Ndërlidhjet

Tregtia e lirë nuk ka efekt pa prodhim


Kosovë...
Kosovë...
Kapacitetet e pamjaftueshme të prodhuesve kosovarë kanë bërë që marrëveshjet tregtare të arritura mes Kosovës dhe disa shteteve tjera të jenë gati pa ndonjë efekt pozitiv për ekonominë e vendit.

Kosova, deri më tani ka të nënshkruar Marrëveshjen për Tregti të Lirë, CEFTA, një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo marrëveshje si e tillë shumë herë ishte shkelur nga vendet anëtare të saj.

Marrëveshje për tregti të lirë, Kosova ka të nënshkruar edhe me Turqinë, derisa nëse në këtë vit arrihet të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes për Stabilizim Asociim, Kosova do të fitojë qasje të pakufizuar në tregun e BE-së, përveç në disa kategori që BE-ja do të tentojë t’i mbrojë.

Në këtë rast prodhuesit kosovarë do të kenë qasje dhe do të mund të depërtojnë te tregu i BE-së, si të ishte një treg vendor.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikanë të Kosovës, Arian Zeka në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se hyrja në fuqi e këtyre marrëveshjeve do të ketë ndikim më shumë negativ sesa pozitiv.

“Do të ndalem të flas fillimisht për ndikimet pozitive. Kjo do jetë një mundësi më e madhe për prodhuesit kosovarë që të plasojnë produktet e tyre në tregjet e BE-së dhe Turqisë, por në të njëjtën kohë duhet të jemi realist se duke e ditur që e kemi një sektor jo të zhvilluar të prodhimtarisë, ndikimet do të jenë më shumë negative se sa pozitive, për shkak se do të largohen pengesat për importimin pa ndonjë taksë doganore të cilat prodhohen në ato shtete”, bën të ditur Zeka.

Eliminimi i taksës doganore prej 10 për qind në të gjitha produktet që vinë nga shtetet që nënshkruhen marrëveshje për tregti të lirë, sipas Zekës, do të ketë ndikim në mbledhjen të ardhurave për buxhetin e Kosovës.

Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës, janë dy institucionet më të rëndësishme për mbledhjen e të hyrave buxhetore. Sipas projeksioneve të Qeverisë së Kosovës për vitin 2014, duhet të grumbullojnë mbi 1 miliard euro.

Nisur nga fakti se nënshkrimi marrëveshjeve për tregti të lirë ulë nivelin e mbledhjes e të hyrave doganore, Arian Zeka thotë se autoritetet e Kosovës duhet të gjejnë alternativa tjera për mbushjen e arkës shtetërore.

“Duhet të fokusohemi në fuqizimin e kapaciteteve të brendshme të ATK-së dhe institucioneve tjera për zbatimin e ligjit për luftimin e informalitetit dhe rritjen e përpjekjeve për mbledhjen e të hyrave buxhetore brenda kufijve. Natyrisht mbështetja e prodhuesve vendore dhe krijimi i mundësive për rritjen e eksporteve të produkteve kosovare do të t’i sillnin të hyra shtesë vendit. Kjo është ajo që institucionet e vendit duhet të përqendrohen në të ardhmen”, shton Zeka.

Ministria e Financave, thuhet se tani më ka hartuar planin alternativ për zëvendësimin e këtyre të hyrave, duke bërë rritjen e akcizës për disa artikuj të caktuar.

Për gjetjen e mënyrave alternative të mbushjes së buxhetit kanë folur edhe ekspertë të çështjeve ekonomike.

Alban Hasani nga Instituti Riinvest konsideron se hapi i parë që do të duhej ta bënin institucionet e Kosovës karshi mbledhjes më të madhe të të hyrave është minimizimi i ekonomisë së paligjshme.

“Fakti që shumica e buxhetit mblidhet në kufi, e vendos buxhetin e Kosovës në pozitë të pafavorshme, është mënyra më e lehtë për mbledhje, por jo stabile, pasi që me rritjen e nivelit të integrimeve, rëndësia e kufijve do të zvogëlohet dhe për pasojë e rrezikon burimin kryesorë të të hyrave”, thotë ai.
XS
SM
MD
LG