Ndërlidhjet

Forca e Armatosur, peng i politikës


FSK
FSK

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, ka kohë që janë zotuar se Forca e Sigurisë së Kosovës do të shndërrohet në Forca të Armatosura, por diçka e tillë nuk ka ndodhur ende.

Në përvjetorin e gjashtë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pati deklaruar se është shtuar nevoja për krijimin e një force moderne të armatosur në Kosovë.

E ardhmja e Forcës së Armatosur të Kosovës, nuk ka alternativë, mbetet punë parësore për Kuvendin, kishte thënë presidentja Jahjaga.

Zyrtarët nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, thonë se FSK-ja, tashmë ka realizuar gjithë programin e saj për arritjen e kapaciteteve të plota operacionale sipas misionit që ka pasur dhe se, sipas tyre, ato kapacitete janë pranuar nga NATO.

Ibrahim Shala nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se FSK-ja është e gatshme për transformim të mëtejmë.

"Është përgatitur edhe draft-ligji për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur. Ky draft-ligj ditë më parë i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës. Se kur Qeveria do ta procedojë në Parlament dhe kur Parlamenti do ta vërë në rend të ditës, varet nga agjendat e Parlamentit dhe nga zhvillimet e tjera politike të shtetit tonë", thotë Shala.

Në rishikimin e strategjisë për sigurinë e Kosovës është rekomanduar që FSK-ja të shndërrohet në Forcë të Armatosur të Kosovës.

Ky rekomandim është miratuar nga Qeveria, por që të jetë i plotfuqishëm, duhet të bëhen edhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe të miratohet ligji përkatës.

Për formimin e Forcës së Armatosur të Kosovës nevojiten ndryshimet kushtetuese, ndërkohë që ato nuk mund të bëhen pa dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe dy të tretat e votave të deputetëve që përfaqësojnë bashkësitë e pakicave në Kuvend.

Shala thotë se në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ekziston besimi se partitë politike shqiptare, por edhe ato të komuniteteve të tjera që janë të përfaqësuara në Kuvend, do ta përkrahin ligjin për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura.

“Partitë politike të Kosovës do të kenë unitet të plotë për të aprovuar ligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe partitë minoritare, sepse Forca e Sigurisë së Kosovës, mbrojtja e vendit po ashtu edhe misioni i Forcave të Armatosur të Kosovës do te jetë në mbrojtje të vendit dhe gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, race apo gjinie”, shpjegon Shala.

Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kuvend, Daut Haradinaj, thotë se Komisioni dhe legjislativ është i gatshëm të procedojë me ligjin në momentin që ekzekutivi do ta dorëzojë në Kuvend pakon ligjore.

"Është peng i proceseve politike, por edhe një herë po e them se nuk e shohim si pengesë të parë, mirëpo ta shohim tash në perspektivë a do ta sjellin paketën ligjore me qenë se edhe afatet ligjore i kanë", shprehetHaradinaj.

Ai konsideron se kjo çështje është duke ngecur edhe për shkak të disa mosmarrëveshjeve politike.

"Jemi të gatshëm për ta proceduar në momentin që na i dorëzojnë (ligjet). Por, siç duket, kanë probleme të natyrave të ndryshme të marrëveshjeve politike edhe me Listën Serbe, se këtu është pengesa kryesore, sipas të gjitha gjasave, sepse kërkohet plotësim-ndryshim i Kushtetutës së Kosovës", shton Haradinaj, i cili është deputet në Kuvend nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Kurse, njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Naim Maloku, thotë se çështja e shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur dhe deklaratat nga politikanët lidhur me këtë çështje bëhen vetëm për konsum të brendshëm politik.

"Nuk do të kryhet kjo punë vetëm në bazë të një vullneti apo dëshire të partitive politike të shqiptarëve. Absolutisht, janë vetëm për konsum të brendshëm dhe kur nuk dinë të thonë diçka tjetër, atëherë thonë që për shembull brenda këtij viti Kosova do të bëhetme ushtri", thekson Maloku.

Ai thotë se do të kalojë edhe një kohë derisa të dihet e ardhmja e FSK-së.

"Forcat e Armatosura të Kosovës mendoj se do ta kenë fatin e një dialogu, një presioni të faktorit ndërkombëtar se si do të jetë e ardhmja e Ballkanit. Nëse integrohet gjithë Ballkani nën Kroaci-NATO, atëherë praktikisht me inkuadrimin në NATO, do të përcaktohet edhe fati i FSK-s, çfarë force dhe çfarë niveli dhe kapaciteti do të ketë Kosova",sqaron Maloku.

Eksperti Maloku konsideron se e ardhmja e FSK-s do të jetë si temë diskutimi në fund të bisedimeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

"Përfundimi i dialogut më Serbinë do të përcaktojë ndoshta edhe infrastrukturën e sigurisë e Forcave të Sigurisë ose të gjitha segmenteve të sigurisë së Kosovës. Unë mendoj se kusht i Listës Serbe, ka për të qenë që në veri, të kenë një forcë të armatosur siç e ka Bosnja, Republika Srpska. Ajo nuk funksionon", konsideron Maloku.

Udhëheqës të Kosovës kanë thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës është e ndërtuar mbi themele të fuqishme, që udhëhiqet nga synimi për të krijuar infrastrukturë të plotë të sigurisë, në përputhje me nevojat e shtetit dhe në harmoni me interesat kombëtare për të qenë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjerë.

Ndërtimi i Forcave të Armatosura të Kosovës është thënë se do të bëhet në mënyrë graduale dhe do të zhvillohet në tri faza.

Faza e parë pritet të përfundoj në vitin 2016. Gjatë kësaj periudhe do të riorganizohet kjo forcë në përputhje me ligjet e reja, me hartimin e doktrinave ushtarake, vendosjen në infrastrukturën e paraparë dhe fillimin e trajnimeve ushtarake.

Faza e dytë do të jetë deri në vitin 2019 me ngritjen e kapaciteteve të komandës, kontrollit, komunikimit dhe pajisjen me armatim, si dhe krijimin e kapaciteteve iniciale operacionale.

Faza e tretë, që përfshin kompletimin e plotë të Forcave të Armatosura të Kosovës, edhe me personel, edhe me pajisje, edhe me trajnime dhe me arritjen e kapaciteteve të plota ushtarake.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka dalë nga Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, e cila ishte pasardhëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aktualisht 2,263, është numri i pjesëtareve të FSK-së, ku 478 janë aktivë. Nga përbërja e përgjithshme e këtyre pjesëtarëve 8.91 për qind janë nga komunitetet pakicë, serbë(42 pjesëtarë) turq 55, boshnjakë, ashkali, rom dhe egjiptianë.

XS
SM
MD
LG