Ndërlidhjet

Tensionet e kahmotshme në Krimea


Flamujt rus në Krimea
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:21 0:00

Flamujt rus në Krimea

Tensionet e kësaj jave në Krime janë pritur kaherë.

Kjo krizë, në qendër të së cilës janë rusët etnikë që kërkojnë integrimin me Moskën dhe tatarët e Krimeas, me besim islam, që duan të mbeten në Ukrainë, është emblematike për tensionet që kanë përshkuar jetën e përditshme për vite të tëra në këtë gadishull të Detit të Zi.

Krimea është gadishull në Ukrainë, i vetmi rajon i këtij vendi ku rusët etnikë janë shumicë.

Ata përbëjnë afro 60% të popullatës së përgjithshme të rajonit prej dy milionësh.

Prej shekullit të 18-të, e deri para 60 vitesh, ky gadishull ishte pjesë e Rusisë.
Për shkak të historisë së veçantë dhe të dhimbshme, tatarët e Krimeas janë të frikësuar, thotë Igor Semivolos, drejtor i Qendrës për Studime mbi Lindjen e Afërt në Kiev…

"Ata ndihen të kërcënuar nga popullata ruse ose më saktësisht nga kozakët dhe formacionet tjera që tani po krijohen, në këto rrethana të histerisë politike që po mbretërojnë në Krime”, thotë zoti Semivolos, duke shtuar se edhe rusët ndihen të kërcënuar për sa i përket trashëgimisë së tyre dhe të dyja palët po përpiqen të mbrojnë vetveten.

Më 26 shkurt, tatarët kanë hyrë rrëmbyeshëm në ndërtesën e parlamentit rajonal në kryeqytetin Simferopol dhe Kremlini vendosi të nis ushtrime ushtarake afër Krimeas. Sot ndërkaq persona të armatosur pro-rusë kanë pushtuar ndërtesat qeveritare dhe kanë vendosur flamujt rus.

Refat Chubarov, udhëheqës i komunitetit Tatar dhe ligjvënës në parlamentin e Krimeas mendon se kriza politike aktuale ka të bëjë me një kërcënim ekzistencial.

"Çdo rrezik, kanosje, sipas nesh, që çon drejt ndarjes së Ukrainës apo humbjes së sovranitetit apo një pjese të sovranitetit është për ne e papranueshme. Ne e kuptojmë që nëse kjo ndodh – larg qoftë – ne do të jemi të parët që do ta vuajmë, sepse do të jemi sërish në një situatë ku kataklizmat e tilla shkatërrojnë çfarëdo mundësie për ne që të kemi të drejta të ekzistojmë si popull”, tha zoti Chubarov.

Në maj të viti 1944, popullata e tërë prej 200 mijë vetash e tatarëve të Krimeas u dëbua me dhunë nga Armata e Kuqe e Stalinit.

Gjysma vdiq në vitin e parë të dëbimit. Në pronat e tyre Stalini vendosi familje të tëra ruse.

Me rrënien e Bashkimit Sovjetik, tatarët filluan të kthehen në vendin e tyre dhe tani përbëjnë 12 % të popullatës në këtë gadishull.

Ata jetojnë së bashku me popullatën ruse, e cila në masë të madhe ua mohon vuajtjet nën regjimin sovjetik dhe e cila sot e kësaj dite beson se se populli tatar ka bashkëpunuar me nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Analisti Semivolos thotë se tatarët e Krimeas vazhdojnë të jetojnë në atë që ai e quajti “mendësi post-gjenocidale”.

"Tatarët në shumë mënyra janë ende duke jetuar përmes përjetimeve të gjenocidit. Për ta, kjo ende nuk ka marrë fund dhe procesi i kthimit po vazhdon akoma. Prandaj edhe ekzistojnë perceptimet mbi kërcënimet, mbi rreziqet ekzistenciale, ekzistencën fizike, e kështu me radhë”, thotë zoti Semivolos.

Zyrtarët administrativ në këtë zonë të dominuar nga rusët kanë ushtruar trysni mbi tatarët e kthyer që kur nis procesi i riatdhesimit të tyre, duke ua bërë të vështirë të marrin toka, të ndërtojnë shtëpi e xhami, apo të hapin shkolla.(a.vidishiqi)
XS
SM
MD
LG