Ndërlidhjet

Analistët parashohin ashpërsim të fjalorit politik


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Më 1 dhjetor, në 25 komuna të Kosovës do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komunash.

Njohësi i çështjeve politike, Shpend Kursani, thotë se balotazhi do të bëjë një rirenditje të subjekteve politike më të saktë, por sipas tij, nuk do të ketë ndryshime të mëdha.

“Në përgjithësi, nga renditja e kandidatëve, nuk pres ndonjë ndryshim shumë të madh, megjithatë pres një rezultat shumë të afërt të kandidatëve”, thotë Kursani.

Ai konsideron se gjatë 5 ditëve të javës së ardhshme, sa do të ketë fushatë për balotazh, do të vërehet një ashpërsim i fjalorit politik.

“Ashpërsimi i debateve pritet sidomos në ato qendra ku rezultati është shumë i ngushtë, për shembull në Pejë, por edhe në Gjakovë. Kur jemi tek ashpërsimi i gjuhës, nuk do të thosha se do të jetë uniformë në të gjitha qendrat. Edhe në Prishtinë duket se të dy kandidatët janë komod edhe me ato çka i kanë fituar deri me tani dhe kanë një nivel tjetër dhe një kapacitet tjetër për dallim nga komunat e tjera”, konsideron Kursani.

Në anën tjetër, njohësi tjetër i zhvillimeve politike, Imer Mushkolaj, vlerëson se do të jetë shumë e rëndësishme që edhe procesi zgjedhor për balotazh të përfundojë i qetë dhe i rregullt.

Mushkolaj, megjithatë, thotë se në disa komuna të mëdha të vendit, do të ketë ndryshime dhe nuk përjashton mundësinë e ashpërsimit të fjalorit politik.

“Unë pres që gjuha të ashpërsohet, sidomos duke pasur parasysh se ndryshe nga zgjedhjet e 3 nëntorit, ku në garë kishte më shumë kandidatë, tash në garë kemi vetëm nga dy kandidatë për kryetar komune. Me këtë logjikë, ata do të zbrazin gjithë arsenalin që e kanë karshi kundërshtarëve. Natyrisht, nuk do të doja që kjo gjuhë e ashpër të kalojë në diçka tjetër”.

“Megjithatë, në komunat, të cilat janë shumë të rëndësishme për partitë kryesore, unë konsideroj se denigrimi i kandidatëve, gjuha e ashpër, akuza të ashpra do të vazhdojnë dhe do të përdoret çdo mjet që kundërkandidati të vihet në pozitë të palakmuar karshi votuesve të tij”,
thekson për Radion Evropa e Lirë, Mushkolaj.

Analistët vlerësojnë se kritikat, akuzat dhe ashpërsimi i fjalorit politik ndërmjet kandidatëve për kryetar komune nuk do t’i kontribuojnë zhvillimit të përgjithshëm të vendit, aq më pak procesit zgjedhor dhe vetë partive politike.

Sidoqoftë, njohësit e proceseve zgjedhore dhe zhvillimeve politike në vend, presin që të paktën problemet, të cilat i kanë përshkuar zgjedhjet e 3 nëntorit, si ato në veri të Mitrovicës, tendenca e manipulimeve për të treguar se për kë duhet votuar, të mos përsëriten.

Ata theksojnë se liderët partiakë edhe kësaj radhe duhet t’ua bëjnë të qartë të gjithë militantëve, e komisionarëve se vota e lirë nuk bën të preket dhe të abuzohet me të.
XS
SM
MD
LG