Ndërlidhjet

Shkup: Dhuna ndëretnike, gjysma e rasteve të pandriçuara


Incidentet ndëretnik i ndohur në autobus, Shkup 2013.
Incidentet ndëretnik i ndohur në autobus, Shkup 2013.
Gjatë vitit 2013 në Maqedoni janë regjistruar 160 incidente ndërmjet të rinjve maqedonas dhe atyre shqiptarë, në autobusë, pas ndeshjeve sportive ose në rrugët e qytetit, ndërkohë që vetëm 50 për qind e tyre janë ndriçuar tërësisht. Më saktësisht janë ndriçuar 86 raste, bën të ditur dikasteri i policisë së Maqedonisë.

Zemri Qamili, zëvendësministër i Punëve të Brendshme ka thënë se në kryeqendër është shënuar numri më i madh i incidenteve, me 86 raste, pastaj prin qyteti i Tetovës me 21, dhe Kumanova e Manastiri me nga 16 raste dhune mes të rinjsh.

“Nga këto sjellje të dhunshme, lëndime trupore kanë pësuar 146 nxënës, nga të cilët, 4 me lëndime të rënda trupore. Këtu me qëllim do ta evitoj përbërjen etnike të nxënësve, jo shkaku se njëra palë apo tjetra ka pësuar, por sepse janë nxënës, janë të rinj, janë fëmijë”, është shprehur Qamili.

Por, ndryshe nga ai, kolegu i tij, Qebir Ajvazi, i cili punon në njësinë rajonale të Tetovës, thotë se të gjitha rastet në këtë qytet janë ndriçuar tërësisht, gjë që, sipas tij, ka ndikuar në uljen e numrit të incidenteve ndërmjet të rinjve shqiptarë dhe atyre maqedonas.

“Kur na paraqiten raste të këtilla, mund të flas për sektorin e punëve të Brendshme në Tetovë, ku të gjitha rastet janë të ndriçuara plotësisht. Kur ndodhin raste të këtilla, i gjithë opinioni vëmendjen e ka të fokusuar te Ministria e Punëve të Brendshme”.

“Por, pyetja është se pa ndihmën e qytetarëve, dikasteri i policisë sa mundet me sukses t`i luftojë këto dukuri ku është e pranishme dhuna mes të rinjve? Nëse duam që në të ardhmën të kemi sa më pak raste ku shfaqet dhunë mes të rinjve, veçanërisht në aspektin ndëretnik, duhet të krijohet një partneritet mes qytetarëve dhe policisë. Vetëm ky është model që garanton sukses”, shprehet Ajvazi.

Borçe Davitkovski, dekan i Fakultetit Juridik në Shkup, konsideron se në luftën për të ardhur në pushtet, partitë politike jo rrallëherë vënë në pikëpyetje edhe të ardhmen e të rinjve.

“Roli i partive politike është i pakontestueshëm në parandalimin e dhunës. Po partitë politike kanë dëshmuar se janë të pamëshirshme në luftën për të marrë pushtetin në dorë. Rol të veçantë kanë dhe mediat në këtë drejtim. Ato gjatë referimit të ngjarjeve, nganjëherë nuk japin pasqyrë reale se kush ushtron dhunë dhe kush është viktimë. Pra, për t’u parandaluar dhuna, nevojitet informim objektiv, sepse s`mund të ketë dy të vërteta”, konsideron Davitkovski.

Ndërsa, ish-diplomati Dimitar Mirçev, vlerëson se zhvillimi i balancuar social, është gur-themel për sundimin e paqes dhe sigurisë në shoqëritë multi-etnike.

“Komponenti zhvillimor është bazë për të parandaluar kriminalitetin, pra duhet të punohet për zhvillimin e balancuar të të gjitha etniteteve në një shoqëri, për zhvillimin e balancuar të të gjitha rajoneve, pra mos të ketë dallime. Pa një zhvillim ku do të përfshihen të gjithë në formë të barabartë, problemet në planin afatgjatë nuk do të mund të zgjidhen”, vlerëson Mirçev.

Për Mersim Maksutin, ligjërues në Universitetin Shtetëror të Tetovës, nevojitet një angazhim më i madh i sektorit civil dhe mediave në ngritjen e vetëdijes për tolerancë dhe bashkëveprim mes të rinjve:

“Duhet të përgatitet një strategji gjithëpërfshirëse nga institucionet kompetente në Republikën e Maqedonisë për zbatimin e programeve parandaluese me qëllim të rritjes së sigurisë në shkolla, rrugë, në fushat sportive, pse jo edhe gjatë proceseve zgjedhore”.

Njohësit e problemeve ndëretnike janë të mendimit se “moskoherenca politike” është strumbullari kryesor që gjeneron problem në raportet ndëretnike.
XS
SM
MD
LG