Ndërlidhjet

NYT: Krimeja - fitore e Pirros?!


Sido që të përfundojë kriza në Ukrainë, është e qartë se Rusia nuk është partneri që kanë pritur Shtetet e Bashkuara, shkruan New York Times.

Të dyja vendet kanë kaluar rubikonin dhe nuk ka kthim prapa. Andaj, SHBA ka nevojë për një plan të ri të lojës për menaxhimin e Rusisë, shkruan gazeta.

E njëjta kujton se pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Amerika ka qenë bamirëse. Për t’ia kompensuar Kremlinit humbjen e statusit të superfuqisë, janë injoruar të metat e tij dhe i është dhënë një rol i madh në skenën botërore.

Kur Shtetet e Bashkuara kanë hasur në rezistencë ndaj planeve të tyre për luftën në Irak, më 2003, Condoleezza Rice ka këshilluar: Dënoni Francën, injoroni Gjermaninë, falni Rusinë!

Por, pas ndëhyrjes së Rusisë në Krime, Amerika nuk mund të falë. Ky nuk është fillimi i një Lufte të re të Ftohtë, por amerikanët e dinë se do t’iu duhet të luftojnë me një Rusi të mundimshme gjatë viteve të ardhshme, shkruan NYT.

Megjithatë, presidenti Vladimir Putin mund të ketë shkuar tepër larg. Nëse ai gjen rrugën në Ukrainë, ashtu siç edhe pret, ajo do të ishte fitore e Pirros. Por, Amerika ka avantazh në konkurrencën për pushtet dhe ndikim, që do të pasojë.

Edhe pse shumica e ambicieve të Rusisë kanë përfituar nga hutimi i amerikanëve, derisa tensionet në Ukrainë rriteshin, Kremlini nuk do të ketë shumë sukses kur të ballafaqohet me konkurrencën amerikane.

Gazeta shkruan se shqetësim kryesor i Amerikës tani duhet të jetë kontrollimi i krizës. Ajo duhet të përziejë presionin diplomatik dhe sanksionet ekonomike, së bashku me mbështetjen e saj të fuqishme për Qeverinë në Kiev.

Por, për të ndryshuar njehësimet strategjike të Putinit, Amerika duhet të vërë në dukje arrogancën e saj dhe ta bindë atë për koston e lartë që do të paguajë Rusia.

NYT sugjeron se së pari duhet luftaur vetëbesimin e tij për varësinë e madhe të Evropës dhe Azisë nga rezervat e mëdha energjetike të Rusisë. Shtetet e Bashkuara mund të rishkruajnë ligjet e tyre për të lejuar eksportet e energjisë dhe të investojë në terminalet e gazit të lëngshëm natyror për anijet që bartin karburant në Evropë.

Gazi i Amerikës do të jetë më i shtrenjtë se i Rusisë, por alternativa do ta pengonte Rusinë që të shantazhojë Evropën me kërcënime për rritje të çmimeve të gazit apo për ndërpreje të tij, shkruan NYT.

Pas Rusisë, Irani ka rezervat e dyta më të mëdha në botë të gazit dhe ai gjithashtu mund të konkurrojë me Rusinë për furnizimin e Evropës dhe të Azisë. Gazeta thotë se nëse bisedimet bërthamore e sjellin Iranin në ekonominë globale, mbajtja peng e Evropës nga Rusia do të jetë pjesë e së kaluarës.

Marrëveshja e ndërmjetësuar nga Moska për të shkatërruar armët kimike të Sirisë ka qenë një arritje, por ka ardhur me koston e legjitimimit të pozicionit të Rusisë ndaj Sirisë.

Në realitet, Rusia nuk ka qenë ndihmë për gjetjen e një zgjidhjeje politike që do t’iu jepte fund vrasjeve atje. Ajo nuk e ka ndërmend të shtyjë Assadin në një marrëveshje. Dhe, pas Ukrainës, nuk do të duhej të ishte befasi nëse Siria nis e tërhiqet nga premtimet e saj për armët kimike, shkruan gazeta.

Shtetet e Bashkuara duhet të deklarojnë fundin e partneritetit me Rusinë në lidhje me Sirinë, të rrisin presionin diplomatik dhe ushtarak mbi Assadin dhe të kërkojnë vetë zgjidhjen diplomatike. Ka një precedent për bërjen e kësaj pa Rusinë; NATO-ja e ka bërë me Kosovën, kujton gazeta.

Për kohë të gjatë, Amerika ka hedhur poshtë vështirësitë e veta me Rusinë. Por, Rusia tani paraqet një sfidë të qartë për Shtetet e Bashkuara, e cila është së paku në të njëjtin nivel me Iranin dhe Kinën. Politika e jashtme amerikane duhet ta pranojë sfidën, shkruan New York Times.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG