Ndërlidhjet

Shqipëria pret në qershor përgjigjen për statusin në BE


Ilustrim
Ilustrim
Nëntë maji i këtij viti e gjen Shqipërinë në prag të marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE.

Pas refuzimit për herë të katërt për statusin e vendit kandidat, duket se kësaj radhe Shqipëria është shumë pranë finishit.

Në Tiranë, në kuadër të Ditës së Evropës, Ministria e Integrimit Evropian organizoi disa aktivitete nën sloganin “Të sigurt drejt Evropës” .

Kryeministri Edi Rama priti veteranët e Luftës Antifashite Nacional Çlirimtare. Në fjalimin e tij kushtuar tërësisht Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare (LANÇ), Rama u shpreh se qeveria e tij do të bëjë çmos që të mos abuzohet në emër të kësaj lufte dhe ndaj kësaj lufte.

Mesazhet e Luftës antifashiste, theksoi Rama, duhet t’u përcillen brezave.
Në kuadër të ditës së Evropës, ministrat e Jashtëm të BE-së kanë rikonfirmuar angazhimin e Unionit lidhur me perspektivën integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në takimin e mbajtur në Selanik, ku kanë marrë pjesë edhe shefat e diplomacisë të vendeve të rajonit, është theksuar se zgjerimi është një nga politikat më të suksesshme të BE-së, prandaj duhet të vazhdojë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në konferencën për shtyp pas takimit, ministri i Jashtëm grek, Evangelos Venizelos, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE-së, tha se shpreson që deri në qershor, Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, duke theksuar se ashtu si dhe disa bashkë-aspirantë të tjerë për anëtarësim, ka arritur një nivel të kënaqshëm në përmbushjen e kritereve të vendosura.

Një tjetër pistë e rëndësishme e takimit të Selanikut, ishte sesioni për konjeksionet në transporte dhe në energji.

Siç bëri të ditur presidenca greke, Komisioni Evropian është gati t’u disponojë vendeve të rajonit që ndodhen në proces integrimi, 1 miliardë euro nga Fondi i Para-Anëtarësimit për periudhën 2014-2020.

Sipas deklaratës së presidencës greke, ndër projektet e mëdha potenciale janë korridori hekurudhor 10, nga Burgasi i Bullgarisë, deri në Vlorë dhe Durrës, gazsjellësi TAP, por edhe gazsjellësi Adriatiko-Jonian, i cili nëpërmjet Shqipërisë do të mbërrijë deri në Kroaci.

Në dhjetor, 5 vende Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Holanda dhe Danimarka u treguan skeptike për dhënien e statusit për Shqipërinë.

Opozita shqiptare akuzoi në muajin dhjetor politikën qeverisëse, për mosmarrjen e statusit, ndërsa Qeveria Rama, u justifikua për mosmarrjen e statusit, me ndikimin e qarqeve ekstremiste që nuk duan zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Zgjedhjet evropiane, që do të zhvillohen në 28 vende anëtare të BE-së, nga 22-25 maj, pritet të sjellin ndryshime në konfigurimin parlamentar të Evropës. Sondazhet paraprake tregojnë për një epërsi të forcave të djathta.

Rritja e votës ndaj ekstremit të djathtë mund të shfaqë problematika, për sa i përket formimit të mundshëm të një grupi në PE, i cili do të mundësojë një presion më të madh nëpërmjet forcës së votës ndaj çështjeve të ndjeshme në BE, siç është dhe ajo mbi politikat e zgjerimit.
XS
SM
MD
LG