Ndërlidhjet

Gërmimet në Rashkë: Prishtina akuzon palën serbe për mosbashkëpunim


Lokacioni i dyshuar si varrezë masive n5 Rashkë
Lokacioni i dyshuar si varrezë masive n5 Rashkë
Gërmimet në një lokacion të dyshuar si varrezë masive në Rashkë të Serbisë, nuk kanë filluar të martën sikur që ishte paralajmëruar.

Ekipet e ekspertëve nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore dhe atyre të misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, ishin në vendin e ngjarjes, por janë përballur me vonesa.

Në një komunikatë të Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë thuhet se vonesat ishin pasojë e, siç u tha, "mos-bashkëpunimit të palës serbe, e cila nuk ka shprehur gatishmëri për të ofruar mjetet e punës, të cilat janë të domosdoshme për fillimin e gërmimeve".

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, pjesëtar i ekipit për hulumtimin e këtyre tri lokacioneve të dyshuara në Rashkë, tha për Radion Evropa e Lirë se lokacionet janë afër njëra tjetrës.

“Lokacioni është në vendin rreth 20 m metra larg nga vendi i mëhershëm i hapur, ku ishte filluar të punohej para dy muajsh, por që ishte ndërprerë për shkak të kërkesës së palës serbe".

"Sot, do të fillojmë përsëri, që të hyjmë në një thellësi më të madhe, pasi që kjo është njëra nga pikat e dyshuara. Ne i kemi tri pika të dyshuara dhe kjo është e para ku jemi duke punuar dhe do të punojmë gjatë 5 ditëve të ardhshme”,
ka theksuar Gërxhaliu.

Ai ka shtuar se gërmimet fillimisht do të zgjasin vetëm 5 ditë, vetëm sa për të parë vërtetësinë e informacionit lidhur me vendin e lokalizuar.

“Është me rëndësi që të gjejmë një dëshmi në vendin e saktë të varrezës, sepse dihet fare mirë që ne këtu presim një numër relativisht të madh [të trupave]. Duke u bazuar edhe në atë që pati thënë para tre vitesh zoti Vekariq [Bruno Vekariq prokuror për krime lufte në Serbi] këtu pritet të jenë nga 250 deri në 450 trupa”, theksoi Gërxhaliu.

Ai ka shtuar se nëse gërmimet rezultojnë negative, atëherë pritet që në pranverën e vitit të ardhshëm të hapen edhe dy lokacionet tjera të dyshuara si varreza masive.

Ndryshe, me kërkesën për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, është shënuar të martën edhe Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut nga Nisma e të rinjve për të drejtën humanitare e Kosovës, si dhe nga asociacionet e familjarëve të personave të pagjetur.

Haki Kasumi, kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacionit të Familjarëve të Pagjeturve e shpjegon simbolikën përmes së cilës familjarët e të pagjeturve shprehin pakënaqësinë e tyre.

“Nisma e të rinjve për të drejtën humanitare e Kosovës ka bërë një performansë para ndërtesës së qeverisë, ku ka mbushur 1 mijë e 721 balona me shenjën ‘pikëpyetje’ (?), që simbolizon kërkesën dhe gjendjen e pakënaqur shpirtërore të familjarëve, të cilët kërkojnë njerëzit e tyre tash e 14 vjet”, u shpreh Kasumi.

Kasumi gjithashtu ka shprehur mendimin se çështja e ngecjes së gërmimeve në Rashkë, sipas tij, është vazhdim i, siç e quan ai lojës së Serbisë.

Po të mos ishte kjo lojë kjo, ashtu si ne dyshojmë... Këtu, konsideroj se qëndrojnë dhe fshihen arsye dhe interesa politike të Serbisë dhe ata presin momente të volitshme, për të fituar favore politike nga bashkësia ndërkombëtare dhe realizim të synimeve të tyre që të aderojnë, padrejtësisht, në Bashkimin Evropian. Konsideroj se pa një ndryshim të qasjes ndaj të drejtës humanitare, por dhe për shkak të kaluarës së tyre të errët, ata nuk do të duhej të ishin pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Kasumi.

Sipas të dhënave zyrtare, të publikuara në gusht të këtij viti, në Kosovë llogariten ende si të pagjetur 1,727 persona, që nga periudha e luftës së fundit.

Por, përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur, thonë se ky numër aktualisht ka rënë për 6 persona më pak.
XS
SM
MD
LG