Ndërlidhjet

Deklarata e Erdoganit - “provokuese dhe ogurzezë”


Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan.
Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan.
Ipeshkvia e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili ka thënë se “Kosova është Turqi dhe Turqia Kosovë”, duke e cilësuar atë si ogurzezë dhe provokuese.

Përmes një deklarate për mediat, ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka thënë se Erdogan ka shprehur dëshirën që të jetë padroni i shqiptarëve.

“Ka një kohë prej kur autoritetet e ndryshme të Turqisë provokojnë me ide neootomane, të cilat më ngacmojnë mendësinë dhe më prekin sedrën e të qenët shqiptar. Mirëpo, me fuqinë e arsyes dhe me pasurinë shpirtërore, gjithnjë gjeja forcën për të heshtur. Porse, fjalimi i z. Erdogan në Prizren, me përmbajtje të shkapërcyem dhe fyes, me zë padroni dhe me një performancë dalldisjeje politike, ishte ogurzi, në kundërshtim me të vërtetën historike, me realitetin e sotëm dhe pa një propozim pozitiv për të ardhmen”, thuhet në reagimin e ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergji.

“Derisa dëgjoja këtë fjalim, më është kujtuar fjalimi i ngjashëm ogurzi në Fushë Kosovë, para më shumë se dy dekadave, ku me një dalldisje e tillë triumfaliste, nxitej masa me shpresa të rrejshme. Por, ne e dimë dhe jemi dëshmitarë se sa të këqija dhe sa mjerime ka bartur në vete koha dhe përvoja jonë njerëzore, që atëherë e deri te liria jonë”, thuhet në reagim.

Erdogan e ka bërë deklaratën gjatë qëndrimit në Kosovë, të mërkurën, me rastin e inaugurimit të terminalit të ri të Aeroportit të Prishtinës.
XS
SM
MD
LG