Ndërlidhjet

IS-i “lëshon” karta identiteti


Muzikanti amerikan, Frank Zappa, ka thënë se “nuk mund të keni shtet të vërtetë, nëse nuk keni birrë apo linjë ajrore”.

“Ju ndihmon nëse keni ekip futbolli, ose disa armë bërthamore, por, në fund të fundit, duhet të keni birrë”, ka thënë ai.

Grupi militant i Shtetit Islamik (IS) nuk mund të prodhojë birrë, sepse alkooli është i ndaluar në Islam, dhe është larg posedimit të linjës ajrore apo, fatmirësisht, armëve bërthamore.

Duket po ashtu e pamundur që Shteti Islamik të përpiqet të krijojë një ekip futbolli, marrë parasysh se ai ka ekzekutuar të rinj që kanë shikuar ndeshje futbolli.

Por, pavarësisht këtyre pengesave në arritjen e shtetësisë, militantët e Shtetit Islamik kanë bërë një tjetër përpjekje për të treguar se janë shtet i vërtetë, duke thënë se kanë lëshuar karta identiteti për njerëzit që jetojnë nën sundimin e tyre.

Fotografitë e shpërndara në mediat sociale këtë javë, nga mbështetës të Shtetit Islamik, thuhet se tregojnë kartat e identitetit.

GreatISNation, llogari pro IS-it në Twitter, ka postuar një fotografi të një karte më 11 prill dhe ka thënë se Shtetit Islamik synon të nisë “lëshimin e kartave të identitetit për shtetasit e tij, me çip elektronik tredimensional për të parandaluar mashtrimet”.

Kartat që tregohen në fotografi kanë çip dhe një hologram për të parandaluar falsifikimin. Këto karta po ashtu tregojnë informacione për grupin e gjakut të bartësit.

Një përdorurese e Twitterit me pseudonimin Muslimah4Life, e cila pretendon se është grua anglishtfolëse që jeton në tokat e kontrolluara nga Shteti Islamik, ka postuar në Twitter më 10 prill se vëllai i saj sapo ka marrë kartën e identitetit.

“Kartat e identitetit të Dawlah (term arabik për IS-in) duken të mahnitshme. Vëllai im sapo e ka marrë, ndërsa unë dhe burri im presim t’i marrim së shpejti insha Allah (me vullnetin e Zotit)”, ka shkruar ajo.

Disa raporte të tjera, megjithatë, kanë thënë se grupi i Shtetit Islamik ka lëshuar karta identiteti vetëm për luftëtarët e tij.

Gazeta britanike Daily Express ka cituar një aktivist të të drejtave civile në Mosul – qytet i Irakut që kontrollohet nga Shteti Islamik – i cili ka thënë se kartat janë pjesë e një fushate për të “risiguruar” militantët se udhëheqja e IS-it mbetet e fuqishme dhe nën kontroll.

Sipas aktivistit, i cili ka dashur të mbetet anonim, kjo masë vjen pas humbjeve të fundit që ka pësuar IS-i.

“Ata duan të bindin militantët e tyre se janë të aftë për të kapërcyer sfidat aktuale. Ky hap është për të ngritur moralin e kryengritësve, sidomos pas humbjeve në disa zona”, ka thënë aktivisti irakian.

Shteti Islamik ka pësuar humbje të konsiderueshme së voni, sidomos në qytetin Tikrit të Irakut, ku forcat irakiane dhe milicitë shiite kanë shpartalluar militantët.

Raportet se IS-i ka lëshuar karta identiteti nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur. Nëse kartat janë lëshuar vërtet, nuk është e qartë se në çfarë shkalle.

Megjithatë, lëshimi i kartave të identitetit është në përputhje me përpjekjet e Shtetit Islamik për të demonstruar se nuk është grup militant, por shtet funksional, me aftësi për të qeverisur zonat nën kontrollin e tij.

Shteti Islamik ka thënë më herët se do të krijojë edhe monedhën e tij, por kjo ide nuk është jetësuar.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG