Ndërlidhjet

Maqedoni: Opozita, qindra amendamente kundër buxhetit


Ilustrim
Ilustrim
Debati në Komisionet parlamentare për shqyrtimin e projektbuxhetit për vitin 2014, po përcillet me debate të ashpra dhe akuza nga më të ndryshmet ndërmjet partive opozitare dhe shumicës në Kuvend.

Deputetët e opozitës në fjalimet e tyre thonë se parashikimet e buxhetit sërish ngrenë çështjen e një viti më parë, kur buxheti u miratua me incidente të shumta sa që çoi në ndërhyrjen e policisë për miratimin e tij nga shumica parlamentare.

Kryeministri Nikolla Gruevski, në një prononcim ditën e nisjes së debatit, tha se shpreson që të mos përsëritet 24 dhjetori i vitit të kaluar dhe se opozita “ka nxjerrë mësim se një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë”.

Nga ana tjetër, opozita thotë se do të përdorë të gjithë mekanizmat kushtetues për të parandaluar siç shprehet, “vjedhjen dhe varfërimin e qytetarëve të Maqedonisë”.

Të gjitha partitë opozitare së bashku kanë dorëzuar rreth 700 amendamente, për, siç thonë, përmirësimin e buxhetit në të mirë të qytetarëve.

“Ju sot Maqedoninë e keni bërë shtet të rasteve sociale. Në Kushtetutë qëndron se Maqedonia duhet të jetë shtet social, e jo shtet i rasteve sociale. Ne vlerësojmë se buxheti i vitit 2014, është buxhet i varfërisë, buxhet i apatisë, buxhet i shkatërrimit të së ardhmes dhe i thellimit të borxhit të jashtëm të vendit”, thotë Marjanço Nikollov, nga Lidhja social-demokrate e opozitës.

Projektbuxheti kritikohet edhe nga opozita shqiptare, e cila e quan “buxhet antishqiptar“, meqë, sipas saj, në të nuk janë paraparë fonde për zhvillimin e zonave të banuara me shqiptarë, si dhe për veprimtaritë arsimore, kulturore etj.

“Mendoj se edhe ky propozim-buxhet flet se vazhdohet me mentalitetin se pronarë në këtë shtet janë maqedonasit dhe ne jemi shërbëtorët e tyre. PDSH-ja vazhdon të vlerësojë se ky mentalitet dhe kjo mënyrë e të vepruarit duhet patjetër të ndryshojë. Buxhetin, por edhe çështjet tjera Maqedonia duhet t’i miratojë në bazë të parimit të konsensusit etnik, pasi nuk ka perspektivë funksionimi i këtillë”, konsideron kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Por, nga qeveria hedhin poshtë pohimet e tilla duke thënë se me buxhetin nuk bëhet ndarje në baza etnike dhe se aty janë paraparë fonde për projekte të rëndësishme për shqiptarët, si ndërtimi i zonave të lira ekonomike, ndërtimi dhe meremetimi i shkollave, objekteve kulturore dhe sallave sportive.

Nexhat Jakupi, kryetar i Grupit Parlamentar të BDI-së, thotë se buxheti është miratuar me konsensus në qeveri, andaj edhe partitë në pushtet nuk kanë dorëzuar amendamente.

“Ne nuk kemi parashtruar amendamente për këtë buxhet, meqë ai është harmonizuar paraprakisht në qeveri dhe eventualisht në qoftë se paraqiten nevoja për të plotësuar amendamentet, apo për të pranuar eventualisht ndonjë amendament nga opozita, atëherë ne mund edhe të mbështesim ndonjë ndryshim dhe plotësim të buxhetit për këtë vit”, shprehet Jakupi.

Ministri i Financave, Zoran Stavreski, thotë se pretendimet e opozitës për përkeqësimin e gjendjes ekonomike, nuk qëndrojnë, meqë, sipas tij, parashikimet e buxhetit janë reale.

Gjatë vitit të ardhshëm, qeveria planifikon të harxhojë 2.8 miliardë euro, ndërsa do të grumbulloj 2.5 miliardë. Deficiti prej 300 milionë eurosh pritet të mbulohet nga burime të ndryshme financiare nga vendi dhe jashtë tij.

“Edhe gjatë vitit të ardhshëm do të kemi në një numër të madh të investimeve të jashtme. Kjo, si edhe zhvillimet tjera, na bëjnë të besojmë se ekonomia e Maqedonisë do të vazhdojë të shënojë rritje. Duke marrë këtë për bazë, ne edhe kemi bërë projektimet për rritje të ekonomisë prej 3.2 për qind, ndërsa inflacioni do të mbetet në nivelin prej 3.3 për qind“, thotë Stavreski.

Shqyrtimi i buxhetit në Komisionet Parlamentare është paraparë të zgjasë gjithsej 10 ditë, pesë për debat dhe pesë për amendamentet, por sipas opozitës, nëse secili deputet i saj do të paraqitet për debat, atëherë vetëm për amendamente do të nevojiten të paktën 12 ditë.
XS
SM
MD
LG