Ndërlidhjet

Me apo pa presion - opozita kundër ulëseve të rezervuara


Kuvendi i Kosovës (Foto arkiv)
Kuvendi i Kosovës (Foto arkiv)
Kohëzgjatja prej dy mandatesh e ulëseve të rezervuara për minoritete, e përcaktuar sipas Planit të Ahtisarit, skadon pas mandatit të tanishëm, por përfaqësuesit e serbëve kanë kërkuar vazhdimin e mandatit për ulëset e rezervuara.

Kjo ka nxitur debate dhe kundërshtime ndërmjet partive politike në Kosovë, ndërkohë që ka pasur edhe preferenca të faktorëve të caktuar ndërkombëtarë, të përfaqësuar përmes ambasadave, që sugjerojnë se mandati i tillë duhet vazhduar.

Ekspertët e çështjeve juridike - kushtetuese, por edhe shoqëria civile, ka në reaguar duke thënë se vazhdimi eventual i mandatit për ulëset e rezervuara për minoritete, bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Si rrjedhojë e kësaj, siç kanë thënë ata, në qoftë se partitë politike parlamentare arrijnë konsensus për një gjë të tillë, atëherë nevojiten ndryshimet kushtetuese.

Debatet ndërmjet liderëve të partive politike lidhur me çështjen e reformës zgjedhore dhe ndryshimeve eventuale kushtetuese, janë pasqyruar edhe në rrjetet sociale.

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës dhe njëherësh kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi, në faqen e tij zyrtare në rrjetet sociale, ka theksuar se “reforma zgjedhore është e nevojshme dhe e domosdoshme. Është edhe pjesë e agjendës së integrimit evropian”.

Ai e ka ftuar shoqërinë civile, të gjitha personalitetet publike dhe mediat që ta japin kontributin e tyre, i cili, siç thuhet, është tejet i rëndësishëm.

“Pa ndryshime kushtetuese nuk mund të ketë reformë të mirëfilltë zgjedhore”, ka shkruar kryeministri Thaçi në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Në të njëjtin rrjet social, në faqen zyrtare, ka shkruar edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili ka vlerësuar se “reforma zgjedhore mund të përmbyllet me disa ndryshime, të cilat do të përmirësonin sistemin e tanishëm zgjedhor, por që nuk kërkojnë ndryshime kushtetuese”.

“Hapja e Kushtetutës dhe e ndryshimeve të saj, në fund të mandatit të këtij legjislacioni, konsideroj se është një proces joracional dhe shumë vështirë i realizueshëm”, ka shkruar Mustafa.

Ndryshe, debate lidhur me çështjen e vazhdimit ose jo të mandatit për ulëset e rezervuara për minoritete, janë zhvilluar edhe ndërmjet përfaqësuesve të grupeve më të fuqishme parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Adem Grabovci, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, ka theksuar se qëndrim i kësaj partie është respektimi i ligjeve të Kosovës dhe se çdo vendim dhe marrëveshje në përputhje me këto ligje, përkrahet nga kjo parti. Sipas tij, kjo çështje kërkon pëlqimin e partive politike.

“Kjo është çështje që kërkon konsensus dhe nëse liderët e partive politike bien një vendim, ne kemi besim të plotë se asnjëri prej tyre nuk vepron kundër interesave të qytetarëve të Kosovës, kundër interesave të shtetit të Kosovës, por në përputhje me këto interesa. Përderisa ne e kemi këtë besim, normalisht se ne e përkrahim çdo vendim që bien ata”, ka thënë deputeti Grabovci.

Por, Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, subjektit më të madh opozitar në Kuvendin e Kosovës, ka theksuar se ky subjekt nuk sheh asnjë arsye, nevojë dhe mundësi, që, siç ka thënë ai, 10 vende të rezervuara të jenë për komunitetin serb.

Ismet Beqiri
Ismet Beqiri
“Ne jemi që të respektohet Kushtetuta e Kosovës. Kushtetuta e thotë qartë se ato dy mandate i kanë përmbushur dhe nuk ka nevojë, nuk është e ligjshme që të ketë kërkesa të tilla. Ne, si subjekt politik, si LDK, e kemi analizuar edhe në Grupin tonë Parlamentar, por edhe si parti politike, dhe ne nuk e shohim asnjë arsye që të ketë vazhdim të mandateve të rezervuara për komunitetin, në këtë rast, serb. Me apo pa presion, ky është qëndrimi i LDK-së”, ka theksuar deputeti Beqiri.

Qëndrim kundërshtues ndaj vazhdimit të mandatit të ulëseve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës për komunitetet pakicë, ka deklaruar edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj lëvizjeje, Visar Ymeri, ka arsyetuar se kundërshtimi i tyre është parimor.

“Qëndrimi ynë është parimor. Ne konsiderojmë që çfarëdo vendi i rezervuar apo i garantuar për një grup të qytetarëve të Kosovës, është shkelje e parimit të Republikës dhe parimit të demokracisë, sepse është shkelje e parimit të barazisë, mbi të cilin pastaj edhe ndërtohet Republika”, është shprehur deputeti Ymeri.

Ditë më parë, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracy Jacobson, ka deklaruar për një medium vendor në Kosovë se e mbështet vazhdimin e ulëseve të rezervuara edhe për mandatin e ardhshëm.

Ajo ka vlerësuar se “ulëset e rezervuara janë një çështje e ndjeshme”, por ka shprehur mendimin se “do të kishte kuptim që të vazhdohet me ulëset e rezervuara për mandatin e ardhshëm”.

Megjithatë, Jacobson ka theksuar se lidhur me këtë çështje, u takon autoriteteve të Kosovës që të vendosin.
XS
SM
MD
LG