Ndërlidhjet

Shkup: Protestat përfundojnë qetë


Shkup, 18 korrik 2014
Shkup, 18 korrik 2014

Në Shkup edhe këtë të premte kanë vazhduar protestat kundër vendimit të Gjykatës për rastin “Monstra”.

Disa qindra qytetarë shqiptarë kanë marrë pjesë në marshin e quajtur “Marshi i lirisë”, që nisi nga qendra Tregtare “Çairçanja” drejt Gjykatës së Shkupit, duke mbajtur pankartat të shkruara në gjuhën shqipe, maqedonase dhe atë angleze ku thuhet “Duam drejtësi”, “Stop rasteve të montuara politike”, “Duam gjyqësi të pavarur” etj .

Familjarët e të dënuarve edhe një herë i kanë bërë thirrje OSBE-së, Avokatit të Popullit, Komitetit të Helsinkit e organizatave tjera që të vizitojnë në burgje të dënuarit në rastin "Monstra" dhe ta njoftojnë publikun për gjendjen e tyre.
Daim Luçi, nga këshilli organizativ i protestave, u ka bërë thirrje partive politike që të jenë me popullin dhe jo me ata që diskriminojnë shqiptarët.

“Përmes protestave ngremë zërin të bindur se kërkesat tona nuk do të hasim në vesh të shurdhër. Shpresojmë të ketë zgjidhje për padrejtësitë e shumta ndaj shqiptarëve”, ka theksuar Luçi.

Ndërkaq, Bedri Ajdari, i cili koordinon Këshillin Koordinues të Familjarëve të të dënuarve në rastin “Monstra”, për Radion Evropa e Lirë, ka sqaruar se pala mbrojtëse ende nuk ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit, ngase të dënuarit ende nuk e kanë marrë vendimin me shkrim nga Gjykata e shkallës së parë, në bazë të të cilit gjashtë të akuzuarit dënohen me burg të përjetshëm.

Ajdari ka thënë se derisa pritet vendimi përmes protestave, të cilat gjithnjë e më shumë gjejnë mbështetje jo vetëm në Shkup, po në më shumë vende ku jetojnë shqiptarët, në asnjë mënyrë nuk tentohet t’i bëhet presion punës së gjykatave, por siç ka theksuar ai, protestohet kundër vendimeve të porositura politike.

“Me anë të këtyre protestave, ne në asnjë mënyrë nuk duam të krijojmë presion ndaj gjykatave ose të krijojmë situata dhune, por ne tentojmë që përmes protestave të parandalojmë dhunën. Meqë drejtësia po has në vesh të shurdhër, dhe sundimi i së drejtës nuk vlen për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, në mënyrë të barabartë, ne përmes protestave kemi vendosur që të kërkojmë të drejtat tona”, ka theksuar Ajdari.

Ai ka shtuar se autoritetet policore përmes marrjes në pyetje të një pjese të madhe të qytetarëve, tentojnë t’i “disiplinojnë” ata për të mos dalë në protesta.

“Ne nuk jemi në asnjë mënyrë për dhunë, por tentojmë të parandalojmë dhunën përmes vendimeve selektive”, ka shpjeguar Ajdari.

Ndryshe, protestat e së premtes edhe pse ishin paralajmëruar tek organet policore, këto të fundit nuk i lanë protestuesit për t`iu afruar Gjykatës së Shkupit, me arsyetimin se për shkaqe sigurie, nuk mund të lejojnë të bllokohet udhëkryqi para kompleksit të Gjykatave të Maqedonisë.

Gjithashtu, edhe gjatë protestave të 18 korrikut, sikurse një javë më parë, është vërejtur prani e theksuar e forcave policore.

XS
SM
MD
LG