Ndërlidhjet

Remitencat nxisin rritjen ekonomike


Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të pranojnë para nga familjarët e tyre që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës. Shuma mesatare në muaj që ata marrin është afër 300 euro, sipas të dhënave zyrtare.

Ndërkohë, shuma e mjeteve të dërgesave të emigrantëve kosovarë që çdo vit hyjnë në Kosovë, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, është rreth 600 milionë euro.

Këto para që qytetarët e Kosovës i marrin nga familjarët e tyre, paraqesin një aspekt të rëndësishëm në mirëqenien e këtyre familjeve duke luajtur kështu një aspekt të rëndësishëm në uljen e varfërisë në Kosovë.

Familja Dreshaj është vetëm njëra nga shumë familjet në Kosovë që varet nga remitencat. Arbeni, anëtar i kësaj familje tregon për Radion Evropa e Lirë se babai i tij jeton jashtë vendit dhe me ato para që ai fiton atje mban familjen që ka në Kosovë.

“Familja ime varet nga remitencat, çdo gjë që i nevojitet një familjeje ne e financojmë me këto para që na i dërgon babai im. Ushqim, veshmbathje, studimet, literaturën gjithçka. Më një fjalë të gjithë shpenzimet që ne i kemi këtu mbulohen nga paratë që babai i dërgon”, shprehet ai.

Kosova është ndër vendet në Ballkan me më se shumti dërgesa të pranuara.

Thuhet se mbi 20 për qind e familjeve në Kosovë pranojnë dërgesa nga familjarët e tyre, të cilët jetojnë jashtë shtetit, e që këto mjete atyre iu kanë shërbyer që të jetojnë më mirë dhe të mos e ndjejnë shumë mungesën e parave.

Edhe, profesori i ekonomisë, Musa Limani duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se konsumin familjar në Kosovë kryesisht e mban diaspora, dhe atë jo vetëm gjatë muajve të verës kur ata vinë në pushime, por gjatë tërë vitit.

“Rëndësia kryesore e remitencave të diasporës sonë mbështetet në sigurimin e konsumit në Kosovë, pra konsumi në Kosovë mbahet pikërisht në bazë të remitencave që dërgohen nga diaspora jonë, kjo për arsye se niveli i zhvillimit në Kosovë është tejet i ulët dhe kjo reflekton në papunësi”, thekson profesor Limani, duke shtuar, se po të mos ishin këto dërgesa të emigrantëve, konsumi në Kosovë do të ishte shumë më i vogël.

Edhe në një studim të bërë kohë më parë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, është theksuar se pa këto para të dërguara nga qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, norma e varfërisë në Kosovë do të kishte ndryshuar nga 26 përqindëshi i vëzhguar në rreth 52 për qind, që paraqet një rritje prej 100 për qind.

Ndërkohë, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtarë, rritja ekonomike në Kosovë ka mbetur relativisht e fortë dhe e qëndrueshme viteve të fundit, e nxitur pjesërisht nga remitencat e larta nga diaspora.

Profesori i ekonomisë Musa Limani, thekon se remitencat të mos shfrytëzohen vetëm për mbulimin e shpenzimeve të konsumit personal, por gjithashtu për investime të dobishme, duke siguruar gjenerim të qëndrueshëm të të ardhurave për këto ekonomi familjare.

Por, sipas tij, Qeveria e Kosovës ende nuk ka ndonjë program të veçantë për tërheqjen e investitorëve shqiptarë nga diaspora.

“Për fat të keq Qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë program të veçantë dhe nuk ka krijuar kushte që të tërheq investitorët shqiptarë nga diaspora për arsye se ka shumë ngarkesa fiskale të cilat pengojnë avancimin e investimeve të diasporës dhe në ngritjen e kapaciteteve të reja”, shton ai,

Ndonëse nëpër strategji e dokumente të ndryshme të autoriteteve të Kosovës, vlerësohet se një e treta e qytetarëve të Kosovës jetojnë jashtë territorit të saj, ende nuk ka regjistër zyrtar për numrin e saktë të tyre.

Regjistrimi i tyre ka filluar qysh në dhjetor të vitit 2013 dhe nuk ka përfunduar ende.

Deri tani, ka disa të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ku thuhet se janë rreth 700 mijë kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, shumica prej tyre në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

XS
SM
MD
LG