Ndërlidhjet

Sfidat e ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni


Ndryshimet kushtetuese do të jenë pikat e para të rendit të ditës të punës së Komisioneve të Kuvendit të Maqedonisë pas pushimeve verore.

Ndryshimet kryesisht kanë të bëjnë me sferën e gjyqësisë dhe të financave, si dhe rregullimin me Kushtetutë të bashkëshortësisë, e cila do të definohet vetëm bashkësi mes burrit dhe gruas. Por, miratimi i tyre në mungesë të opozitës, e cila bojkoton institucionet, ka ngritur debatin nëse zgjidhjet e ofruara do të kenë efektin e duhur.

Ligjërisht ndryshimet mund të miratohen, por politikisht ato do të kenë pasoja, thonë njohësit e çështjeve kushtetuese.

“Ndryshimi i Kushtetutës që është një akt shumë i rëndësishëm politik, edhe pse mbi të gjitha është akt juridik, pa dyshim që kërkon edhe pëlqimin e opozitës, e cila nesër mund të kthehet në Kuvend. Pra, ndryshimi i Kushtetutës, pa pëlqimin e opozitës apo në mungesë së saj, është e dëmshme për vendin dhe perspektivën e tij ndërsa mund të shkaktojnë edhe tensione“, thotë për Radion Evropa e Lirë Mersim Maksuti, ekspert i çështjeve kushtetuese.

Nga qeveria kanë thënë se pas miratimit të amendamenteve që kërkojnë shumicë të kualifikuar prej 62 votash, propozimet do të hidhen në debat publik, por ekspertët thonë se kjo nuk mund në asnjë mënyrë të zëvendësojë rolin e opozitës.

Nëse, vërtet, ndryshimet kushtetuese janë të nevojshme, atëherë konsideroj se për miratimin e tyre duhet të ketë përbërje të plotë të Kuvendit. Sa i përket asaj se pushteti aktual a është i gatshëm të organizojë një debat të gjerë për këtë çështje, unë thjesht nuk besoj në diçka të tillë. Qeveria ka dy të tretat e nevojshme në Kuvend dhe pa asnjë problem mund të miratojë ndryshimet kushtetuese, por kjo nuk është e mirë për demokracinë dhe shtetin në përgjithësi“, vlerëson Ana Janevska Deleva nga organizata “Transparencë Maqedoni“.

Nga ana tjetër, pos mungesës së opozitës, edhe çështjet që kanë të bëjnë me pozitën e shqiptarëve në shtet, vazhdojnë të jenë aktuale.

Ekspertët shqiptarë thonë se iniciativa për ndryshime kushtetuese duhej të shërbente në veçanti për partinë shqiptare në qeveri, për hapjen e çështjeve të pazgjidhura shqiptare, siç janë përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, aplikimi i votimit të dyfishtë, apo siç njihet ndryshme si Parimi i Badenterit, si dhe rregullimi i çështjes së përdorimit të simboleve kombëtare.

Mersim Maksuti, profesor në Universitetin e Tetovës, thotë se të paktën duhej ngritur çështja e gjuhës shqipe për shkak të interpretimeve të ndryshme që i bëhen ligjit aktual, e që për pasojë pamundëson përdorimin zyrtar të gjuhës amtare.

“Meqë u hap çështja e Kushtetutës, e cila rrallë hapet në funksionimin e një shteti, atëherë subjekti politik shqiptar duhet të kërkojë që së paku në këtë paketë të përfshijë çështjen e përdorimit dhe të zyrtarizimit të plotë të gjuhës shqipe”.

“Gjithashtu edhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me mënyrën e marrjes së vendimeve në Gjykatën Kushtetuese, që aty të instalohet mekanizmi i Badenterit dhe pastaj çështjet që kanë të bëjnë me përdorimin e flamurit, me formimin e qeverisë, ndarjen e buxhetit, e kështu me radhë“, thekson Maksuti.

Pas kalimit në komisionet parlamentare dhe debatin publik, ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen në seancën plenare të Kuvendit, por me dy të tretat e votave, të cilat aktualisht i ka shumica parlamentare.

XS
SM
MD
LG