja e sëmundjes së kancerit të gjirit në botë dhe në vendet e rajonit është alarmante, thonë zyrtarë shëndetësorë.

Shqiptar Demaçi, kirurg torakal, deklaron për Radion Evropa e Lirë, se sikurse në botë, edhe në Kosovë kanceri i gjirit është sëmundja më e shprehur te femrat. Ai përmend se vdekshmëria nga kjo sëmundje, është rreth 25 për qind.

Rreth 200 raste në vit paraqiten me kancer të gjirit. E mira është se tash te ne aplikohet radioterapia dhe kimioterapia në Institutin onkologjik. Edhe operacionet bëhen kryesisht në Kirurgjinë torakale, por edhe në kirurgjitë tjera onkologjike. Edhe diagnostika edhe terapia në Kosovë vazhdon, edhe pse ka ndonjëherë mungesa (të ilaçeve) dhe pacientët duhet t’i blejnë, e që janë shumë të shtrenjta. Por, në përgjithësi Ministria e Shëndetësisë po i siguron këto terapi”, thotë Demaçi.

E, gratë e prekura me kancerin e gjirit, bëjnë apel që kontrollet nga ana e grave, të jenë sa më të shpeshta, për shkak se, siç thonë ato, diagnostikimi i hershëm shpëton jetë.

Njëra nga to është edhe Nafije Latifi, nga organizata “Jeta Vita”, njëherësh e prekur me kancer në gji.
Diagnostikimi i hershëm është puna e parë që duhet të bëhet. Është e rëndësishme, sepse shpëton jetë.

“Diagnostikimi i hershëm është puna e parë që duhet të bëhet. Është e rëndësishme, sepse shpëton jetë. Por, në anën tjetër, një person i sëmurë në familje, është e sëmurë e gjithë familja”, shprehet Nafije Latifi.

Ndërkaq, në Institutin onkologjik, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Mejreme Maloku, thotë se Kosova ende nuk e ka kancer-regjistrin, që të dihet saktë numri i grave që preken me kancer në gji, por, sipas saj, frekuenca e pacientëve në këtë institut është në rritje.

“Për numër të saktë të pacienteve nuk mund të flasim, sepse nuk ka kancer-regjistër. Nga frekuenca shihet se lokalizimi i gjirit është sëmundja më e frekuentuar, sepse prej 3 mijë pacientëve të trajtuar për dy vite, 1100 kanë rezultuar me kancer të gjirit”, bën të ditur Mejreme Maloku duke shtuar:

“Shkaqet e paraqitjes së sëmundjes nuk dihen. Janë disa shkaktarë të rrezikut si aktiviteti fizik i kufizuar, duhanpirja, ushqyeshmëria e dobët. Moshat e femrave që preken nga kanceri i gjirit, janë ato mbi moshën 50-vjeçare. Por, nuk mungojnë as rastet me moshë të re”.

Për kushtet e trajtimi të grave që marrin në Institutin onkologjik brenda QKUK-së, si dhe furnizimin me citostatikë, ilaçe këto që shërbejnë për trajtimin e sëmundjes së kancerit, doktoresha Maloku thotë:

“Në Institutin onkologjik sivjet është punuar në trajtimin edhe me radioterapi dhe është përmbyllur gjithë zinxhiri i trajtimit të kancerit. Kështu që, pacientët nuk udhëtojnë më jashtë institutit për trajtim. Furnizimi nuk është 100 për qind, por nuk kemi mungesë të madhe, sidomos kur merret parasysh niveli financiar. Ne nuk presim ndonjë përmirësim më të mirë, pa u gjetur një buxhet shtesë. Ndoshta kur miratohet Ligji për sigurime shëndetësore, do të ketë edhe përmirësime”.

Ndryshe, të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë flasin se brenda vitit në botë regjistrohen rreth 10 milionë raste të reja me kancer. Supozohet se në vitin 2020, kjo rritje mund të shkojë deri në rreth 15 milionë raste të reja në nivel global.
XS
SM
MD
LG