Ndërlidhjet

Maqedoni: Vende të reja pune për të joshur votuesit


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Organizatat e ndryshme joqeveritare dhe partitë politike në opozitë, kanë ngritur zërin ndaj aktiviteteve të shtuara të Qeverisë së Maqedonisë në funksion të fushatës zgjedhore. Aktivitetet përfshijnë vënien e gurëve themeltar, prerjen e shiritave e deri te hapja e konkurseve për vende të reja të punës në kuadër të institucioneve shtetërore.

“Ajo që ne e quajmë me gjuhën e popullit ‘ofensiva e lopatave’ duket qartë se ka marrë hov, sidomos nga ana e drejtuesve të institucioneve shtetërore dhe, për fat të keq, ndryshimet e fundit ligjore, të cilat synonin të parandalonin këtë fenomen, nuk arrijnë të zbatohen në praktikë”, thotë Xhabir Deralla nga organizata Joqeveritare “CIVIL”, e cila ndjek zhvillimet gjatë realizimit të procesit të zgjedhjeve.

Sipas Derallës, asnjë ligj nuk është mjaftueshëm i mirë nëse për të njëjtin nuk ka vullnet politik, veçanërisht nga ana e drejtuesve të institucioneve për ta zbatuar në praktikë.

Do theksuar se ndryshimet e fundi në Kodin Zgjedhor, të cilat morën vizë edhe nga deputetët maqedonas në opozitë, parashikojnë ndalesë për prerjen e shiritave, si dhe vënien e gurëve themeltar për ndërtimet e reja para të buxhetit gjatë periudhës parazgjedhore. Ata, të cilët do të shkelin ligjin, neni 8 i Kodit Zgjedhor parasheh dhe sanksionim me burg.

Nga partia maqedonase në opozitë, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, theksojnë se autoritetet shtetërore nuk hezitojnë për t`i vënë në funksion të fushatës zgjedhore të gjithë mekanizmat, me të cilët disponon edhe kundrejt asaj se një gjë e tillë është e ndaluar.

“Shkelja është theksuar më së shumti në aspektin e punësimit... Kjo është shkelje ligji. Jashtë kësaj kemi edhe hedhjen e gurëve themeltar që e shohim çdo ditë, prerje shiritash përurues, që në këtë moment nuk janë shkelje, pasi do të konsiderohen si të tilla pas 3 marsit, për shkak të afateve që janë parashikuar në Kodin Zgjedhor. Mirëpo, këto janë mënyra të thjeshta për vetë reklamim”, ka theksuar zëdhënësi i Lidhjes Social Demokrate, Petre Shilegov.

Ndaj këtyre akuzave nuk janë përgjigjur asnjë nga organet shtetërore, e as partitë politike në pushtet.

Por, për ekspertët e ekonomisë, është i rrezikshëm veçanërisht fenomeni i mbushjes së administratës me “ushtarë partiakë”, të cilët nuk janë kompetentë në profilet e caktuara që marrin vendim pune duke u bazuar në meritën e vetme, aftësinë për të grumbulluar votues.

“Ndërkohë që pushteti aktual dhe vetëqeverisja lokale, e kanë më shumë se gjysmën e fuqisë aktive punëtore të angazhuar në punë, dhe njëkohësisht në kohën kur sektori privat demonizohet me gjoba, si dhe pengesa të ndryshme, të cilat çojnë kah mbyllja e bizneseve, është e arsyeshme që ata që kërkojnë punë, të orientohen kah partitë politike, gjegjësisht ata që e mbajnë pushtetin”, thekson Visar Ademi, ekspert i ekonomisë.

Sipas tij, me vetë faktin se Maqedonia tre cikle zgjedhore përballet me zgjedhje të parakohshme dëshmon se funksion në bazë të instalimit të aparaturës votuese në institucioneve shtetërore.

“Me vetë faktin që ne kemi tre ose katër cikle të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme me atë që kjo përbërje qeveritare nuk e përmbyll misionin e vet katërvjeçar, dëshmon qartë se qëllimin e ka jo më larg se dita e nesërme dhe për ta ruajtur këtë pozicion, është e detyruar t`i japë një fuqi shtesë masës votuese. Duhet të krijojë vende të reja pune, qoftë edhe në mënyrë fiktive, pasojat e së cilës po i ndjemë tani, por edhe më të dhimbshme do të jenë gjatë viteve në vazhdim”, thotë Ademi.

Ndryshe, zgjedhjet presidenciale në Maqedoni janë caktuar të mbahen më 13 prill. Por, si pasojë e mosmarrëveshjes mes partnerëve të koalicionit për arritjen e ujdisë që të garohet me kandidat konsensual në zgjedhjet presidenciale, nuk përjashtohet që paralelisht të mbahen dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
XS
SM
MD
LG