Ndërlidhjet

Maqedoni: Lehtësohen procedurat për birësimin e fëmijëve


Në Maqedoni, raporti i çifteve që kërkojnë fëmijë për të birësuar dhe fëmijëve që presin për t`u birësuar, është 5 me 1.

Autoritetet e Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale thonë se vështirësi më së shumti paraqiten te fëmijët, që kanë probleme shëndetësore.

Kurse, në rastet e tjera, ndryshimet e fundit ligjore në Ligjin për familje, kanë bërë që procedura e birësimit të thjeshtësohet deri në maksimum.

“Po tani të gjitha procedurat janë të thjeshtësuara. Çdo familje potenciale, e cila është e interesuar të birësojë një fëmijë gjatë kërkesës shënon dhe karakteristikat e fëmijës, për të cilin është i interesuar, si gjinia, mosha etj, dhe këto familje presin më shumë derisa të gjenden fëmijë që plotësojnë këto kërkesa. Por, ka familje që s’janë të interesuara për kritere të caktuara dhe ata më lehtë arrijnë të plotësojnë dëshirën për t’u bërë me fëmijë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ardian Muça, këshilltar shtetëror në Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale.

Ai thekson se procedura e birësimit të fëmijëve përmes sistemit elektronik, ka mundësuar eliminimin e të keqpërdorimeve të mundshme në përzgjedhjen e familjes për fëmijën e birësuar, meqë të gjitha të dhënat, si për fëmijën që pret, ashtu dhe për çiftin që dëshiron të birësojë fëmijë janë të koduara dhe çdo aspekt emocional është i eliminuar gjatë përzgjedhjes nga ana e anëtarëve të komisioneve përkatëse.

“Komisioni 20-anëtarësh nuk ka qasje në të dhënat rreth identitetit familjarë të fëmijëve, po dhe të dhënat personale të familjeve që presin për të adoptuar fëmijë. Nëse Qendra për Punë Sociale ka dërguar të dhënat për një fëmijë, i cili ligjërisht plotëson të gjitha kushtet për adoptim, komisioni për këtë çështje në kudër të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale nuk ka qasje për të dhënat e identitetit se për cilin fëmijë bëhet fjalë njëherësh cila familje pret ta adoptojë, pos kushteve dhe kritereve që duhet plotësuar”.

“Pra, i kemi sjellë në minimum mundësitë e keqpërdorimeve gjatë procedurës së adoptimit, ngase të gjitha të dhënat janë të koduara dhe s’ka mundësi për intervenime të ndryshme”
, shpjegon Muça.

Dikasteri i punës dhe politikës sociale, gjithashtu ka ndërmarrë një aksion përmes programit “Pride” që synon nxitjen e familjeve pa fëmijë që të kujdesen për fëmijët pa prindër, të cilët për arsye të ndryshme si problemet shëndetësore apo përkatësia etnike, kanë bërë që ata të mos birësohen.

“Qëllimi i ‘Pride’ programit është të nxitet dëshira te çiftet pa fëmijë që të kujdesen për fëmijët e braktisur qoftë në formë të birësimit, ose në formë të përkujdesjes, në një afat të caktuar kohor”, thekson Mariu Jançev, drejtor në SOS Fshatin, për fëmijë në Shkup.

Ndërkaq, organizata për mbrojtjen e fëmijëve pa prindër “Megjashi”, thotë se në shumë raste shkelen dispozitat ligjore sa i përket respektimit të të drejtave të fëmijëve pa prindër.

Sipas organizatës, edhe përkujdesja prindërore nuk është në nivel të duhur në Republikën e Maqedonisë, si nga ana e institucioneve kompetente, gjithashtu edhe nga ana e personave tjerë përgjegjës për përkujdesjen e fëmijëve duke fokusuar domosdoshmërinë për sensibilizimin e ofrimit të shërbimeve nga institucionet kompetente për vendosjen e fëmijës në adoptim, nën një mbikëqyrje profesionale për një kohë të caktuar.

Në Maqedoni një familje për të birësuar fëmijë pret prej një deri tre vjet, edhe kundrejt faktit që ka fëmijë, të cilët presin për t’u birësuar. Ndryshimet e fundit ligjore parashohin që të drejtë për të birësuar fëmijë nga Maqedonia, të kenë edhe shtetasit e huaj.

Përmes kësaj rregullative krijohet mundësi edhe për fëmijët e sëmurë ose ata për që shkak të përkatësisë etnike nuk kanë mundur të gjejnë strehim në gjirin familjar, me vite mbeten në qendrat sociale.

“Ka fëmijë, të cilët fatkeqësisht te ne nuk ka interesim për t’i adoptuar për shkak të përkatësisë etnike, që ndikon shumë. Po qe se i ofrohet të gjithë adoptuesve ai fëmijë dhe askush nuk e pranon, atëherë fëmija mund të adoptohet nga shtetas të huaj, gjë që është praktikuar me sukses”, sqaron Muça.

Gjatë vitit 2010, janë birësuar 45 fëmijë, gjatë vitit 2011, 51, më 2012 83 dhe vitin e fundit, 2013, janë birësuar 68 fëmijë.
XS
SM
MD
LG