Ndërlidhjet

Kosovë: BE i dërgon vëzhguesit për zgjedhjet lokale


Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve ka njoftuar se i ka dërguar 20 vëzhgues afatgjatë në gjithë Kosovën.

“Roli ynë është që të realizojmë një vëzhgim gjithëpërfshirës të tërë procesit të zgjedhjeve si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë rajonal, në Prishtinë dhe në të gjitha anët e Kosovës. Përveç ekipit kryesor të përbërë nga tetë ekspertë me seli në Prishtinë, 20 vëzhgues afatgjatë do të jenë sytë dhe veshët tanë në terren dhe do të na ndihmojnë që të mbledhim informata të besueshme”, ka thënë me këtë rast, Peter Palmer, zëvendësshef i këtij misioni.

Vëzhguesit do të takohen me zyrtarë qeveritarë dhe të zgjedhjeve si dhe me përfaqësues të partive politike, gjyqësorit, organizatave të shoqërisë civile dhe mediave.

Sipas njoftimit të sotëm, gjatë monitorimit, vëzhguesit evropianë do të përqendrohen në aktivitetet e fushatave të kandidatëve dhe partive politike, në raportimet e mediave dhe në përgatitjet për votim.

Deri në ditën e zgjedhjeve, atyre do t’iu bashkohen edhe 42 vëzhgues afatshkurtër dhe vëzhgues të tjerë nga ambasadat e vendeve anëtare të BE-së.

Ata pastaj do t’i vizitojnë vendvotimet, në mënyrë që ta mbikëqyrin hapjen e vendvotimeve dhe operacionet e votimit dhe numërimit.
XS
SM
MD
LG