Ndërlidhjet

Bizneset u ikin obligimeve shtetërore


Kosovo -- A man works at a textile factory near the southern town of Dragash, 25Jan2013
Kosovo -- A man works at a textile factory near the southern town of Dragash, 25Jan2013
Konkurrenca jo fer, që rrjedh nga evazioni fiskal dhe nën deklarimi i punëtorëve është përmendur nga bizneset në Kosovë si barriera më e lartë në të bërit biznes.

Krahasuar me studimet paraprake, të cilat vlerësojnë barrierat e të bërit biznes, intensiteti i këtij perceptimi është rritur, gjë që tregon se konkurrenca jo fer në të bërit biznes në Kosovë është problem shumë serioz.

Këto vlerësime kanë dalë nga një analizë e bërë nga Instituti “Riinvest, mbi nivelin e evazionit fiskal dhe informalitetit në fuqinë punëtore.

Sipas të dhënave të studimit, menaxherët dhe pronarët e bizneseve besojnë se mesatarisht bizneset në industrinë e tyre raportojnë rreth 65.6 për qind të shitjeve që do të thotë se 34.4 për qind të shitjeve nuk deklarohen

Mbi 60 për qind e bizneseve të anketuara, besojnë se nëse ata vendosin t’i ikin taksave ata mund të bëjnë këtë gjë shumë lehtë, dhe pa u zënë nga autoritetet.

Tendencat e evazionit fiskal është më shumë i shprehur te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, se sa te bizneset e mëdha.

Të dhënat e llogaritshme janë mbledhur përmes anketës me 600 biznese në Kosovë, biznese këto të cilat janë zgjedhur nga baza e të dhënave e Administratës Tatimore e Kosovës (ATK).

Drejtori i Instituti “Riinvest”, Lumir Abdixhiku thekson se evazioni dhe informaliteti janë barrierat kryesore në të bërit biznes në Kosovë.

“Informaliteti dhe evazioni fiskal rëndojnë stabilitetin shoqërorë, meqenëse më shumë evazion dhe më shumë informalitet do të thotë më pak të hyra buxhetore, rrjedhimisht më pak institucione publike që përkrahin zhvillimin e tregut në Kosovë. Së dyti ato ofrojnë motive destruktive për bizneset që të mbesin të vogla dhe të mos shfrytëzojnë mundësitë e rritjes për të kamufluar gjithmonë këto aktivitete jo legale”, thekson Abdixhiku.

Bizneset janë kontribuues të mëdhenj të buxhetit të shtetit, dhe nëse shitja nuk deklarohet. Do të thotë që të mirat dhe shërbimet të cilat shteti ju ofron qytetarëve nga kontributet e bizneseve janë më tepër se për një të tretën më të ulëta se sa që mund të jenë.

Rajoni i Gjilanit në këtë studim, paraqitet si rajoni me evazionin më të lartë të taksave me rreth 60 për qind të shitjeve të padeklaruara, ndërsa rajoni me më së paku evazion është ai i Gjakovës me vetëm 20 për qind të shitjeve të padeklaruara.

Ministri i Financave, Besim Beqaj duke bërë një karahazim me vitet e paraprake ka theksuar se evazioni fiskal në Kosovë viteve të fundit ka shënuar rënie.

Të hyrat tatimore gjatë viteve të kaluara janë rritur në masë të konsiderueshme. Shifrat e rritjes së të hyrave nga ATK dhe Doganat në buxhet janë më të mëdha sesa shifrat e hyrjes në bazë të rritjes ekonomike, që do të duhej të rezultonte. Përafërsisht janë dyfishuar dhe kjo tregon se është një funksionim më i mirë dhe një kthim i një pjesë të ekonomisë informale në ekonominë formale”, bën të ditur Beqaj.

Ministri Beqaj, bën thirrje që të mos flitet për ekonominë informale vetëm sa për të thënë diçka, por të japin raste konkrete.

Në anën tjetër, menaxheri për Kosovë i Bankës Botërore Jan Peter Oltres ka theksuar se nëse raporti i “Riinvest”, i titulluar "Të paguash apo të mos paguash" është i drejtë, atëherë nuk është një situatë e mirë për ekonominë e Kosovës.

“Nëse ky raport është i drejtë ku thuhet se informaliteti në Kosovë nuk është vetëm një problem serioz, por një problem në rritje, në këtë rast do të shohim efektet e një rrethi vicioz”, vlerëson Oltres.

Ky raport po ashtu konstaton informalitet të lartë në fuqinë punëtor. Menaxherët dhe pronarët e intervistuar besojnë se bizneset në industrinë e tyre raportojnë në mesatare 63 për qind të punëtorëve të tyre, kjo do të thotë që në mesatare 37 për qind e fuqisë totale të punëtorëve nuk raportohet.

Për evazionin fiskal dhe informalitetin për fuqinë punëtore janë shprehur mjaft kritik përfaqësues të opozitës. Ata kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrin masa konkrete në luftimin e këtyre dukurive.
XS
SM
MD
LG