Ndërlidhjet

Kërkohet llogaridhënie nga sistemi i drejtësisë


Ilustrim
Ilustrim
Mostransparenca dhe llogaridhënia në gjyqësor kanë bërë që besimi në gjykata të cilat ndajnë drejtësinë të jetë i vogël. Madje, as niveli i besueshmërisë në prokurori nuk qëndron më mirë.

Kështu deklaruan drejtuesit e Institutit të Kosovës për Drejtësi, por edhe pjesëmarrës të tjerë nga shoqëria civile në debatin e organizuar me temën “Llogaridhënia e sistemit të drejtësisë”.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se në Kosovë ende ka probleme të llogaridhënies si të prokurorëve, ashtu edhe të gjykatëseve.

Sipas tij, ligjet ekzistuese nuk e krijojnë një pavarësi të duhur dhe llogaridhënëse të prokurorëve dhe gjykatësve në Kosovë.

“Kjo që ka ndodhur në vazhdimësi është se mekanizmat e kontrollit të punës së prokurorëve dhe gjykatësve nuk kanë qenë të krijuar si duhet dhe pas krijimit të tyre nuk kanë qenë efikas dhe efektiv për sigurimin e llogaridhënies së prokurorëve se gjykatësve të këshillave përkatës".

"Ajo që ka ndodhur rrugës është që janë krijuar mekanizmat që tani janë duke funksionuar, por ende nuk është në nivelin e duhur sigurimi i llogaridhënies se prokurorëve dhe gjykatësve, sepse ende nuk kemi as gjykatës as prokurorë të cilët janë larguar nga puna për shkak të përformacës së tyre të dobët në punë”, tha Musliu.

Kurse, Valdete Daka nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, vlerësoi se në përgjithësi përfomanca e gjyqtareve dhe llogaridhënia e tyre është në nivelin e kënaqshëm.

Ajo deklaroi se në mungesë të punës së mirë, pas vlerësimeve të komisioneve përkatëse ka pasur edhe shkarkime nga puna e gjyqtarëve.

“Komisioni disiplinor ka shqiptuar shumë masa disiplinore për sjelljet të ashtuquajtura të pahijshme sipas kodit të etikës për gjyqtarë, ka shqiptuar shumë masa disiplinore, ndërsa për herë të parë, përkundër faktit se Betimi e tha se nuk është shkarkuar ndonjë gjyqtar për shkak të përformacës së dobët pas vlerësimit të parë, i cili është bërë pas tri viteve, kemi një gjyqtar që është larguar për shkak të përformancës së dobët profesionale”, tha Daka.

Nga ana tjetër, deputetja e Kuvendit të Kosovës Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se mënyra se si është duke funksionuar sistemi i drejtësisë është për keqardhje.

Ajo, duke folur për mungesën e llogaridhënies nga sistemi i drejtësie, ka kërkuar se sistemi i drejtësisë në pergjithësi t’i raportojë Kuvendit të Kosovës.

“Secili institucion duhet t’i raportojë dikujt, nëse jo Kuvendit, kujt duhet t’i raportojnë këto institucione. Unë mendoj që kjo nuk duhet të nënkuptohet si ndërhyrje për shkak se qytetarët, duhet të jenë të informuar me vendimet ose veprimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në veçanti se kemi çdo ditë lajme që KGJ-ja është i mbyllur karshi shoqërisë civile, qytetarëve dhe mediave në përgjithësi”, tha Haxhiu.

Por, një kërkesë e tillë e zonjës Haxhiu është kundërshtuar nga përfaqësuesja e KGJK-së Valdete Daka dhe nga përfaqësuesi e Shoqërisë Cilivie.

Arton Demëhasaj, këshilltar ligjor në organizata “Çohu" tha se nëse gjykata dhe prokuroritë e vendit i raportojnë kuvendit mund të ketë ndikim politik.

“Unë besoj që duhet të ketë llogaridhënie të gjykatave dhe prokurorive jashtë sistemit sepse atëherë mund te ketë ndikime politike nëse gjykatat i japi llogari kuvendit, atëherë automatikisht aty po ndikon kuvendi në punën e gjyqësori ky është një rrezik më i madh sesa llogaridhënia”, tha Demëhasaj.

Janë dy mekanizma të brendshme në sistemin e drejtësisë të cilët e sigurojnë llogaridhënien e prokurorëve dhe gjykatësve.

Është mekanizmi i përfomancës së punës se tyre dhe mekanizmi i diciplinimit të tyre, për shkak të sjelljeve që mund t’i bëjnë ata e që mund të jenë në kundërshtim me kodin e etikës.

Me rastin e këtij debati është publikuar edhe një raport, ku thuhet mes tjerash se “në asnjë formë pushtetet tjera, nuk mund të kërkojnë llogaridhënie nga pushteti gjyqësor, por duhet që të fuqizohen mekanizmat e brendshme të llogaridhënies”.

Po ashtu në raport thuhet se “llogaridhënia e sistemit gjyqësor dhe prokurorial ndaj pushteteve të tjera ekziston në aspektin formal dhe atë në nivel minimal”.
XS
SM
MD
LG