Ndërlidhjet

Biobanka në Kosovë?


Ilustrim
Ilustrim
Biobankat janë banka biologjike, ku bëhen koleksione mostrash biologjike si dhe mblidhen të dhënat nga pacientët, që ruhen në format analitik, derisa qëllimi i tyre është hulumtimi shkencor.

Qëllimi i hapjes së Biobankave, është që të mblidhen mostra nga pacientët, të sëmurët, si dhe vullnetarët, në mënyrë që të ndihmohet në kërkimin shkencor të faktorëve të ndryshëm që ndikojnë në jetën e njeriut.

Mikrobiologu Lul Raka, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se së fundmi janë mbajtur takime me qëllim bashkëpunimi mes Universitetit të Gracit të Austrisë me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Universitetit Mjekësor të Tiranës.

"Në kuadër të projektit shkencor Conekt është bërë bashkëpunimi dhe transferi i njohurive ndërmjet Austrisë, Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e Biobankave. Qëllimi I Biobankave janë hulumtimet shkencore. Ajo që është e rëndësishme tek ne është se ne kemi mostra të sëmundjeve, si ato të etheve hemoragjike, të brucelozës e që janë të rralla dhe janë të vlefshme për shtetet e Evropës Perëndimore".

"Dhe qëllimi është që të mblidhen edhe mostra nga pacientët , të sëmurët vullnetarët, në mënyrë që të ndihmohet në kërkimin shkencor të faktorëve të ndryshëm që ndikojnë në jetën e njeriut", tha Raka për Radion Evropa e Lirë.

Por sa ka gjasa që Kosova ta ketë një biobankë, flet ministri i Shëndetësisë Ferid Agani.

"Në këtë fazë legjislacioni i Kosovës nuk është komplet dhe nuk e mbështet themelimin e biobankave në Kosovë për ruajtjen e shkaktarëve të ndryshëm, por realizohen në bashkëpunim me institucionet relevante ndërkombëtare."

"Biobanka në kuptim të mostrave, është në funksion dhe ekziston një bashkëpunim mes Instituti Kombëtarë të Shëndetit Publik dhe institucionet relevante ndërkombëtare, ku këto mostra grumbullohen në Kosovë dhe ruhen jashtë shtetit në kushte adekuate dhe në legjislacion me rregullat e atyre vendeve", tha Agani.

Biobankat për Kosovën janë më se të nevojshme, thotë patologia Suzana Manxhuka Kërliu.

Sipas saj hapja e Biobankave do të ndihmonte hulumtuesit e rinj në hulumtimet shkencore nga mostrat e ruajtura dhe do të dihej saktësisht sëmundja.

"Është e rëndësishme sepse do të ishte një qendër ku do të mblidheshin mostrat e indeve të sëmundjeve të ndryshme. Atëherë edhe do të kishim informacione më reprezentative për sëmundshmërinë, apo incidencën e sëmundjes, duke pasur edhe mostrën e tyre ku një gjë e tillë do të tregonte saktësisht përqindjen e sëmundjeve të ndryshme e që do të vlente edhe për Organizatën Botërore të Shëndetësisë . Por ato mostra pastaj do të shërbenin për hulumtime të mëtutjeshme, edhe për Kosovën edhe për vendet e tjera të Evropës", thotë ajo.

Në anën tjetër edhe zoti Raka, pohon se e mira e hapjes së Biobankave është gjithashtu edhe hulumtimi i ndonjë sëmundjeje karakteristike për ndryshimet gjenetike që janë tipike për popullatën në Kosovë.

"Synimi tjetër është zhvillimi i biomarkerëve, pra markerëve biologjik që janë karakteristik për një sëmundje si për shembull kanceri, e që është i shprehur në gjitha vendet. Strukturë e biomarkerëve për një zonë mund të jetë e veçantë në krahasim me strukturën e të sëmurëve me kancer në vende të ndryshme të Evropës. Prandaj këtu edhe në nivel shtetëror është me rëndësi, sepse merren parasysh ndryshimet gjenetike që janë tipike për popullatën në Kosovë", tha Raka.

Sidoqoftë sipas zonjës Manxhuka në institutin e anatomisë patologjike ruhen mostrat, por kushtet nuk janë adekuate për arkivimin e mostrave dhe standardet ndërkombëtare të arkivimit nuk plotësohen.

Zonja Manxhuka shton se që të mbeten mostrat e freskëta duhen kushte adekuate si Biobanka.
XS
SM
MD
LG