Ndërlidhjet

Mogherini: Të parandalohen tragjeditë e migrantëve


Federica Mogherini
Federica Mogherini

Shefja për politikë të jashtme të BE-së, Federica Mogherini, ka thënë sot se Bashkimi Evropian e ka “detyrim moral” që të parandalojë tragjeditë që po ndodhin kur migrantët po bëjnë përpjekje të kalojnë Mesdheun për të arritur në Evropë.

Ajo ka thënë se BE nuk ka më arsyetime që të mos veprojë.

Mbi 70 migrantë dyshohet se kanë vdekur pasi anija e tyre është mbytur afër ishullit italian, Lampeduza ndërmjet 18 dhe 19 prillit.

Nëse konfirmohet vdekje e këtij grupi migrantësh, atëherë kjo është fatkeqësia më e madhe në Mesdhe.

“Na duhet veprim i menjëhershëm nga BE-ja dhe vendet anëtare”, ka thënë Mogherini me të arritur në takimin e Këshillit të ministrave të jashtëm të BE-së në Luksemburg.

Kryediplomatët e BE-së pritet të merren me çështjen e migrantëve gjatë takimit të sotëm.

Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, është duke e shqyrtuar mundësinë e mbledhjes së krerëve të shteteve gjatë kësaj jave për të diskutuar ardhjen e migrantëve.

Deri më tash, 35 mijë azilantë dhe migrantë kanë arritur të hyjnë në Evropë, ndërsa mbi 900 raportohet se e kanë humbur jetën në këtë rrugëtim.

XS
SM
MD
LG