Ndërlidhjet

KE: Kundër mureve të reja në Evropë


Migrantët nga Lindja e Mesme në kufirin me Hungarinë
Migrantët nga Lindja e Mesme në kufirin me Hungarinë

Komisioni Evropian (KE), ka reaguar ndaj planeve të Hungarisë për ngritjen e murit në kufirin me Serbinë, duke u tërhequr vërejtjen vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, se është kundër hapave që janë në kundërshtim me obligimet e BE-së dhe ka kërkuar nga vendet anëtare, siç është Hungaria, që të gjenden mënyra të tjera për ndaljen e hyrjes së imigrantëve ilegalë.

Zëdhënësja e Komisionit të Bashkimit Evropian për drejtësi dhe çështje të brendshme, Natasha Bertaud, ka theksuar se nuk duhet ngritur mure të reja, pasi ato janë rrënuar në Evropë.

“Në përgjithësi, KE nuk promovon përdorim të mureve dhe i inkurajon shtetet anëtare të shfrytëzojnë masa alternative. Ne tash së fundi i kemi rrëzuar muret në Evropë dhe nuk duhet t’i ngrisim ato përsëri”, tha Natasha Bertaud, të enjten vonë në Bruksel.

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, para dy ditësh i ka shpallur planet për “murin e lartë prej katër metrash” në kufirin e gjatë 175 kilometra me Serbinë, e cila nuk është anëtare e BE-së, duke theksuar se Budapesti “nuk mund të lejoj pritje më të gjatë” për ta ndalur hyrjen e imigrantëve, që aktualisht është në rritje.

Ky plan e ka “shokuar dhe befasuar” kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vendi i të cilit ishte skenë e rritjes së shpejtë të numrit të migrantëve ilegalë, derisa ata largoheshin nga zonat e luftës në gjithë Mesdheun.

Zoti Vuçiq është shprehur se Serbia nuk është fajtore, pasi migrantët ilegalë hyjnë duke kaluar nëpër Greqi dhe Bullgari, vende anëtare të BE-së.

“Askush Serbisë nuk mund t’i thotë asgjë. Përse Serbia është fajtore për krizën në Siri? A është Serbia fajtore për konfliktin ndërmjet Shtetit Islamik, Asadit, faktorit të tretë, do të thotë kurdëve? Serbia është vetëm vend tranzitor. Migrantët ilegalë nuk kanë hyrë nga Serbia, por nëpër Greqi dhe Bullgari”, tha Aleksandar Vuçiq.

Serbia është vend kandidat për pranim në BE.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Natasha Bertaud, ka theksuar se vendet anëtare të BE-së duhet të sillen në harmoni me ligjet e Bashkimit Evropian dhe obligimet ndërkombëtare.

“Vendet anëtare kanë përgjegjësi për t’i menaxhuar kufijtë e vet dhe u takon atyre për t’i identifikuar masat, që do të ndërmerren që pjesa e tyre e kufijve të jashtëm të BE-së të jetë e sigurt".

"Megjithatë, çfarëdo mase e ndërmarrë nga shtetet anëtare të BE-së për t’i menaxhuar kufijt dhe për tu marrë me rrjedhjet e migrantëve, duhet të jetë plotësisht në linjë me ligjet e BE-së dhe obligimet ndërkombëtare, përfshirë respektimin për të drejtat e njeriut, të migrantëve, dhe respektimin e parimit të moskthimit të detyrueshëm të refugjatëve ose azilkërkuesve në vendin, ku ata mund të jenë subjekt i persekutimit, pra në rastet kur njerëzve u duhet mbrojtja ndërkombëtare”, tha Natasha Bertaud.

Planet hungareze për ngritjen e murit i kanë sjellur përkujtimet e ndarjeve të periudhës së Luftës së Ftohtë ndërmjet Evropës Lindore komuniste, ku bënte pjesë edhe Hungaria, dhe Evropës Perëndimore.

Në vitin 2014, Hungaria i ka pranuar 43 mijë refugjatë, që është numri më i madh për kokë banori në Bashkimin Evropian, me përjashtim të Suedisë.

Por, qeveria në Budapest thotë se 54 mijë imigrantë kanë hyrë deri tash këtë vit në Hungari, ndërsa raportohet se shumica prej tyre kanë hyrë nëpër Serbi.

Laszlo Toroczkai, politikan i krahut të djathtë ekstrem dhe prefekt i fshatit Ashothalom, në pjesën jugore të Hungarisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ekziston “vetëm një vend prej të cilit imigrantët largohen nga lufta dhe hyjnë në Hungari... e ky vend është Ukraina, ndërsa migrantët e tjerë që vijnë në Hungari, kanë kaluar nëpër disa vende të qeta, e disa janë anëtare të BE-së, prandaj të gjithë ata janë imigrantë ekonomikë e jo politikë”.

Duke u shprehur për planet për ndërtimin e murit, për të cilat është njoftuar nga mediat, zoti Toroczkai tha se “mendimi im personal është se Qeveria e Hungarisë ka marrë sinjal nga BE-ja dhe qeveria jonë mund ta bëjë atë”.

Istvan Pastor, kryetar i Kuvendit të Vojvodinës, nga komuniteti hungarez në provincën autonome Vojvodina në Serbi, i ka sugjeruar opinionit në Serbi se muri “nuk do t’i ndryshojë jetërat e tyre”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG