Ndërlidhjet

Protestat në Maqedoni, porosi për partitë shqiptare


Protesta në Maqedoni
Protesta në Maqedoni

Analistët politikë në Maqedoni vlerësojnë se procesi gjyqësor “Monstra” vështirë se mund të marrë një epilog tjetër, gjegjësisht në favor të të akuzuarve.

Këtë e thonë edhe përkundër faktit se kërkesat konkrete të cilat u thanë nga ana e familjarëve të tyre, u mbështetën nga disa mijëra qytetarë të cilët kishin dalë për të protestuar, si pasojë e asaj se tanimë një kohë të gjatë është humbur baraspesha politike mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

“Ky është një problem shumë i rëndë për Maqedoninë për arsye se në njërën anë kemi pozicionimin e kryeministrit Nikolla Gruevski se institucionet e vendit janë të pavarura, dhe në anën tjetër kemi pozicionimin e Ali Ahmetit, i cili para disa ditësh në mënyrë të pavetëdijshme u solidarizua me protestuesit".

"Ai tha se do të kërkojë ekspertizë nga jashtë, dhe njëkohësisht duke harruar se ekspertizën duhet ta kërkojë brenda, ngase detyrë e tij është që të krijojë institucione të pavarura dhe objektive. Mendoj se kjo e bën që vështirë të ketë korrigjim ose rigjykim të procesit gjyqësor Monstra”, thotë Alajdin Demiri analist politik.

Ai shton se me vetë faktin se ky proces tanimë është ndërkombëtarizuar , është shndërruar në një proces të popullit, duke mos ngelur vetëm si proces i të dënuarve, presioni që do të ushtrohet në Gjykatën e Apelit dhe atë Supreme do imponojë një kompromis rreth këtij rasti.

Ndërkohë, duke komentuar paralajmërimin e vazhdimit të protestave gjersa nuk realizohen kërkesat e parashtruara të premten nga familjarët e të akuzuarve, për rastin Monstra, Demiri thekson se problemi me mosbesimin e shqiptarëve ndaj institucioneve ka të bëjë me paaftësinë e politikanëve shqiptarë për efektimin e votës së besuar.

“Kjo është një porosi shumë e rëndë dhe do të thosha shumë dëshpëruese për partitë politike të cilat ose do të duhet të reformohen ose ajo që unë më së shumti kam frikë, të krijohet hapësirë për paraqitjen e disa strukturave të paidentifikuara, të cilat do të jenë pak më shumë religjioze dhe pak më pak kombëtare, që do të thotë se krijohet rrezik që problemi i shqiptarëve të Maqedonisë të transferohet ë problem fetar dhe jo problem kombëtarë, dhe për fat të keq partitë politike shqiptare për këtë fenomen nuk kanë përgjigje, ata janë të hutuar dhe mbeten të izoluar kundrejt këtij fenomeni”, thekson Demiri.

Nga ana tjetër, Bllagoja Makovski nga Forumi Ballkanik për Siguri, vlerëson se struktura të caktuara jo vetëm nga vendi por edhe rajoni në përgjithësi, jo rrallë herë kanë dëshmuar se kanë bërë përpjekje për të keqpërdor situatën e brishtë të krijuar në Maqedoni, siç është kjo e fundit.

“Në asnjë mënyrë zhvillimet e fundit, mendoj devijimi i protestave të një jave më parë, nuk duhet parë si ngjarje të rastësishme sepse situatat e këtilla paraqesin mundësi të mirë që disa rryma radikale që ta shfrytëzojnë situatën kaotike të krijuar në momente të caktuara".

"Më duhet të theksoj se kjo nuk është në të mirë jo vetëm të stabilitetit të Maqedonisë, por kjo situatë është e pavolitshme për stabilitetin në rajon, veçanërisht Ballkanit Perëndimor, andaj nisur nga ky aspekt edhe faktori ndërkombëtar dhe të gjithë faktorët relevantë, veçanërisht sektori civil duhet të angazhohen për të mos u radikalizuar situata”, shprehet Makovski.

XS
SM
MD
LG