Ndërlidhjet

Pastrimi i Fukushimës hyn në fazë kritike


Centrali Fukushima
Centrali Fukushima
Centrali Fukushima Daiçi i Japonisë është sërish në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, pasi operatori i tij ka hyrë në fazën më kritike të pastrimit të lokacionit.

Inxhinierët kanë nisur të hënën të nxjerrin 22 tuba me karburante uraniumi, nga 1,500 sa ka shpenzuar njëri prej reaktorëve të dëmtuar, nga tërmeti dhe cunami i vitit 2011.

Operacioni shihet si hap i ndërlikuar, por thelbësor.

Mycle Schneider, konsulent i pavarur ndërkombëtar për politikat bërthamore, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se largimi i 400 tonelatave të uraniumit të shpenzuar, të mbledhur aktualisht në një pishinë brenda Njësisë 4, është çështje urgjente.

“Sasia totale e radioaktivitetit në atë pishinë është përafërsisht e barabartë me inventarin radioaktiv të tri pishinave të tjera të Fukushimës. Bëhet fjalë për dhjetëra herë sasi më të madhe të ceziumit sesa ajo që është lëshuar gjatë aksidentit të Çernobilit. Rreziku është se në rast të një tërmeti tjetër, uji në pishinë do të rrjedhë jashtë”, thotë Schneider.

Bërthamat në Njësitet numër 1, 2 dhe 3 kanë përjetuar shkrirje, pasi centrali është goditur nga tërmeti dhe cunami.

Largimi i tubave të karburanteve nga ndërtesa është bërë i mundur pas shumë riparimeve dhe planifikimeve. Punëtorët kanë forcuar ndërtesën e dëmtuar dhe e kanë mbuluar atë me një kulm çeliku.

Dale Klein është ish-udhëheqës i Komisionit të Rregullatorit Bërthamor të Shteteve të Bashkuara dhe tani kryetar i Komitetit Monitorues të Kompanisë Tokyo Electric Power. Ai thotë se heqja e karburantit do të ishte “moment historik” në pastrimin e lokacionit të Fukushimës.

“Inxhinierët kanë qenë shumë kreativë në ndërtimin e pajisjes së re për karburantin e shpenzuar në pishinën numër 4. Mendoj se ka qenë punë e vështirë, përkushtim dhe kreativitet i punëtorëve për të larguar karburantin e shpenzuar në mënyrë të sigurt”, thotë Klein.

Kreu i centralit Fukushima Daiçii, Akira Ono, u ka thënë gazetarëve më 7 nëntor se firma pret që operacioni të kalojë pa probleme.

“Në thelb, jemi duke ndërmarrë të njëjtit hapa që kemi aplikuar edhe në çmontimin e objekteve të tjera bërthamore. Pra, jemi duke bërë një punë me të cilën kemi përvojë”, ka thënë Ono.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se largimi i tubave të karburantit nga Fukushima Daiçi vjen me rrezik të konsiderueshëm.

“Rrezatimi i lartë është faktor kritik”, thotë Komei Hosokawa, profesor i sociologjisë ambientaliste në Universitetin Kyoto Seika të Japonisë.

Pishina është pastruar, duke përdorur një pastrues nënujor me vakuum. Por, pjesë të imta të mbeturinave edhe mund të kenë mbetur. Ka po ashtu shqetësime se disa tuba mund të jenë dëmtuar dhe rrjedhin kur të lëvizin nga vendi.

Kompania që menaxhon centralin, Tocio Electric Power, shpreson që të përfundojë këtë detyrë deri në fund të vitit 2014, por ekspertët paralajmërojnë se çdo aksident mund të shkaktojë vonesa të konsiderueshme në procesin e çmontimit.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG