Ndërlidhjet

Maqedoni: Zgjedhjet si interes partiak dhe jo shtetëror


Zgjedhjet në Maqedoni - foto nga arkivi
Zgjedhjet në Maqedoni - foto nga arkivi
Mbajtja eventuale e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me zgjedhjet e rregullta presidenciale, në mars apo fillim të muajit prill, është interes i partive politike, veçanërisht i atyre në pushtet, por jo edhe interes i vendit për shkak të shumë problemeve të pazgjidhura.

Kështu njohësit e çështjeve politike komentojnë njoftimet jozyrtare nga partitë në pushtet për mundësinë e zgjedhjeve të përgjithshme në pranverë.

Denko Malevski, ish diplomat dhe profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Shkupit, thotë se arritja e një konsensusi për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe zhbllokimin e procesit integrues, është shumë me më rëndësi se sa zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Ai thotë se duhet të ketë vetëm zgjedhje presidenciale në të cilat do të hapej debat i gjerë për çështjen e integrimit.

“Mendoj se partive në pushtet i konvenon që të shpërqendrohet vëmendja e opinionit, të shkëputet nga tema e integrimit dhe të merret me çështje të përgjithshme. Konsideroj se partitë kanë marr mandatin që të zgjidhin probleme dhe jo të ikin prej tyre apo të kërkojnë edhe një mandat i cili sërish do t’i linte të pazgjidhura shumë probleme me të cilat përballet vend“, thotë Denko Malevski.

Ndërkohë, analisti politik, Ibrahim Mehmeti thotë se vetë fakti se zgjedhjet e parakohshme pëlqehen nga partitë në pushtet, dëshmon se ato janë më tepër janë të interesuara edhe për një mandat se sa për zgjidhjen e sfidave më të cilat përballet vendi.

“Zgjedhjet e parakohshme zakonisht i inicion opozita dhe është absurde që këto të kërkohen nga pushteti, mirëpo duket qartë se partitë në pushtet vlerësojnë se mund të kenë përfitime më të mëdha politike nëse shkojnë në zgjedhje të parakohshme se sa ti presin ato të rregullta. Por, nëse këtë e shohim nga aspektin i arsyeshmërisë për vendin, për qytetarë, mendoj se është vështirë të gjenden arsye që të na bindin se vërtetë ka nevojë për zgjedhje të parakohshme“, thotë Mehmeti.

Ai shton se VMRO-DPMNE-ja e kryeministrit Nikolla Gruevski i dëshiron më shumë se të gjitha partitë tjera zgjedhjet, e bindur se do të arrijë mbështetje më të madhe që do të e bënte ato të pavarura nga partneri shqiptar gjatë marrjes së vendimeve.

Zdravko Saveski, analist dhe profesor i shkencave politike në Universitetin e Shkupit, thotë se politikanët në Maqedoni janë të pandërgjegjshëm, qoftë edhe për çështjet më elementare.

Veprimet e tilla, sipas Savevskit, mund të shkaktojnë destabilizim të ri të skenës politike.

“Kjo sjellje mendoj se është absolutisht jo logjike shikuar nga këndvështrim i interesave të qytetarëve, nga këndvështrimi i demokracisë pasi partitë duhet të punojnë për zgjidhjen e problemeve dhe jo të ikin prej tyre. Në interes të vendit dhe të qytetarëve është stabiliteti politik dhe jo ngritja e tensioneve për interesa të partive politike. Zgjidhjet janë të vështira, por nëse ekziston vullnet çdo problem mund të tejkalohet dhe jo të kërkohen mënyra tjera për zvarritjen apo moszgjidhjen e tyre“, thotë profesori Zdravko Savevski.

Zyrtarë të lartë të VMRO-DPMNE-së, disa herë publikisht i kanë bërë thirrje opozitës për zgjedhje të parakohshme, por kjo e fundit ka kërkuar krijimin e kushteve për zgjidhje të lira si dhe mbylljen e çështjeve kryesore që kanë të bëjnë para se gjithash me integrimin.

Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e qeverisë, ka thënë se ende nuk ka diskutuar për këtë mundësi, por edhe ajo thotë se është e gatshme për zgjedhje, nëse partitë vendosin për mbajtjen e tyre.

Edhe nga Partia Demokratike Shqiptare e opozitës kanë thënë se janë të gatshme për matjen e forcave në terren.

Ndryshe, sipas kalendarit, zgjedhjet e rregullta parlamentare duhet të mbahen në vitin 2015.
XS
SM
MD
LG