Ndërlidhjet

Kur BE-ja kthen sytë kah vetja…


Në vitin 2004, kur Komisioni Evropian ka emëruar finlandezin Oli Rehn në postin e shefit të zgjerimit, Bashkimi Evropian ka pësuar zgjerimin më të madh, duke sjellë pranë vetes dhjetë anëtarë të rinj.

Shpresat kanë qenë të mëdha se BE-ja do të vazhdojë të integrojë edhe një dyzinë vendesh, duke zgjeruar fqinjësinë e saj me Ballkanin Perëndimor, Turqinë dhe shtetet post-sovjetike.

Por, këto synime janë dëmtuar nga një dekadë e krizave financiare, skepticizmi i BE-së dhe ngurrimi për t’u armiqësuar me Rusinë. Dhe, me emërimin e komisionarëve të rinj më 10 shtator, është bërë e qartë se blloku 28-anëtarësh është përqendruar vetëm në çështjet e brendshme.

Shenja më e qartë është fakti se numri i posteve të Komisionit që kanë të bëjnë me ekonominë, është rritur në mënyrë të konsiderueshme. Ato përfshijnë së paku katër portofole të reja që përqendrohen në tregun dhe industrinë e brendshme, tatime dhe dogana, politika të konsumatorit dhe shërbime financiare.

Për më tepër, posti i komisionarit të zgjerimit – i mbajtur nga Rehn dhe më pastaj nga Stefan Fuele – është modifikuar. Ai tani është post i fqinjësisë dhe negociatave të zgjerimit. Ky dallim tregon se BE-ja është e lumtur për të folur, por jo domosdoshmërisht për të vepruar.

Presidenti i ardhshëm i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, e ka bërë tashmë të qartë se gjatë mandatit të tij pesëvjeçar nuk do të ketë anëtare të reja. Vendi i fundit që i është bashkuar bllokut ka qenë Kroacia në vitin 2013.

Zgjedhja e Junckerit për negociatat e zgjerimit, 56-vjeçari Johannes Hahn, nga Austria, dallon nga paraardhësi i tij, Fuele, i cili është rritur në Çekosllovakinë post-komuniste dhe flet rrjedhshëm rusisht. Hahn nuk ka lidhje personale apo gjuhësore me pjesën lindore të Evropës.

Juncker e ka ngarkuar atë me “forcimin e lidhjeve politike dhe ekonomike të BE-së me fqinjët e saj jugorë dhe lindorë, sidomos me vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Werner Fasslabend, presidenti i Institutit të Austrisë për Politika Evropiane dhe të Sigurisë, thotë se ai është kandidati ideal për t’i mbajtur entuziastë fqinjët e BE-së.

“Ai është rritur në një situatë, kur Evropa, posaçërisht Vjena, ishte hapur ndaj Evropës qendrore dhe lindore. Ai do të jetë shumë i ineteresuar për të vazhduar në këtë drejtim”, thotë Fasslabend.

Prioritetet e reja të BE-së mund të jenë goditje për aspirantët e rinj, sidomos vendet post-sovjetike: Gjeorgjinë, Ukrainën dhe Moldavinë. Të tria këto kanë nënshkruar marrëveshje të asociimit me Brukselin në muajin qershor.

Por, Amanda Paul, analiste në Qendrën e Politikave Evropiane, nuk mendon se ky fakt paraqet shqetësim për këto vende.

“Nuk kemi asnjë premtim për anëtarësimin e këtyre vendeve. Nuk ka asnjë oreks për t’iu dhënë anëtarësinë atyre në një të ardhme të parashikueshme”, thotë Paul.

Sidoqoftë, edhe ata që janë neutralë ndaj emërimit të Hahnit mund të ndjehen të qetë, pasi personi që ka qenë shumë afër këtij posti, sllovaku Maros Sefcovic, nuk ka qenë zgjedhja finale.

Sllovakia, përveçse shërben si njëri nga mbrojtësit më besnikë të Rusisë në BE, është njëri nga pesë vendet e bllokut që ende refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës dhe me siguri se do të kundërshtojë synimet e saj evropiane.(v.tela)

XS
SM
MD
LG