Ndërlidhjet

Votimi në Mitrovicën e veriut, pa incidente


Votimet në Mitrovicën e veriut
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:35 0:00

Votimet në Mitrovicën e veriut

Në Mitrovicën e veriut, ka përfunduar procesi i votimeve për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, si dhe në Zveçan, ku janë përsëritur zgjedhjet në tri vendvotime.

Në 33 vendvotime në Mitrovicën e veriut qytetarët kanë votuar për kryetar të kësaj komune, ndërkaq për këtë post kanë garuar në balotazh, Krstimir Pantiq nga Iniciativa qytetare Serbe, dhe Oliver Ivanoviq nga Iniciativa qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia”.

Në Zveçan kanë garuar për kryetar të komunës, Vuqina Jankoviq, nga Iniciativa qytetare Serbe dhe Nebojsha Vlajiq nga Iniciativa qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se përqindja e qytetarëve me të drejtë vote, të cilët kanë votuar deri në orën 19, në Mitrovicën e veriut është 17,26 për qind.
Ndërkaq, dalja e votuesve në tri vendvotime në Zveçan ku zgjedhjet përsëriten, deri në orën 19 është 36.42 për qind.

Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim i Evropës, i cili ka lehtësuar procesin zgjedhor në veri të vendit, është shprehur i kënaqur me zhvillimin e procesit zgjedhor në dy komunat veriore të Kosovës.

Shefi i këtij misioni Zhan –Klod Shlumberger ka theksuar se votat do të numërohen në vendvotime dhe se lidhur me këtë çështje vendimi i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Qëllimi është që votat të numërohen në vendvotime, natyrisht në përputhje me qëndrimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,”, ka theksuar Shlumberger, duke shtuar se megjithatë kjo do të varet edhe nga situata e sigurisë. Ai vlerësuar atmosferën të qetë dhe të sigurt.

Ndryshe, pas zgjedhjeve të përsëritura më 17 nëntor në Mitrovicën e veriut, kutitë e votimeve ishin bartur nga vendvotimet në Qendrën për Numërim dhe Rezultate në Fushë Kosovë. Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve këtë veprim e kishin arsyetuar, siç kanë thënë “për shkaqe sigurie”, gjë të cilën e kishte rekomanduar edhe misioni i OSBE-së në Kosovë.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë theksuar se për ruajtjen e sigurisë, në afërsi të qendrave të votimit në veri të vendit, për datën 1 dhjetor kanë qenë të angazhuar mbi 300 pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Zeljko Bojiq, shef i operativës në Policinë e Kosovës, për regjionin e Mitrovicës, ka thënë se procesi zgjedhor ka kaluar pa probleme të aspektit të sigurisë:

“Situata e sigurisë është mirë. Në orën 4 e 40 minuta të mëngjesit është nisur në përcjellje të materialit zgjedhor, i cili është përcjellë deri të gjitha vendvotimet, pa probleme. Më pas, policia i ka siguruar të gjitha vendvotimet. Sipas planit operativ, janë angazhuar 326 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, si dhe një njësi për intervenim, e cila është e gatshme të reagojë për çdo nevojë që paraqitet”, ka theksuar Bojiq.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës, gjithashtu, kanë njoftuar se i gjithë procesi zgjedhor ka kaluar pa asnjë incident në Mitrovicën e veriut.

Në anën tjetër, një numër i qytetarëve serbë të Mitrovicës së veriut, tashmë kanë realizuar të drejtën e tyre për të votuar.

Ljubisha Petroviq, pasi që ka votuar, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se për të nuk ishte e shumë e rëndësishme se kush do t’i fitojë zgjedhjet, por siç ka theksuar ai, me rëndësi ishte që serbët të qëndrojnë në Mitrovicën e veriut dhe të vazhdojnë të jetojnë aty një jetë më të mirë.

“Po të mos prisnim diçka të tillë, ne fare nuk do të dilnim të votonim, kështu në mënyrë masive. Fillimisht, duhet të fillojë të mbretërojë ligji në qytet, sepse cilido ligj është më i mirë, se sa të mbretërojë jo ligjësia. Presim pastaj që të përmirësohet infrastruktura, punësimi dhe të ketë investime”, ka thënë Petroviq.

Marko Nikoliq, po ashtu qytetar serb nga Mitrovica e veriut, pasi që ka votuar, ka vlerësuar se është një listë e gjatë e gjërave, të cilat duhet të përmirësohen pas zgjedhjeve:

“Para së gjithash, presim përfundimin e procesit zgjedhor dhe më pas formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe. Mungon shumë çka dhe është një listë e gjatë e gjërave që duhet të bëhen. Presim ndryshime, por kjo varet nga ajo se cilët njerëz do të vijnë në krye të qytetit”.

Një qytetare tjetër nga Mitrovica e veriut, Verica Pavloviq, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se kishte ardhur nga Krushevci, qytet në Serbi, për të votuar në vendlindje:

Kam dashur të votoj. Kjo është e drejtë e imja qytetare dhe kam të drejtë të votoj për të ardhmen e të gjithë fëmijëve, që jeta e tyre të jetë më e mirë, të jetojnë në paqe dhe të kenë gjumë të qetë dhe të arrijnë deri te punësimi, të gjithë ata”.

Ndryshe, të drejtën për të votuar në zgjedhjet komunale për kryetar të Mitrovicës e kishin 27 mijë e 915 qytetarë.
XS
SM
MD
LG