Ndërlidhjet

Maqedoni: Hendek i thellë mes partive shqiptare


Partitë shqiptare si asnjëherë më parë kanë thelluar hendekun e dallimeve mes tyre, madje edhe për çështjet më elementare që kanë të bëjnë me realizimin e të drejtave shqiptareve, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike duke komentuar zhvillimet para dhe pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale.

Bashkimi Demokratik për Integrim, që fitoi zgjedhjet tek shqiptarët, dje bojkotoi seancën inauguruese të presidentit, Gjorgje Ivanov ndërsa Partia Demokratike Shqiptare, mori pjesë në të.

Pak ditë më parë, BDI-ja njoftoi arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje me VMRO-në, por e njëta nuk përmban realizimin e premtimeve parazgjedhore. Edhe PDSH-ja, që nuk arriti të merr besimin e shqiptarëve, vazhdon të pretendoj se i ka dyert e hapura për tu bërë pjesë e qeverisë.

Pozicionet apo dallimet e tilla, sipas Ismail Sinanit, njohës i çështjeve politike dhe redaktor në javoren politike, “Shenja“ janë edhe një dëshmi se partitë shqiptare ndodhen në krizë të thellë politike.

Ai thotë se lufta e tyre për të qenë me çdo kusht pjesë e pushtetit, ka bërë që ato të mos kenë kurrfarë profili politik apo përcaktim programor për zgjidhjen e kërkesave të shqiptarëve.

Nëse i bëjmë një analizë qoftë edhe sipërfaqësore do të shohim se BDI-ja nuk përmbushi asnjë nga premtimet e veta gjatë krijimit të koalicionit qeverisës me VMRO-DPMNE-në dhe tani akuzon për tradhti kombëtare të gjithë ata që ia rikujtojnë premtimet e dhëna. Ndërkohë, PDSH-ja as që ka pasur ndonjëherë platformë politike, e sidomos në këto zgjedhje".

"I vetmi premtim ishte se PDSH-ja do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme nën drejtim e Gruevskit. Kjo sjellje e Ahmetit dhe Thaçit gjykoj se është fyerje e rëndë për shqiptarët sepse kjo i bie se 220 mijë votat e shqiptarëve po shkojnë në konton e Gruevskit pa pasur kurrfarë vlerë apo peshë politike“, thotë Sinani.

Ndërkohë, analisti Albert Musliu thotë se raportet e këtilla mes partive shqiptare, apo dallimet e tyre thuajse për të gjitha çështjet thelbësore me të cilat përballen shqiptarët, janë pasojë e mungesës së komunikimit të mirëfilltë mes tyre, mungesës së vizionit se çfarë në të vërtetë dëshirojnë të arrijnë.

Sipas tij, vrapimi me çdo kusht pas pushtetit mund të jetë interes i një grupi të caktuar, por jo edhe i shqiptarëve në përgjithësi, pasi ata kërkojnë zgjidhje të problemeve kolektive dhe jo të atyre individuale.

“Është një problem fundamenal se tek ne shqiptarët në Maqedoni mungon ndonjë forum apo ndonjë fuqi ndërlidhëse e cila do ti definonte qëllimet, vizionet e komunitetit shqiptar se cilat qëllime politike përfundimtare i kemi".

"Për shkak të kësaj edhe subjektet politike shqiptare sillen në mënyrë të papërgjegjshme dhe sjelljet e tilla ndërhyrjen edhe interesat politike, interesat e grupit e kështu me radhë. Ky është problemi fundamentat tek shqiptarët në Maqedoni. Fatkeqësisht subjektet politike shqiptare në Maqedoni më lehtë komunikojnë me partitë maqedonase se sa mes tyre, kjo është e papranueshme“, thotë Musliu.

Nga ana tjetër, analisti Ismail Sinani thekson se gjendja e këtillë ndoshta nuk do të zgjasë edhe shumë meqë shqiptarët nuk mundë deri në pafundësi të durojnë përbuzjen që i bëjnë partitë shqiptare.

“Gjykoj se kjo situatë nuk mund të zgjasë edhe shumë. Shqiptarët në Maqedoni nuk mund të durojnë këtë presion politik që i ushtrohet nga partitë politike maqedonase, sidomos nga VMRO DPMEN-ja nga viti 2006 e këndej, por kjo krizë politike që është krijuar në raport mes shtetit dhe shqiptarëve buron nga paaftësia e dy subjekteve kryesore politike shqiptare për të menaxhuar politikën në taborin politik shqiptar“,
thekson Sinani.
XS
SM
MD
LG