Ndërlidhjet

Avdiu: Teatri, si stacion treni i braktisur


Valdet Avdiu
Valdet Avdiu

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Valdet Avdiu, i cili të hënën e mori detyrën e drejtorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, tha se TKK-së i duhet një dorë që ta rifreskojë, ta rigjenerojë dhe ta kthejë përsëri në jetë, sepse sipas tij, teatri jo vetëm nga brenda, por edhe nga jashtë, duket si një stacioni treni i braktisur diku në Evropën Perëndimore.



RADIO EVROPA E LIRË
Komuniteti artistik teatror e ka kundërshtuar emërimin tuaj si drejtor i TKK-së. Madje ka pasur reagime të formës së protestave. Sipas jush, cila ka qenë arsyeja për një pakënaqësi të këtillë të këtij komuniteti?

VALDET AVDIU
Zakonisht, puna e parë e fituesit është që të komunikojë me pjesën tjetër dhe ta pyes se cila është frika, ku ishte frika, sepse ata faktikisht e patën një frikë dhe reaguan kundër një platforme e cila në rastin konkret del fituese. Unë njoh një pjesë të atyre aktorëve, aty është edhe një problem koncepti. Thuhet që drejtori i ri nuk ka ardhur nga komuniteti artistik, pra nuk është artist. Këtë e thonë njerëzit të cilët konceptin siç është arti e përziejnë dhe e gabojnë, ngase aktorët janë interpretues, ndërsa artist është krijuesi, dhe unë jam krijues.

Frika e tyre nuk është e bazuar në asgjë, nuk ka pasur protesta, ka qenë një shoqatë që mbledh disa nga njerëzit e teatrit, nga aktorët e rinj sidomos, e cila kishte qenë e politizuar deri në majë të kokës, e udhëhequr nga njeriu që i bën politikat kulturore pranë Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe kërkonte depolitizimin e teatrit. Ajo shoqatë kishte qenë edhe jofunksionale. Unë do të shtroja një pyetje. Si mendoni ju, nëse një shoqatë jofunksionale të kërkojë funksionalizimin e mirëfilltë të teatrit? Si mendoni ju, që një shoqatë e politizuar, të kërkojë depolitizimin e teatrit?

Do të thotë, ata njerëz, protesta e tyre, nuk ka qenë e bazuar në fakte. Mua do të më kishte shqetësuar realisht sikur ata të kishin reaguar në raport me platformën time që e kam paraqitur për teatrin, por për fat të keq ata janë thirrur në disa kuazi-vlera, në emra të njerëzve në Këshill. Nuk janë marrë me platformën që e kam paraqitur unë për ngritjen e Teatrit të Kosovës, i cili sot, jo vetëm nga brenda, por edhe nga jashtë, duket si një stacioni treni i braktisur diku në Evropën Perëndimore, i cili pret një dorë që të vijë dhe ta rifreskojë, ta rigjenerojë dhe ta kthejë përsëri në jetë.
RADIO EVROPA E LIRË
Edhe përkundër këtyre reagimeve dhe refuzimeve, ju e keni vendosur të mos hiqni dorë. Si mendoni se do të funksiononi si drejtor kur keni përballë një pakënaqësi të këtillë?
VALDET AVDIU
Ju po i quani komunitet kundërshtues 50 veta që ishin në atë shoqatë, ndërsa komuniteti i cili ka të bëjë me teatrin i ka diku mbi 1,000 veta, dhe asnjëri nga figurat e mëdha, të cilat posedojnë vlera të mëdha të teatrit nuk kanë kundërshtuar, përkundrazi e kanë pritur shumë mirë ardhjen time si drejtor.

Po ua them, unë, si Valdet Avdiu, jo që nuk heq dorë nga diçka, por jam i mësuar ti bëj gjërat ashtu siç i shoh më së miri, nuk dorëzohem para një pakënaqësie të 50 personave, nuk dorëzohem para asgjëje, kur e di që do ta bëj një punë në shërbim të të mirës së këtij vendi, dhe në shërbim të kulturës së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Nuk janë të paktë ata që ju kanë akuzuar si njeri të afërt me pushtetin. Jeni apo s’jeni njeri i pushtetit?

VALDET AVDIU
Zakonisht këto akuza i bëjnë "paramilitarët e artit". Këta janë ata që gjithmonë thirren në politizimin e tjetrit, partishmërinë e tjetrit, ndërsa vetë shtëpitë i bëjnë nga politika. Ata janë mësuar ta quajnë tjetrin në emër të politikës, të fyejnë në emër të politikës, ndërsa janë pikërisht ata që edhe i bëjnë politikat kulturore në parti tjera. Do të thotë janë të politizuar vetë gjerë në palcë. Ata nuk e kuptojnë që të kesh miq të politikës, nuk do të jesh edhe ti i politizuar. Unë, përkundrazi jam që teatri të politizohet, por mos të partizohet. Në teatër të mos vijë në parti politike, por të vijë politika, ngase politika na e ndan buxhetin për këtë teatër.

Unë jam që kryeministri të vijë në skutat e teatrit dhe të shohë se çfarë mjerimi është sot aty; unë jam që edhe Isa Mustafa të vijë sot në teatër, jo vetëm ta shoh dramën, por të vijë dhe ta shoh gjendjen e teatrit. Unë jam që të vijnë edhe liderët e partive tjera opozitare, por jo të vijnë të shohin drama, por që ta bëjnë politikën edhe te financat e teatrit. Ne duhet të kërkojmë më shumë politikë në teatër, por politikë që i sjell të mira teatrit, por kurrsesi të mos lejojmë që politika të përzihet në politikën e artit, në politikën e dramës. E përderisa vije buxheti nga politika, unë jam që ata të vijnë. Ata asnjëherë nuk janë njoftuar për së afërmi me kushtet e teatrit.

Teatri është në kushte të tmerrshme. Në teatër nuk funksionojnë as banjot, në teatër faktikisht mund të marrësh edhe infeksione të ndryshme. Kujt t'i kërkojmë zgjidhje, kush do ta zgjidh këtë problem, përpos politikës? Por jo partizimi, jo vetëm një parti politike. Këtë teatër, në këtë gjendje që është, nëse nuk duam ta rrënojmë, atëherë duhet të investojmë në të. Nuk duhet të bëjmë fushatë politike me kulturën dhe me artin. Unë nuk kam ndonjë interes të veçantë, pos interesit që ta ndryshojmë këtë vend.

Teatri është shumë i braktisur, duhet t'ia rikthejmë imazhin, shkëlqimin dhe dashurinë. Më e rëndësishmja, ne duhet t'ia kthejmë shikuesin. E shikuesi nuk kthehet pa ia kthyer produktin dhe produkti bazë është drama e mirë. Këtu për fat të keq, zhurmën më të madhe nuk e bëjnë vlerat. Unë jam shumë i interesuar që bashkë më Këshillin ta instalojmë konkurrencën e vlerave. Një dramë e cila i merr nga buxheti i këtij populli të varfër deri në 50 mijë euro, dhe bëhet një dramë që nuk e shohin 7 veta, është krim.
RADIO EVROPA E LIRË
Teatri Kombëtar viteve të fundit ka degraduar shumë, nisur nga vetë fakti se premierat e shfaqjeve kanë qenë shumë të rralla. Ku janë arsyet, sipas jush, të këtij degradimi?

VALDET AVDIU
Ne faktikisht si komunitet e kemi degraduar kulturën. Nuk është i vogël buxheti i cili i është dhënë teatrit, vetëm për shfaqje jepen 330 mijë euro. Me këtë shumë kanë mundur të bëhen 5 ose 4 shfaqje të shkëlqyeshme. Është pikërisht keqpërdorimi i këtij buxheti që bëhet prej artistëve, jo prej të tjerëve, bëhet prej artistëve. Në relacion me teatrot tjera të rajonit, buxheti i TKK-së është i shkëlqyeshëm. Ne faktikisht duhet të kemi kërkesa shumë më të mëdha me vetveten.

Artisti nuk mund ta marrë përgjegjësinë për shkallët e teatrit, për atë jemi ne këtu. Artisti duhet ta marrë përgjegjësinë që në atë moment kur i ndahet buxheti për një dramë, ta bëjë një dramë të shkëlqyeshme, ta bëjë një dramë të mirë, ta bëjë me përkushtim dhe dashuri. Mos të harrojmë, drama e Kosovës nuk ka filluar pas luftës, drama e Kosovës ka histori. Këtu po harrohet, vjen dikush dhe e bën një përformancë që ka luajtur diku në vitet e 60-ta në rrugët e Parisit dhe mendon që ka bërë ndonjë zbulim të madh.

Kjo nuk është e vërtetë! Këtu nuk ka kriter vlerash më. Asnjëherë nuk bie perdja e zezë para shfaqjes së një drame të dështuar. Ndërsa përpara kjo ka ndodhur. Këshilli Artistik i Teatrit e ka lëshuar perden e zezë në provën gjenerale, kur e ka parë që drama nuk i arrin kushtet edhe vlerat, nuk i plotëson kriteret për t'u shfaqur. Sot po bëhen drama të dështuara të dhemb koka prej tyre dhe ato bëhen me paratë e këtij populli. Dramat e fundit që janë shfaqur në TKK kanë qenë skandaloze, me para të taksapaguesit.
RADIO EVROPA E LIRË
Më saktësisht, cili është koncepti juaj i Teatrit Kombëtar dhe a mendoni se do të mund ta realizoni atë?

VALDET AVDIU

Unë zakonisht si individ, kurrë në jetën time nuk kam dështuar. Jam i ndërtuar kështu, kjo është filozofia ime jetësore, unë e dua suksesin. Unë kam ardhur se e shoh që teatri ka nevojë për punën time. Unë e di që këtu do të ndryshojnë shumë gjëra, duke filluar nga instalimi i kriterit dhe i konkurrencës së vlerave.

Në momentin që këtu do të futen vlerat, do bëhet drama, do të mbikëqyret rigorozisht puna e atij që e merr projektin, nuk do të ndodh që do ta marr dikush projektin dhe në mënyrë të pavarur do ta bëjë ai me para të taksapaguesit pa dhënë llogari për çdo veprim që e bën me ato para.

Unë, si udhëheqës i kësaj shtëpie, do të kërkoj që ai investim të më kthehet prapa. Kushdo qoftë, ai regjisor i cili vjen dhe e bën dramën, prej ditës së sotme e tutje, unë ja garantoj publikun, por ai mua duhet të ma garantojë produktin.
XS
SM
MD
LG