Ndërlidhjet

Zhvillimi ekonomik do përkrahje


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se dyert e Evropës për Kosovën duhet të hapen sa më shpejt, sepse, sipas tij, është rrezik që njerëzit t’ia mësyjnë edhe lindjes.

“Ngujimi ynë me regjim të vizave na bën shumë të kufizuar të kontaktojmë dhe të konkurrojmë me ekonomitë e vendeve evropiane. Në këtë situatë, ne bëhemi konsumatorë të produkteve të të gjithëve, por produktet tona dhe puna jonë do të mbesin çështje vetëm e ‘pashallëkut tonë’”, është shprehur Mustafa, duke shtuar se askush nuk mund ta marrë si pretekst ikjen e qytetarëve tanë, për të argumentuar prolongimin e liberalizimit të vizave.

Zyrtarët e Ministrisë së Integrimit në Qeverinë e Kosovës, sa i takon çështjes së liberalizimit, kanë theksuar se e raportet e fundit nga institucionet përgjegjëse kanë treguar se Kosova është në fazën përmbyllëse të përmbushjes së kritereve të udhërrëfyesit.

Megjithatë ata kanë pranuar se numri i madh i shqiptarëve nga Kosova që kanë migruar ilegalisht në vendet e Bashkimit Evropian, do të paraqesë probleme të mëdha për liberalizimin.

Ndryshe, në një postim të tij në Facebook, kryeministri Isa Mustafa, ka thënë se për të arritur zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në Kosovë, duhet bërë shumë punë dhe nevojitet përkrahja e të gjithëve.

Në këtë drejtim, ai ka thënë se duhet luftuar korrupsionin, monopolin e disa kompanive publike dhe private, si dhe të krijohet hapësirë e barabartë për çdo biznes.

“Nuk mund të lejojmë që të ngulfaten bizneset e vogla. Atyre do t’u hapim mundësi dhe do të krijojmë kushte të barabarta për konkurrencë, nga licencat, doganat, kontrolli i cilësisë, regjimi i çmimeve, sistemi i prokurimit”, ka shkruar në Facebook kryeministri Mustafa.

Duke komentuar deklaratat e fundit të kryeministrit të Kosovës, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë për Radion Evropa e Lirë së zhvillim ekonomik të mirëfilltë mund të ketë vetëm atëherë kur ka sundim të ligjit dhe kur ekonomia është prioritet mbi prioritete.

“Pa një partneritet dhe një dialog të mirëfilltë është e pamundur të hartohen politika, të cilat do të jenë në funksion të procesit. Dua të besoj se orientimi drejt ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe orientimi drejt sektorit privat dhe, në veçanti, drejt sektorit prodhues, janë garanci, që do të gjenerojë stabilitet social”, vlerëson Gërxhaliu.

Edhe Gërxhaliu mendon se gjërat në drejtim të zhvillimit ekonomik mund të ndryshojnë nëse ka një koordinim ndërmjet politikë-bërësve dhe përfaqësuesve të bizneseve në Kosovë.

“Bashkëpunimi duhet të jetë i orientuar në dy aspektet; në aspektin interno dhe ekstern. Në aspektin interno, duhet që të gjithë aktorët relevantë vendorë të jenë të fokusuar në procese zhvillimore ekonomike”.

“Por, nuk mund të kemi partneritet dhe dialog konstruktiv ekstern nëse nuk do ta avancojmë partneritetin intern. Prandaj, dua të besoj që është në interes të të gjithëve zhvillimi ekonomik, se vetëm përmes zhvillimit ekonomik mund të arrijnë ato synimet që i ka shteti i pavarur, Kosova”, shton Gërxhaliu.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës konsideron se viti 2014 ka qenë një vit i dështuar në aspektin ekonomik dhe pasojat, sipas tij, janë bartur edhe në vitin 2015.

Rrjedhimisht, thotë Gërxhaliu, është e vështirë që në një periudhë të shkurtër të priten hapa pozitivë në drejtim të përmirësimeve në aspektin ekonomik.

XS
SM
MD
LG