Ndërlidhjet

A mundet gazi amerikan ta ulë varësinë evropiane nga Rusia?


Ilustrim
Ilustrim
Derisa në Shtetet e Bashkuara po shënon ngritje të madhe prodhimi i gazit, ndërhyrja e Rusisë në Krime i ka aktualizuar zërat që kërkojnë që Amerika ta eksportojë gazin natyror në Evropë, për të ndihmuar në uljen e varshmërisë ndaj energjisë ruse.

Por, shtrohet pyetja se a është kjo ide reale?

Rusia është eksportuesi më i madh në botë i gazit natyror dhe Moska nuk ka hezituar që këtë gjë ta shfrytëzojë si armë politike.

Rusia e furnizon Evropën me afro 40% të energjisë së saj, ndërsa gazsjellësit kryesorë kalojnë nëpër Ukrainë. Ky është potencial i mjaftueshëm për shkatërrime të tjera dhe shantazh politik.

Në saje të kthesës së madhe në teknologjinë e thyerjes hidraulike dhe “revolucionit të gazit argjilor”, Shtetet e Bashkuara, viteve të fundit janë shndërruar në prodhuesin më të madh të gazit natyror në botë.

Por, meqë nuk ka gazsjellës nëpër Atlantik, me qëllim që ai të eksportohet në Evropë, Amerika duhet ta konvertojë gazin e saj natyral në gjendje të lëngët dhe ta transportoj atë me tankerë.

Ligjvënës udhëheqës të Shteteve të Bashkuara dhe politikanë evropianë, duke e theksuar krizën në Ukrainë, kanë kërkuar nga administrata e presidentit Barack Obama, për ta shpejtuar procesin e miratimit të eksportit të gazit në gjendje të lëngët.

Më 6 mars, në gazetën Wall Street Journal, në këtë temë ka shkruan John Boehner, kryesues i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit Amerikan, me ç’rast ka kërkuar që Uashingtoni ta “çlirojë energjinë natyrore” të saj si armë kundër presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Në këtë kuadër, kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka tërhequr vërejtjen se “varshmëria e Gjermanisë nga gazi rus mund ta zvogëlojë sovranitetin efektiv të Evropës”.

Por, a munden Shtetet e Bashkuara ta eksportojnë gazin në vëllimet e kërkuara?

Jennifer DeLay është kryeredaktore e publikimit javor “FSU Oil and Gas Monitor”.

“Teorikisht po, është e mundshme. Furnizimi me gaz në Shtetet e Bashkuara është i mjaftueshëm për ta mbështetur eksportin dhe prodhimi i tij po rritet. Megjithatë, kjo nuk mund të bëhet menjëherë. Nëse eksporti hapet atëherë pres që Amerika do të jetë në gjendje të dërgoj sasi të mjaftueshme të gazit në Evropë”, thotë Jennifer DeLay.

Aktualisht, Shtetet e Bashkuara nuk janë eksportuesi madhor i gazit natyror. Eksporti amerikan më së shumti shkon në Kanada dhe Meksikë me gazsjellës.

Departamenti i Energjisë i Shteteve të Bashkuara e ka miratuar ndërtimin e gjashtë terminaleve për eksportin e gazit natyror në gjendje të lëngët me tankerë, ndërsa në këtë kuadër ka edhe më tepër projekte të reja.

Jonathan Stern nga instituti Oxford për Studime të Energjisë, thotë se Shtetet e Bashkuara nuk mund t’i kenë terminalet e para për eksport të gazit të lëngshëm deri në vitin 2015, ndërsa vëllimet e mëdha nuk do të jenë të mundshme deri në vitin 2019.

“Frikësohem se kjo nuk është shumë reale dhe nuk do të ndodhë së shpejti. Ky është diskutim tipik politik nga njerëzi, të cilët realisht nuk e kuptojnë situatën. Ne nuk duhet me të vërtetë të presim se eksporti i gazit nga Shtetet e Bashkuara do ta reduktoj në ndonjë mënyrë varshmërinë tonë nga gazi i Rusisë, brenda 5 ose 6 vitet e ardhshme”, thotë eksperti Stern.

Ai thekson se furnizuesit me gaz natyror do ta shisnin gazin e lëngët te blerësit që janë të gatshëm të paguajnë çmimin më të lartë, por këta blerës ndoshta nuk janë domosdoshmërish në Evropë.

Aktualisht, Evropa nuk po blen më tepër gaz nga Shtetet e Bashkuara, pasi blerësit nga Azia paguajnë çmim më të lartë.

Në këtë kuadër Jonathan Stern thekson:

“Çmimet ndryshojnë gjithë kohën. Ky po shndërrohet në një treg global shumë dinamik dhe është shumë vështirë të thuhet se kur gazi nga Shtetet e Bashkuara mund të blihet dhe cili do të jetë çmimi në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë. Po ashtu, është vështirë të thuhet se çka do të ndodhë në Azi, a do të dëshirojnë vendet si Kina ose India të paguajnë çmim më të lartë se Evropa”, thotë eksperti Jonathan Stern. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG