Ndërlidhjet

Mungojnë rezultatet në Qendrat e Kompetencës


Ilustrim
Ilustrim

Në Kosovë tashmë funksionojnë katër Qendra të Kompetencës, të cilat janë ndërtuar me qëllim të krijimit të kuadrove profesionale dhe të kualifikuara për treg.

Planprogrami i këtyre qendrave përbën 60 për qind teori dhe praktikë profesionale, kurse vetëm 40 për qind lëndë të përgjithshme akademike, të cilat mund të bëjnë bazën e një studimi akademik.

Këto qendra gjenden në Skënderaj, Ferizaj, Malishevë, kurse në Prizren, në muajin shtator nxënësit për herë parë do të fillojnë procesin mësimor.

Qendrat e Kompetencës janë të pajisura me teknologji bashkëkohore, kurse planprogrami realizohet sipas standardeve të Bashkimit Evropian.

Ato janë ndërtuar me donacionet të huaja.

Ndërtimi i Qendrave të Kompetencës në Skënderaj dhe Malishevë është financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë, kurse Qendrat në Ferizaj dhe Prizren janë ndërtuar me fonde të Qeverisë së Luksemburgut.

Mbajtja e procesit mësimor dhe praktikës lavdërohet nga ata që udhëheqin këto qendra si në nivel lokal, po ashtu edhe atë qendror, ndërkaq sipas ekspertëve të arsimit, rezultatet mungojnë.

Një nga qendrat e para është ajo në komunën e Skënderajt që është hapur në vitin 2010.

Profilet që ofron kjo qendër, janë ndërtues rruge, montues i gypave, ndërtues i kanaleve, punëtor peizazhi, beton - punues, zdrukthëtar, murator, llamarinë -punues, ndërtues i fasadës e të tjera.

Drejtori i Qendrës së kompetencës në Skënderaj, Armend Bajraktari, për Radion Evropa e Lirë, tregon se numri i nxënësve në këtë shkollë është 320, kurse kapacitetet për një ndërrim të punës janë 600 nxënës.

Që nga viti 2010 mësimin e kanë përfunduar dy gjenerata, vitin e kaluar 176 dhe këtë vit 141 nxënës.

Bajraktari thotë se rezultat janë të dukshme, por sfidë paraqitet punësimi i nxënësve pas përfundimit të shkollës.

“Vazhdimisht lidhja me tregun e punës është defekti kryesor. Nxënësit në klasën e 12-të duhet që pjesën praktike, kompetencat që nuk mund t’i përfundojnë në shkollë, duhet t’i arrijnë në kompani”.

“Për këtë arsye, ne kemi sfida në bashkëpunim, për shkak se nuk ka rrugë institucionale për zgjidhjen e realizimit të praktikës së nxënësve nëpër kompani. Është problem sigurimi shëndetësor, është problem stimulimi i kompanive nga shteti, për të realizuar pjesën praktike siç ekziston edhe në vende tjera të Evropës”, thotë Bajraktari.

Edhe ekspertë për çështje të arsimit, përmendin mungesën e një bashkëpunimi të shkollave me subjekte ekonomike që nxënësit, pas përfundimit të shkollës, të punësohen në mënyrë kolektive.

Eksperti i arsimit, Jonuz Salihu, madje konsideron se mungojnë profilet që i nevojiten tregut kosovar, kurse ndërtimi i këtyre qendrave është bërë në qytete të gabuara, pasi i shërbejnë një komuniteti të vogël.

Për këtë arsye, në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë, Salihu thotë se këto qendra nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme dhe që në këto shkolla, sipas tij, regjistrohen vetëm nxënësit, të cilët nuk arrijnë të regjistrohen në shkolla tjera të ciklit të mesëm.

“Gabimi është edhe te politika e punësimit, pasi këtu do të duhej të shkonin ata fëmijë që me një marrëveshje me subjektet ekonomike në vend, pas përfundimit të shkollës menjëherë të punësohen, e jo të bredhin rrugëve duke kërkuar punë në mënyrë individuale”, thekson Salihu.

Perceptimi i qytetarëve, konkretisht nxënësve se në këto shkolla mësimet i vijojnë vetëm nxënësit që nuk arrijnë të regjistrohen në gjimnaz apo shkolla të përgjithshme, është eliminuar, thotë drejtori i përgjithshëm i Agjencisë për Arsim Profesional dhe për të Rritur, Ragip Gjoshi, agjenci kjo që funksionon në kuadër të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

“Qendrat e kompetencës po tregojnë një qëndrueshmëri dhe interesim gjithnjë e më të madh të të rinjve. Kjo për faktin se shumica e nxënësve që kanë përfunduar mësimin në këto qendra, kanë gjetur punë, sepse në këto qendra nxënësit përgatiten për profesionet që i duhen tregut të punës. Unë kam bindjen që në këto shkolla bëhet mësim cilësor dhe tashmë nuk shkojnë vetëm nxënës, të cilët është menduar se nuk mund të gjejnë vende në gjimnaze dhe shkolla të përgjithshme”, shpjegon Gjoshi.

Ndryshe, sipas një hulumtimi me nxënësit e diplomuar në vitin e kaluar të Qendrës së Kompetencës në Skënderaj, rezulton se mbi 98 për qind e nxënësve e kanë kaluar testin kombëtar.

Në fakultete të ndryshme janë regjistruar 47 për qind, praktikën profesionale në profile të ndryshme në këtë qendër e kanë përfunduar afër 96 për qind.

Kurse, pas përfundimit të shkollës, 23 për qind prej tyre janë punësuar, 33 për qind janë të papunë dhe 42 për qind janë studentë.

XS
SM
MD
LG