Ndërlidhjet

Reagime ndërkombëtare për rastin Kezharovski


Pamje nga protesta e gazetarëve lidhur me dënimin e gazetarit Kezharovski, Shkup.
Pamje nga protesta e gazetarëve lidhur me dënimin e gazetarit Kezharovski, Shkup.
Nga Qeveria edhe të premten kanë heshtur lidhur me protestat e gazetarëve dhe kërkesën e tyre të një dite më parë drejtuar kryeministrit Nikolla Gruevski, për shfuqizimin e vendimit për dënimin me 4.5 vjet burg të gazetarit, Tomisllav Kezharovski.

Shoqata e Gazetarëve i kishte kërkuar kreut të Qeverisë që t’i urdhërojë ministrit të Drejtësisë, Blerim Bexheti, fillimin e procedurës për lirimin e gazetarit për shkak të vlerësimit se ai nuk ka bërë asnjë shkelje që të dënohej me burg.

Një kërkesë të tillë, kreu i shoqatës, Naser Selmani, e përsëriti edhe pas takimit të së premtes me Avokatin e Popullit, Ixhet Mehmeti.

“Rastin me gazetarin Kezharovski do ta mbajmë gjallë derisa nuk arrijmë një zgjidhje për lirimin e tij. Në bazë të ligjit, procedurën për lirimin e tij e inicion ministri i Drejtësisë, i cili më pas kërkesën e paraqet te presidenti i shtetit, që edhe sjell vendimin përfundimtar. Ne kërkojnë që të fillojë të zbatohet kjo procedurë dhe gazetari të lirohet, pasi është i pafajshëm”, u shpreh Selmani.

Ai tha se nga Avokati i Popullit ka kërkuar që të ndërhyjë tek institucionet që Kezharovski të ketë trajtim të mirë, me qëllim që mbajtja e tij në arrest të mos shndërrohet në burg, derisa rasti nuk merr epilogun përfundimtar.

Nga ana tjetër, Avokati i Popullit, Ixhet Mehmeti, tha se me kërkesë të familjarëve të gazetarit, zyra që ai drejton, ka hapur procedurën për të ndjekur çdo veprim të institucioneve tjera lidhur me këtë rast, ndërsa shpreson që gjyqësori nuk do të ndikohet nga instanca të caktuara lidhur me këtë rast dhe punën e tij do ta kryejë në mënyrë profesionale.

“Shpresoj se instancat gjyqësore me të vërtetë në mënyrë shumë profesionale do të mund ta udhëheqin këtë proces që të mos ndikohen nga ndasitë, që të mos ndikohen nga emocionet, por më të vërtetë të sundojë ligji, e jo individët“, u shpreh Mehmeti.

Nga reagimet e institucioneve tjera, deri më tani veçohet vetëm ajo e Gjykatës Themelore të Shkupit, e cila edhe ka dënuar Kezharovskin.

Përveç që ka hedhur poshtë kritikat e gazetarëve, kjo gjykatë në komunikatën e saj kishte kërkuar “edukimin e disa gazetarëve që të kenë për bazë ligjin dhe faktet për atë që shkruajnë.

Por, nga ana tjetër, lidhur me dënimin e shqiptuar nga ana e kësaj gjykate, edhe të premten pati reagime të shumta nga organizatat ndërkombëtare. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me seli në New York, ftoi autoritetet maqedonase që menjëherë ta lirojnë Kezharovskin.

Presim që gjyqësia maqedonase të anulojë vendimin dhe të lirohet gazetari“, transmetojnë mediat reagimin e Nina Ognijanovës, koordinatore e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Paraprakisht, kishte reaguar edhe Rrjeti Global i Mbrojtjes dhe Promovimit të Lirisë së Shprehjes, IFEX, duke e cilësuar vendimin si shumë të ashpër dhe të paparë në praktikën evropiane.

Reagime lidhur me rastin Kezharovski, kishte edhe shumë organizata tjera ndërkombëtare, duke theksuar se me veprimet e këtilla kundër mediave, Maqedonia ka hyrë në grupin e vendeve me pushtet autoritar, si Irani, Eritrea e shtete tjera, ku nuk respektohen të drejtat më elementare të lirisë së shprehjes.
XS
SM
MD
LG