Ndërlidhjet

Kritikohet marrëveshja për bashkëqeverisje VMRO- BDI


Ilustrim
Ilustrim
Marrëveshja mes Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe VMRO-DPMNE-së për bashkëqeverisje është kritikuar nga intelektualët shqiptarë dhe njohësit e çështjeve politike.

Ata vlerësojnë se BDI-ja ka hequr dorë nga zotimet e fushatës elektorale se nuk do të përfshihet në ekzekutiv pa siguruar njërin nga tri postet kyçe në shtet, apo pa arritur marrëveshje për zgjidhjen e problemeve me gjuhën shqipe, zgjedhjen e presidentit të shtetit në Kuvend, përfaqësimin e drejtë, ndarjen proporcionale të buxhetit dhe çështje tjera.

Marrëveshja ndërmjet dy partive e publikuar përmes një komunikate të përbashkët për shtyp, nuk parasheh asnjë nga këto çështje përveç premtimit se do të bëjnë gjithçka për të arritur anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Akademiku Abdylmenaf Bexheti, i cili është në mesin atyre që kishte nënshkruar një apel drejtuar partive që të respektojnë votën shqiptare dhe të mos heqin dorë nga kërkesat legjitime, thotë se marrëveshja është e dëmshme për shqiptarët.

“Marrëveshja mund të them së është jashtëzakonisht e ulët. Është një pazar shumë i ulët, margjinalizim i skajshëm, mosrealizim i premtimeve bazike konceptuale për të gjitha ato pretime që janë dhënë. Pikërisht ne kishim ndjenjë, personalisht edhe unë, se do të ndodhë një gjë e tillë dhe në atë funksion edhe e bëmë atë apelin”, shprehet Bexheti.

Marrëveshja e arritur është edhe një dëshmi se për partitë shqiptare, prioritet mbetet hyrja në qeveri dhe jo ajo çfarë premtojnë para elektoratit, thotë Isen Saliu, analist dhe kryeredaktor i gazetës Lajm.

“Tashmë është e qartë se pjesëmarrja në qeveri është parim mbi parimet, të cilin synojnë ta realizojnë partitë shqiptare në Maqedoni. Shikuar nga ky prizëm, edhe pse marrëveshja për qeverinë e re duket e dëmshme për shqiptarët, unë vlerësoj se ajo është mjaft e suksesshme për BDI-në, sepse kësaj partie i siguroi kolltuk qeveritar edhe në periudhën e ardhshme”, thekson Saliu.

Analisti Saliu nuk beson në pikën e vetme të marrëveshjes, se dy partitë do të bëjnë gjithçka të mundur për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, deri në vjeshtë të këtij viti.

“Vetëm naivët mund t'ju besojnë atyre premtimeve, sepse tani është dëshmuar se sa më shumë premtime janë dhënë në këtë drejtim, aq më tepër Maqedonia është larguar nga rruga e vërtetë që çon drejt integrimeve euro-atlanike
”, vlerëson Saliu.

Ndërkohë, njohësi i çështjeve politike, Zdravko Savevski, thotë se marrëveshja ndërmjet dy partive për bashkëqeverisje, ka konfirmuar tashmë të gjitha parashikimet se kriza mes tyre ishte orkestruar dhe se dy subjektet qëllim parësor kanë pasur vazhdimin e mandatit qeveritar.

E gjithë kjo tregon se ato më tepër kanë qenë të interesuara për ndarjen e pushtetit, sesa për realizimin e programeve të tyre. Pra, pjesëmarrja në qeveri dhe përfitimet materiale janë parësore për këto parti, të cilat tani heqin dorë nga ajo që kishin deklaruar më parë duke vërtetuar se këtë e kanë bërë vetëm sa për të fituar sa më shumë vota”, konsideron Savevski.

Ndërsa, sa i përket çështjes së integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike, që është premtimi i vetëm i dy partive në komunikatën e publikuar, Savevski thotë se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO mund të arrihet në atë moment kur vendi do të përmbush kriterin kryesor, zgjidhjen e çështjes së emrit.

“Deklaratat për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO janë fluskulë dhe asnjë më shumë. Premtime të tilla po dëgjojmë tash e sa vjet dhe nuk do të realizohen dhe këtë e dinë edhe vetë partitë politike se anëtarësimi në NATO nuk varet nga dëshira apo marrëveshja e këtillë për bashkëqeverisje, por nga përmbushja e kritereve tashmë të njohura”, thotë Savevski.

Marrëveshja për qeverinë e re u publikua para konstituimit të përbërjes së re parlamentare dhe zërave së BDI-ja nuk do të heqë dorë nga kërkesa për kryetarin e Kuvendit, post ky që do të vazhdojë të udhëhiqet nga partia VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit, e cila do të drejtojë institucionet më të rëndësishme në Maqedoni.
XS
SM
MD
LG