Ndërlidhjet

EULEX reagon pas incidenteve në veri


Shefi i misionit të EULEX-it, Bernd Borchardt
Shefi i misionit të EULEX-it, Bernd Borchardt
Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit, EULEX ka sqaruar angazhimin e djeshëm të këtij misioni, pas incidenteve në veri.

"EULEX-i i është përgjigjur menjëherë sulmit në qendrën e votimit në veri të Mitrovicës dhe ka dhënë mbështetje shtesë për Policinë e Kosovës në mënyrë që ta sigurojë stafin e OSBE-së dhe Misionit Vëzhgues të BE-së, që kanë qenë të pranishëm atje", sqaron EULEX.

"Qëllimi strategjik ishte ndalimi i sulmeve në stacionet tjera në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe gjetkë në veri të Kosovës. Kjo, në mënyrë efektive ka ndalur përshkallëzimin e dhunës dhe pengimin e mëtejshëm të procesit të votimit”, thotë EULEX.


Tutje, misioni i BE-së në Kosovë, sqaron se “Nga vendvotimet në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, EULEX ka shoqëruar personelin e OSBE-së, së bashku me kutitë e votimit, për në qendrën e numërimit në jug. Gjatë shoqërimit të stafit të OSBE-së nga Zveçani, automjetet e EULEX-it janë sulmuar me gurë, dhe një makinë ka pësuar dëme të vogla. EULEX-i është duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës në identifikimin e personave që kanë kryer sulmet mbi qendrat e votimit”.

EULEX thotë se i ka siguruar kutitë e votimit që përmbajnë një numër pozitivisht të lartë të votave të njerëzve që kanë dalë në zgjedhje.

Ngjarjet e djeshme, misioni i EULEX-it i konsideron si sulme të drejtpërdrejta mbi demokracinë, pasi sipas këtij misioni, ato kanë për qëllim pengimin e njerëzve në ushtrimin e të drejtave të tyre themelore, për të votuar për përfaqësuesit e tyre.
XS
SM
MD
LG