Ndërlidhjet

Nis ndërtimi i sheshit “Mbreti Lazar”


Mitrovicë
Mitrovicë

Pas rivendosjes së barrikadës apo të ashtuquajturit “Parku i paqes” në urën qendrore mbi lumin Ibër, autoritetet lokale në Mitrovicën e veriut kanë filluar të mërkurën punimet për shndërrimin e rrugës përgjatë lumit Ibër, e cila i lidh të vendbanime shumetnike, Tre rrokaqiejt dhe Lagjen e Boshnjakëve, në zonë për këmbësorë, duke e emërtuar “Sheshi i mbretit Lazar”.

Ky shesh do të prekë cepin verior të urës qendrore mbi lumin Ibër, ku edhe është vendosur më parë i ashtuquajturi “Parku i paqes”.

Ksenija Bozhoviq, kryetare e Kuvendit të komunës së Mitrovicës së veriut ka thënë për Radion Evropa e Lirë se vendimin për shndërrimin e një pjese të rrugës në zonë të këmbësorëve, rreth dy javë më parë e ka sjellë kuvendi i kësaj komune, pas propozimit nga disa këshilltarë komunalë.

“Kjo është normale në përputhje me statutin. Kjo zonë e këmbësorëve do të shtrihet prej ndërtesës së Telekomit te Lagjja e Boshnjakëve, deri te qarkorja pranë Tre Rrokaqiejve”, ka theksuar Bozhoviq.

Vendimi për ndërtimin e sheshit “Mbreti Lazar”, më pas i ishte dorëzuar kryetarit të komunës së Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, me kërkesën që të shikohen mundësitë për zbatim.

Rakiq kishte marrë vendimin dhe punimet kanë filluar ditën e mërkurë.

Më parë, zyrtarët e Qeverisë në largim të Kosovës, patën theksuar se në qoftë se serbët nuk e heqin vetë barrikadën mbi urën qendrore mbi lumin Ibër, atëherë këtë do ta bëjnë autoritetet e Kosovës.

Ndryshe, çështja e ngritjes së barrikadës në Mitrovicë ka qenë edhe temë e bisedimit gjatë vizitës së fundit të zëvendëskryeministres në largim Kosovës, Edita Tahiri, në Bruksel.

Ajo ka kërkuar nga zyrtarët e Bashkimit Evropian angazhim shtesë, në mënyrë që barrikadat të largohen dhe të rivendoset liria e lëvizjes. Por, kryetari i Mitrovicës së veriut, Rakiq, ka thënë se për këtë komunë vendosin vetë qytetarët e saj.

“Unë mund të them se zonja Edita Tahiri nuk do të vendosë se çka do të bëhet në komunën e Mitrovicës së veriut. Lidhur me atë se si do të rregullohet Mitrovica e veriut, do të vendosin qytetarët dhe natyrisht, organet udhëheqëse, para së gjithash, Kuvendi dhe unë, si kryetar”.

“Ne tashmë po punojmë për rregullimin e atij parku dhe unë do ta mbështes vendimin e Kuvendit. Liria e lëvizjes do të mundësohet, zona e këmbësorëve do t’u mundësojë njërës dhe tjetrës bashkësi, që në mënyrë të papenguar të kalojnë përmes urës”, ka deklaruar Rakiq.

Në anën tjetër, kohë më parë drejtuesit e Listës serbe, pjesë e së cilës është edhe kryetari i Mitrovicës së veriut, Rakiq, patën deklaruar se vendimet që sjellin zyrtarët e komunave në veri, gjithmonë janë në koordinim me qeverinë në Beograd.

Prania gjithnjë më e shpeshtë e shefit të Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, në veriun e Kosovës, ka lënë për të kuptuar se as vendimin për ndërtimin e sheshit “Mbreti Lazar”, autoritetet lokale nuk e kanë marrë “kokë më vete”.

Gjuriq, i cili edhe të mërkurën ishte i pranishëm në veri, ka porositur se Serbia do ta mbështesë popullin serb në Kosovë, në tërësi.

“Askush nuk mund t’ua ndaloj njerëzve tanë që të rregullojnë punët e tyre dhe që ta rregullojnë zërin e tyre në mënyrën që ata e mendojnë të përshtatshme. Serbia qëndron dhe do të qëndrojë këtu me popullin serb, në tërësi, dhe nuk ka asnjë arsye që me deklarata ndezëse, siç i kemi dëgjuar ditëve të kaluara, ta helmojmë atmosferën në Kosovë”, ka theksuar Gjuriq.

Ndaj, ndërtimeve që kanë nisur autoritetet lokale në Mitrovicën e veriut, ka reaguar kryetari i komunës së Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri.

Ai e ka quajtur të papranueshme “ndërprerjen e qarkullimit të automjeteve në rrugën rajonale, që lidh Mitrovicën dhe rajone të tjera të Republikës së Kosovës, me pjesë tjera të vendit në veri dhe tutje Serbinë”.

Bahtiri ka kërkuar, siç thuhet “nga organet kompetente për rend e siguri, si ato vendore, ashtu edhe ato ndërkombëtare, por edhe nga Qeveria e Kosovës, që të ndërmarrin të gjitha masat ligjore menjëherë dhe të ndërpresin punimet që po bëhen për bllokimin e kësaj rruge”.

Ndryshe, njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë, patë paralajmëruar se vendimi për ndërtimin e sheshit “Mbreti Lazar”, si dhe i zonës së këmbësorëve, janë vendime politike, sepse ato në praktikë janë të panevojshme.

Sipas tyre, një gjë e tillë do të paraqesë bllokadë të dyfishtë të lirisë së lëvizjes, pas rivendosjes së barrikadës mbi urën qendrore mbi lumin Ibër.

XS
SM
MD
LG